Kukësi nuk e ka gjetur ende trajnerin...por ka gjetur një rival të ri: Partizanin

Kukësi nuk e ka gjetur ende trajnerin...por ka gjetur një rival të ri: Partizanin
Të dorëzuara më herët nga pretendimet për titullin kampion, Kukësi dhe Partizani, për të shmangur dështimin, kërkojnë ta mbyllin sezonin me trofe. Pas të kuqve, edhe kampionët në fuqi përcaktojnë objektiv kryesor kupën dhe për të arritur atë, janë futur në negociata duke ia vënë si kusht trajneri të ri 

Aranit Muraçi

Shumë emra janë lakuar,dhe media ka aluduar për takime të presidentit me emra të përvetshëm si Kozniku, Cungu, Ramadani. Kukësi konfirmoi se asnjëri prej tyre nuk është takuar me presidentin Safet Gjici, por ajo që mësohet  është se trajneri i ri duhet të garantojë Kupën e Shqipërisë.

 Kukësi dhe Partizani pritet të mësojnë ndryshimet më të mëdha në janar, që të shpëtojnë sezonin, me qëllim të arrijnë objektivin më minimal: Një biletë në Europë. Nga ecuria e pjesës së parë të këtij sezoni, si dhe zhvillimet e fundit, Kukësi me Partizanin pritet të jenë edhe dy rivalë të ashpër për trofeun e dytë për nga rëndësia në vend. Mladen Milinkoviç ka lënë stolin e Kukësit, pas pjesës së parë të këtij sezoni. Pas humbjes me Luftëtarin, dorëheqja e tij është pranuar nga presidenti, Safet Gjici. Në fillim të janarit, pritet zyrtarizmi i emrit të ri që do të pasojë Milinkoviç. Janë disa emra që janë kontaktuar nga presidenti Gjici, e me shumë mundësi trajneri kosovar, Ardian Kozniku, do të bëhet trajneri i ri i Kukësit. Pas humbjes 1-2 me Luftëtarin e Gjirokastrës, kampionët në fuqi të Kukësit, zbritën në vend të katërt, plot 11 pikë larg Skënderbeut.

Kozniku do të bëhet trajneri i dytë nga Kosova, që drejton një ekip të Superiores pas Nexhi Shensoji, i cili drejtoi më herët gjithashtu Kukësin. Ardian Kozniku, gjakovari që ka luajtur me Kroacinë, ka pasur një karrierë të pasur si futbollist, ndërsa si trajner ka drejtuar më herët edhe ekipin e Shkëndijës së Tetovës. Sakaq, ekipi i Kukësit nga data 4 - 16 janar, do të udhëtojë drejt Antalias, për të zhvilluar fazën përgatitore. Ish-trajneri Armando Cungu dhe ish-trajneri Ramadani shihen gjitahshtu si emra të mundshëm për stolin e verilindorëve. Trajneri i ri pritet të prezantohet një ditë pas nisjes së përgatitjeve për vitin tjetër. Kjo periudhë vlerësohet se do t’i shërbejë ekipit për të testuar lojtarët e rinj që do të ofrohen te Kukësi, për pjesën e mbetur të kampionatit dhe për kupën. Do të jetë pikërisht kompeticioni i Kupës së Shqipërisë objektiv kryesor i Kukësit, në pjesën e parë të këtij sezoni. Gjatë periudhës së përgatitores së dimrit, Kukësi do të luajë dhe ndeshje miqësore me disa ekipe turke. Dy ndeshjet miqësore të konfirmuara në janar, ajo me Kayserispor që do të luhet më 8 janar dhe Bursaspor që do të luhet më 10 janar. Gjatë kësaj periudhe, Kukësi pret të stabilizojë ekipin, duke afruar lojtarë të rinj, por gjithashtu do të ketë edhe largime, teksa në fund të vitit në kampin verilindor, për shkak të rezultateve të dobëta, nuk ka pasur shpërblime si vitin e kaluar.  Nga ana tjetër Partizani siguroi qëndrimin e trajnerit Sulejman Starova, para ndeshjes së fundit me Vllazninë, por drejtuesit e klubit janë në prag të riformatimit të skuadrës që kërkon të sigurojë të paktën një vend në Kupat e Europës. Trofeu i kupës shihet si një “betejë” mes Kukësit e Partizanit në pjesën e dytë të garës.

 

Flamurtari

Skënderbeu ka dy ndjekës që nuk i kishte menduar më parë. Flamurtari mban vendin e dytë, 9 pikë larg korçarëve, dhe Laçi ndodhet në vend të tretë. Mbi merkaton e dimrit shihet e mundur se vetëm Flamurtari mund të rihapë garën për titull për t’i dhënë më shumë bukuri kampionatit.

 

Fatet e Vllaznisë, nga janari, Qëndrimi i Maganit te Teuta, “mision i pamundur”

Gugash Magani, trajneri i Teutës, dha dorëheqjen gjatë ecurisë së këtij kampionati dorëheqje që nuk u pranua nga presidenti Hasanbelliu. Teuta pas humbjes së fundit me Partizanin ka zbritur në zonën e ftohtë, duke ndarë vendin e parafundit me pikë të barabarta me Vllazninë. Djemtë e detit pritet të ndryshojnë gjithashtu “timon” para pjesës së dytë të këtij kampionati. Nga ana tjetër Vllaznia do t’i nënshtrohet merkatos, ku përveç rikthimit të Xhavahir Sukajt, planifikohet edhe rikthimi i Ndriçim Shtubinës. Vllaznia para fazës përgatitore të Ulqinit po diskuton mbi projektin e afrimit të presidenti. Trajneri Ernes Gjoka u shpreh se do të rishikonte pozicionin e tij në bazë të ndryshimeve në janar, duke mos e parë mbijetesën të mundur me këtë situatë. Në këto kushte, beteja për mbijetesë pritet më ashpër mes skuadrave që kërkojnë të qëndrojnë në Kategorinë Superiore, ku dy më të rrezikuarat pas Lushnjës, për momentin janë emra të mëdhenj si Teuta e Vllaznia.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: