Lider në tentativë

Lider në tentativë
Nga Juela Meçani

Psikologu dhe gazetari amerikan, Daniel Goleman, ndër të tjera është shprehur edhe mbi lidershipin, duke e ndarë atë në 6 kategori kryesore, sigurisht me të mirat e dobësitë e tyre. Duke lexuar një studim të tij, u ndala në një paragraf që m’u duk thelbësor: “Një lider me të vërtetë efikas, duhet të jetë i gatshëm të dëgjojë mendimin e gjithë pjesëtarëve të një grupi që drejton, edhe në raste kritikash ose ankesash. Të injorosh këtë aspekt sjell klimë tensioni të patolerueshëm dhe mund të degjenerojë në një sabotim të vërtetë të projektit të përbashkët. Në të kundërt, nëse një lider, edhe pse autoritar, tregohet i hapur ndaj dialogut dhe përballjes, ai është dhe i aftë të vlerësojë opinionet e bashkëpunëtorëve, jo vetëm do të ketë në dispozicion një serbator idesh më të madh, por do të fitojë besim dhe respekt, dy gjëra këto thelbësore për të udhëhequr.”

Më erdhi në mend ky konstatim pasi, e ulur në një lokal për një kafe të shpejtë, rastisa në një shfaqje të shëmtuar të një prepotence dhe arrogance që, në fakt, e has shpesh nga drejtues në fusha të ndryshme. Një zonjë, pronare e lokalit, që me sa duket merrej edhe me menaxhimin, mbledh një pjesë të stafit kokë më kokë dhe mes ofendimesh, ironisë dhe harbutërisë, i bën për ujë të ftohtë, teksa klientët dëgjonin të shokuar. Pavarësisht se kultura e punës lë shumë vend për të dëshiruar në Shqipëri, ka shumë mënyra si të ushtrosh lidership, si të komandosh, si të shprehësh kërkesat dhe pretendimet ndaj vartësve. Mbi të gjitha, ky presion nuk duhet ushtruar, mendoj, asnjëherë në publik. Provizorisht mund të kesh qëlluar të jesh drejtues i dikujt ose i disave, por nuk është aspak në të drejtën tënde të ulësh dinjitetin e një vartësi e, mbi të gjitha, duhet të ruash edukatën. Kjo, jo vetëm për të qenë i njerëzishëm e qytetar, por edhe për të pasur një eficiencë më të madhe. Por pse ndodh kaq shpesh e kundërta?

Kujtdo që i ka qëlluar të punojë jashtë kufijve, në shumë raste, ka ardhur në vendlindje edhe me dy bagazhe të tjera shtesë. E para, disiplinën në punë dhe korrektesën në orare, e dyta, edukata dhe mirësjellja e eprorit, në cilindo profesion, është kategorike. Pse në Shqipëri, vend i cili e ka njohur biznesin privat shumë vonë, nuk kemi marrë dot në lidership, edhe këto norma?

Si në shumë aspekte të tjera, edhe në lidership, në drejtim të një biznesi ose edhe në administratë, ka mungesë largpamësie e mbi të gjitha, nuk harrohet shumë shpejt e shkuara, pra cili ke qenë më parë e se si janë sjellë me ty. Ka një efekt zinxhir, nga koha kur një individ ka qenë vetë vartës e deri në kohën kur i ka rënë fati të drejtojë. Mund edhe të jetohet nga drejtuesi, një sindromë “Stokholmi”, me përpunimet e veta.

Sa më keq të kanë trajtuar kur ke qenë vartës, aq më keq sillesh me vartësit e tu, veçanërisht kur roli drejtues ka qenë një fat i pazakontë dhe sidomos kur vjen shpejt. Një lider ose drejtues i ashpër e kërkues, nuk do të thotë të jetë harbut, i padrejtë, paragjykues, i pasjellshëm. Me dhunimin psikologjik të vartësve ose me frikën e panikun që mbjell një drejtues ose lider, asgjë më shumë nuk fitohet në një ndërmarrje, se sa një mungesë totale e vullnetit të mirë që gjërat të ecin. Ky efekt zinxhir, në shumë raste, sjell atë që, liderë të cilët dikur janë shtypur, keqpaguar, keqpërdorur, vënë në panik, sapo kanë mundësinë të kenë vartës, bëhen po njësoj si “kasapët” e tyre, madje shpesh edhe më keq.

Por në të gjithë këtë panoramë e cila ka sjellë që njerëzit, në shumë raste edhe më të shkolluar e më të aftë se sa vetë drejtuesi, të vihen nën presion thjesht për ushtrim lidershipi nga liderë në tentativë, të humbasin respektin e të punojnë për inerci, me shpresën për diçka më të mirë nesër, pa asnjë dëshirë për të vënë rrënjë. Si në shumë fusha, drejtuesit e aftë dhe të drejtë, janë të thjeshtë, të rreptë, por të njerëzishëm. Sepse ashtu si është vetë jeta, një ditë, mund të ndodhë të rikthehet cikli, e të zbresin shkallë përsëri. E sigurisht, ajo që kanë mbjellë, do t’u kthehet përsëri.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: