Largimi i papritur i Hasanit në Iran, Vllaznia në pritje të Sukajt e Shtubinës

Largimi i papritur i Hasanit në Iran, Vllaznia në pritje të Sukajt e Shtubinës
Edon Hasani largohet nga ekipi i Vllaznisë duke i habitur të gjithë në Shkodër, pasi pretendohej deri një ditë më parë se mesfushori shkodran e kishte mbyllur sezonin pas një dëmtimi dhe nuk dihej kur do të rikthehej në fushën e lojës.

Largimi i tij drejt një skuadre të huaj, në vigjilje të merkatos, ka befasuar klubin shkodran duke pretenduar se ai është ende në kontrëtë. Ai i ka lënë pa fjalë të gjithë, pasi për asnjë moment nuk ishte diskutuar një lëvizje e tillë para se t'i bashkohej Sepehan.

Largimi i Hasanit drejt ekipit të Sepahan në Iran dhe kontrata e nënshkruar nënkupton se ai ka marrë dokumentacionin e duhur, çka ka sjellë kaos brenda Vllaznisë.

Gjithsesi, duket se drejtuesit e klubit Vllaznia kanë menduar për afrime të tjera.

Pranohet se është arritur marrëveshja me sulmuesin Xhevahir Sukaj, i cili pritet të largohet në janar nga Partizani. Drejtuesit e Vllaznisë pretendojnë se është mundësuar edhe rikthimi i ish-kapitenit Ndriçim Shtubina, i cili pas kalimit te Kukësi, nuk ka gjetur hapësirat e duhura, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit në Shkodër.

Gjithsesi, për mbijetesën Vllaznisë i duhet të sigurojë një skuadër më të fortë se ajo që garoi në pjesën e parë të këtij kampionati, çka po shqyrtohet këto ditë edhe afrimi i një presidenti.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: