Lavrov: Diplomacia ruse, ja pikat kyçe të saj në 2017-ën

Lavrov: Diplomacia ruse, ja pikat kyçe të saj në 2017-ën
Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov mbajti së fundmi një fjalim në dhomën e lartë të parlamentit rus, ku foli për rezultatet e punës së shërbimit të jashtëm të Rusisë gjatë vitit 2017. Ja disa nga deklaratat kyçe të tij:

Mbi situatën ndërkombëtare:

“Një shqetësim të madh ngjallin disa tendenca të rrezikshme, si erozioni i parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, përpjekjet e zhvlerësimit të rolit të institucioneve shumëpalëshe dhe përdorimit të tyre për qëllime të ngushta vetjake”. Jemi të bindur se shkaku kryesor i tensioneve aktuale është kursi i vazhdueshëm egoist dhe cinik i disa vendeve me në krye Shtetet e Bashkuara. Duke besuar në supremacinë dhe pamëkatësinë e vet, i mësuar që qëndrimet e tij duhet të cilësohen si “e vërtetë absolute”, i ashtuquajturi “Perëndim historik” po mundohet të pengojë procesin e natyrshëm të formimit të një rendi të ri botëror më të drejtë, demokratik dhe policentrit”.

Mbi situatën në Ukrainë:

“Mbetet ende i pazgjidhur konflikti i brendshëm në Ukrainë. Drejtuesit në Kiev po e sabotojnë në mënyrë flagrante procesin e paqes. Po refuzojnë me këmbëngulje një dialog të drejtpërdrejtë me Donjeckun dhe Luganskun. Ne u bëjmë thirrje partnerëve perëndimorë, duke marrë parasysh mundësitë e tyrë për të ndikuar në autoritetet ukrainase, të shfrytëzojnë këto mundësi për të inkurajuar Kievin që të nisë sa më shpejtë zbatimin në praktikë të “Kompleksit të Masave” të Minskut, që është miratuar unanimisht nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së”.

Mbi marrëdhëniet Rusi-SHBA:

“Siç e ka theksuar shumë herë Presidenti i Federatës Ruse Vladimir Putin..., Rusia është e hapur për një punë të përbashkët konstruktive me Uashingtonin. Për fat të keq, deri më tani nuk kemi parë asnjë lëvizje në këtë drejtim nga pala amerikane. Kjo e fundit ka ndërmarrë një sërë veprimesh të reja flagrante antiruse. Ne nuk synojmë thellimin e konfrontimit, por sigurisht që do të vazhdojmë edhe më tej të kundërpërgjigjemi ndaj çdo hapi jomiqësor, në përputhje me parimin e reciprocitetit”.

Mbi raportet Rusi-BE:

“Perspektivat e marrëdhënieve të Rusisë me Bashkimin Evropian mbeten peng i qasjes rusofobe të një grupi të ngushtë vendesh brenda BE-së, i cili në fakt vepron në interes të SHBA-ve dhe jo të Evropës. Në të njëjtën kohë spiralja e sanksioneve e nxitur nga burokracia e Brukselit, me udhëzim të drejtpërdrejtë nga matanë oqeanit, i ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm biznesit evropian (para së gjithash atij gjerman), i cili ka humbur një pjesë të pozitave të tij në tregun rus. Ndërsa vetë amerikanët nuk kanë pësuar asnjë dëm”.

Mbi luftën ndaj terrorizmit:

“Një vëmendje të veçantë po i kushtojmë bashkimit të komunitetit ndërkombëtar në luftën kundër rrezikut terrorist, konform nismës së Presidentit të Rusisë Vladimir Putin për të krijuar një koalicion të mirëfilltë global antiterrorist me qëllim përballimin kolektiv të kësaj të keqeje, pa standarde të dyfishta”.

Mbi ndërhyrjen në proceset zgjedhore në Rusi:

“Përballemi vazhdimisht me ndërhyrjen në zgjedhjet tona. Pjesëmarrja në jetën politike përmes mbledhjes dhe instruktimit të opozitarëve bie ndesh me të gjitha konventat e Vjenës mbi marrëdhëniet diplomatike. Të mos flasim pastaj për atë çfarë bënte Ambasada e SHBA-ve në kohën kur po bëhej gati grushti i shtetit në Ukrainë”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: