KUR, KUSH KA BLERË VOTA? – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA

KUR, KUSH KA BLERË VOTA? – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Pyetje: A ju janë ofruar NDONJËHERË, pará apo ndonjë favor, në shkëmbim të votës tuaj në zgjedhje? Kësaj pyetje i janë përgjigjur pozitivisht, 20.6% e të anketuarve shqiptarë. Vetëm malazezët kanë një kuotë më të lartë në Ballkan – 22.5% (shihni grafikun shoqërues).

Kështu rezulton nga një studim i zhvilluar prej Institutit për Demokraci, "Shoqëria Civile" – Shkup, në kuadër të Projektit HORIZON 2012, të financuar nga BE-ja. Projekti, HORIZON 2012, zbatohet nga një konsorcium ndërkombëtar drejtuar nga Shkolla për Studime Sllave dhe Europiano-Lindore, pranë Kolegjit Universitar Londër. Ndërsa anketimin në terren në Shqipëri, e ka kryer Qendra e Kërkimeve Historike dhe Antropologjike, e cila nuk ka asnjë adresë në internet, por vetëm një faqe në Facebook, ku figuron si një OJQ shqiptare, me vetëm një anëtar.

Meqenëse në Shqipëri, jetojnë rreth 2.1 milionë zgjedhës (nga mbi 3.4 milionë që janë gjithsej në listat e zgjedhësve), mund të ekstrapolohet se, rreth 430 mijë zgjedhësve me banim në Shqipëri, u janë ofruar pará apo ndonjë favor (në shkëmbim të votës), të paktën në një nga zgjedhjet që ata kanë marrë pjesë në jetën e tyre.

Pa i hyrë saktësisë së kampionimit dhe rigorozitetit të anketimit të këtij studimi, mund të them se prisja që shifra për Shqipërinë, të ishte më e lartë.  Dhe ja përse.

Blerja e votës nuk ka filluar sot. Ajo ka filluar në mënyrë masive, në lagjet egjiptiane dhe rome qysh në zgjedhjet e 1991-shit, në të cilat isha vetë kandidat për deputet. Në një lagje të tillë të Beratit, u shpërnda atëherë miell, oriz e sheqer, vetëm një ditë para zgjedhjeve, dhe e gjithë lagjja votoi për kandidaten e PPSH-së. (Një javë më vonë, në balotazh, shpërndarja nuk u përsërit, dhe lagjja votoi për kandidatin e PD-së...)

Me kalimin e viteve, blerja e votës u bë më e stërholluar, duke depërtuar edhe në lagje të tjera të varfra (urbane e rurale). Kështu, një sondazh i IDRA-s më 2013-ën (i financuar nga USAID-i), gjeti se 33% e të anketuarve shqiptarë, ishin në dijeni të rasteve kur zgjedhës të caktuar, mund ta kishin dhënë votën në shkëmbim të parave apo të ndonjë favori.

Kush pretendon se, në 27 vjetët e fundit, s'janë blerë këtu vota me pará apo me favore, duket se nuk e njeh fare Shqipërinë, ose thjesht gënjen. Gjithashtu, ajo parti që pretendon se, në 27 vjetët e fundit, nuk ka blerë vota me pará apo me favore, thjesht na bën të qeshim. (Bëhet fjalë për parti që kanë marrë të paktën 1% në zgjedhje)

Partitë kryesore të opozitës, e interpretuan studimin e sipërcituar si një vërtetim të pretendimit të tyre se, PS-ja kishte blerë mbi 20% të votave në zgjedhjet e fundit. Por, në fakt, ai studim i bënte me faj të gjitha partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet e 27 vjetëve të fundit, pa i përmendur veç e veç ato.

Kuptohet që edhe PS-ja, në qoftë se do të kishte qenë sot në opozitë, do ta kishte përdorur studimin e mësipërm, në të njëjtën mënyrë që po e përdorin partitë aktuale opozitare. Po puna është se ç'mendojnë ata që nuk janë partizanë të asnjë partie. Sepse në zgjedhjet e fundit, 520 mijë zgjedhës me banim në Shqipëri, nuk votuan për asnjërën nga partitë në garë (për krahasim, PD-në e votuan vetëm 450 mijë zgjedhës në qershor).  Dhe zgjedhës të tillë janë të zhgënjyer me partitë e me zgjedhjet, ndoshta edhe për faktin se kanë bindjen që votat blihen e shiten në lagjet e fshatrat e varfër, duke e bërë kështu të pavlefshme votën e tyre.

Ajo votë mund të bëhet e vlefshme, vetëm kur të përfundojnë në burg ata politikanë që akumulojnë pará të pista, përmes korrupsionit apo përmes lidhjeve me krimin, për t'i përdorur pastaj për të blerë vota. Dhe kjo (ndoshta) do të ndodhë kur të ngrihet e të fillojë së funksionuari i shumëprituri SPAK...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: