Legjenda e Flamurtarit, Vasil Ruci: Nuk ka asnjë vizion për të rinjtë e talentuar në Shqipëri

Legjenda e Flamurtarit, Vasil Ruci: Nuk ka asnjë vizion për të rinjtë e talentuar në Shqipëri
Intervista/Flet legjenda e Flamurtarit të viteve ’80, mbi problemet që hasin sot të rinjtë e talentuar që luajnë futboll

Intervistoi: Aranit Muraçi    

Formula e kampionatit shqiptar, me 10 skuadra, e cila praktikohet prej më shumë se 10 vjetësh është një pengesë më shumë për karrierën e të rinjve shqiptarë. Akademitë private të futbollit, ashtu si edhe universitetet në Shqipëri, janë kthyer në mjedise biznesi pa lidhje me zbulimin dhe zhvillimin e talentit. Futbolli shqiptar kërkon një vizion më të qartë për një të ardhme më të sigurt. Ish-futbollisti i shquar i Flamurtarit në vitet ‘80, Vasil Ruci, i cili aktualisht punon me të rinjtë e qytetit të Vlorës, në një intervistë për “Albanian Free Press” thotë se për të pasur një kampionat apo kombëtare më cilësore e më konkurrues nesër, duhet menduar që sot për të rinjtë dhe mbi perspektivën e tyre:

Zoti Ruci, ju aktualisht punoni me të rinjtë dhe zbulimin e talenteve në Vlorë. Dikur ishit pjesë e Flamurtarit të viteve ’80, a punohet sa punohet sot sa duhet me të rinjtë në Shqipëri?

Në Vlorë dhe kudo në Shqipëri talenti dhe dëshira e të rinjve për të luajtur futboll nuk mungon. Por problemet janë të shumta dhe i has gjithandej. Në kohën time, organizmi ishte shumë më i mirë. Më të talentuarit kalonin disa etapa seleksionimi dhe te Flamurtari përzgjidheshin më të mirët e tyre. Me të rinjtë punohet edhe sot, por jo me përkushtimin dhe as me organizimin e dikurshëm. Sot shumë të rinj shqiptarë, sikurse edhe ata vlonjatë, jetojnë me familjet e tyre jashtë dhe e nisin karrierën andej, ndërsa ka të tjerë që preferojnë akademitë private, ndoshta për kushtet më të mira që afrojnë ato. Por akademitë janë të interesuara më tepër për të marrë paratë dhe e shohin sot si biznes punën me të rinjtë. Në këto akademi, të gjithë konsiderohen të talentuar: mjafton që ata të paguajnë rregullisht. Në fund kur vjen rralla për karrierën si profesionist, trajneri i ekipit të parë nuk e di se kë duhet të zgjedhë, sepse nuk i mjafton seleksionimi për dy a tre ditë.

Cilat probleme mendoni se i pengojnë sot të rinjtë e talentuar në Shqipëri të shprehin vetveten?

Mendoj se është formula e kampionatit. E kam kritikuar këtë formulë me 10 skuadra, sepse gjysma e skuadrave të para deri në fund të garës kërkojnë titullin kampion ose garojnë për një vend në Kupat e Europës dhe gjysma e skuadrave të dyta konkurrojnë për mbijetesë. Në këto kushte, gara deri në fund mbetet e ashpër mes tyre dhe trajnerët nuk kanë besim që të aktivizojnë lojtarët e rinj, sado të talentuar qofshin ata, për shkak të mungesës së eksperiencës.

Vasil Ruci dhe Flamurtari i lavdishëm viteve '80

Dikur qytete me traditë si Vlora, Shkodra, Elbasani, Kavaja ishin jo vetëm elitare por prodhonin talentë në futboll e në çdo sport tjetër, duke qenë ato furnizueset kryesore të kombëtares. Pse aktualisht këto qytete nuk arrijnë dot të nxjerrin lojtarë as për ekipin e qytetit të tyre? 

Talentit dimë se i duhet dhënë shansi, mundësisht në kohën e duhur. Nëse kampionati do të kishte 14 skuadra, ose më tepër, si dikur, disa skuadra që i përkasin mesit të artë do të ishin më të interesuara të provonin e t’u jepnin shansin që të luanin të rinjtë e talentuar. Tjetër gjë që mendoj është që skuadrat e Kategorisë së Parë duhet ta kenë me rregullore që të aktivizojnë të paktën dy lojtarë që vijnë nga të rinjtë, në çdo sezon. Vetëm kështu mund të promovohen ata, ndryshe shansi i tyre i digjet dhe karriera u vihet në rrezik. Nuk duhet të çuditemi pse na mungojnë të talentuarit si dikur, apo pse talenti digjet sot. Elbasani dhe Kavaja besoj se nuk do të ishin sot në kategoritë inferiore. Nuk do të rrezikonin rënien as ekipe të tjera historikisht elitare si Vllaznia e Tirana.

Trajneri brazilian i Tiranës, Ze Maria, mori drejtimin e skuadrës shqiptare me më shumë trofe, pasi ra për herë të parë në një kategori më poshtë 

Kombëtarja Shqiptare e futbollit prej vitesh formohet nga lojtarë që kanë lindur ose janë formuar jashtë vendit. A mendoni se i demoralizon ky fenomen futbollistët dhe të talentuarit e kampionatit shqiptar, në vend dhe kërkohet një strategji për t’i inkurajuar ata?

Në kombëtare trajneri duhet të zgjedhë më të mirët. Përderisa lojtarët e kombëtares sot vijnë nga jashtë, atëherë edhe ndonjë element i perspektivës që ndodhet në Shqipëri do të jetë i predispozuar të largohet. Në këtë kontekst bie niveli i futbollit vendas. Kërkohet patjetër një strategji më efikase. Shteti polak pak kohë më parë hapi 30 akademi të mirëfillta futbolli në mbarë vendin, duke zhvilluar talentin vendas dhe kampionatin. Sot Polonia ka një kombëtare që u kualifikua në botëror dhe një kampionat më të fortë se dikur. Ne nuk duhet të mburremi vetëm me kualifikimin e kaluar në Europianin e Francës, por duhet të hedhim baza më të shëndosha për një kombëtare që mund të shkojë edhe në botëror dhe për një kampionat që të prodhojë dhe promovojë sa më shumë lojtarë që mund të bëhen pjesë e saj.

Ndërkohë një parashikim për Flamurtarin sot që mban vendin e dytë, pas Skënderbeut. A e shihni kampion të mundshëm, duke marrë parasysh edhe përforcimet e janarit?

Nuk e prisja në fakt që Flamurtari të ishte në këto pozita, kjo ndoshta për shkak të paraqitjeve të dobëta edhe të skuadrave të tjera që mendoheshin se do të rivalizonin Skënderbeun, si Kukësi dhe Partizani. Besoj se suksesi i këtij ekipi është fryma e grupit, që ka dhënë rezultat, por megjithatë e shoh të vështirë të konkurrojë për titullin kampion. Lojtarët e Korçës kanë më shumë eksperiencë, ndërsa për Flamurtarin sfidë pas janarit do të jetë që të mbrojë vendin e dytë. Kukësi dhe Partizani do të jenë më të predispozuara të rrisin nivelin në pjesën e dytë të garës.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: