Lënë “shatin dhe belin”, shqiptarët merren me shërbime

Lënë “shatin dhe belin”, shqiptarët merren me shërbime
Ata duket se nuk preferojnë më që të merren me punët e bujqësisë, por po rendin drejt qyteteve për t’u marrë me tregti dhe shërbime. Kjo është dukuria më e fundit që po shoqëron shqiptarët, të cilët po i braktisin fshatrat e bashkë me ta edhe “shatin dhe belin”, për t’u marrë me punë më të lehta. E konfirmuar edhe nga shifrat më të fundit të Institutit të Statistikave, publikuar në Anketën e Forcave të Punës. Sipas tyre, rezulton se në krahasim me vitin e kaluar, sivjet në Shqipëri pati më pak të punësuar në sektorin e bujqësisë, saktësisht vetëm 38% e të punësuarve në rang vendi. Ndërsa një vit më parë kjo shifër ka qenë mbi 40%, duke folur kështu për një dëshirë në rënie gjithmonë e më të shumtë për t’u marrë me bujqësi në këtë vend dhe zgjedhjen e alternativave më të lehta, por edhe më fitimprurëse të punësimit, siç janë ato në sektorin e tregtisë dhe të shërbimeve. Dukuri kjo e cila në fakt vihet re në thuajse të gjitha qarqet e vendit, ku më shumë e ku më pak, e duke treguar kështu se ajo tashmë është kthyer në një trend kombëtar, i cili ecën përkrah atij të urbanizimit, pra lëvizjes ende të fshatit drejt qyteteve. Sikundër, ka edhe qarqe, si ai i Tiranës përshembull, ku njerëzit po zgjedhin të merren më shumë me bujqësi, duke arritur sivjet deri në nivelin prej 6% të totalit të të punësuarve, nga vetëm 4.7% që kanë qenë sivjet. Apo edhe qarku i Vlorës, ku të punësuarit në bujqësi sivjet kanë arritur deri në 30% të totalit, nga vetëm 23% që ishin vjet. Si edhe ai i Lezhës, ku shifra e njerëzve që merren me bujqësi ka arritur sivjet deri në 40% të totalit, nga niveli prej 35% që ka qenë vitin e kaluar. Por përveç këtyre qarqeve, në gjithë të tjerë t vihet re qartë trendi i pakësimit të personave që merren me bujqësi. Siç është ai i Beratit për shembull, ku është shënuar edhe niveli më i lartë i këtij pakësimi, deri në -13% nga viti në vit.

Bie papunësia, por tek të rinjtë ajo vijon që të mbetet ende në nivel shumë të lartë

Zyrtarët e statistikave në Shqipëri raportojnë një rënie të nivelit të papunësisë në rang vendi nga viti në vit. Por ajo që bie në sy, përmes shifrave është fakti se tek kategoria e të rinjve, ajo vazhdon që të mbetet ende e lartë. Duke treguar kështu, se ata janë më të privuarit nga tregu i punës, ndryshe nga moshat më të vjetra, të cilat e kanë pozicionuar tashmë veten brenda tij me kalimin e viteve. Kështu, në Anketën e Forcave të Punës, INSTAT konfirmon se niveli zyrtar i papunësisë në rang vendi gjatë këtij viti ka qenë në nivelin prej 13.6%. “Shkalla zyrtare e papunësisë për meshkujt është 14.3% dhe për femrat është 12.6%. Shkalla e papunësisë për femrat është 1.7% më e ulët sesa për meshkujt”, saktësojnë zyrtarët e statistikave lidhur me një dukuri të tillë. Teksa shtojnë nga ana tjetër se “shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është në nivelin prej 26%”. Megjithëse sqarojnë pas kësaj se gjithsesi, nga viti në vit, duhet thënë se “shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie”. “Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2016, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e tretë të vitit 2017 është -1.4% më e ulët”, pohojnë konkretisht ata. Duke shtuar ndërkaq, se  krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka pësuar një rënie në nivelin prej -0.4%.

Kush nuk punon në Shqipëri? Gati çereku i popullatës është jo-aktive në tregun e punës

Gati çereku i popullatës shqiptare është jo-aktive në tregun e punës. Konfirmimin rreth kësaj e japin vetë ekspertët e Institutit të Statistikave, sipas të cilëve, jo pak, por rreth 22.1% e shqiptarëve nuk është aktualisht aspak aktive në tregun e punës. “Gjatë tremujorit të tretë 2017, 8,9 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme”, cilësojnë ata. Duke shtuar se tTë rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/ studentë ose në trajnim përbëjnë 63,4 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. “Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 5.9% klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç ky grup përbën 12.5% të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe”, shton gjithashtu Anketa e Forcave të Punës, publikuar së fundmi nga Instituti i Statistikave.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: