MANUALI I PËRDORIMIT TË PROPAGANDËS – OPINION NGA SONILA MEÇO

MANUALI I PËRDORIMIT TË PROPAGANDËS – OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga Sonila Meço

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

“Sa me fat janë qeveritë që administrojnë njerëz që nuk mendojnë!”  Shprehja i atribuohet liderit famëkeq nazist, por e nxjerrë jashtë kontekstit të kohës në të cilën është pohuar dhe zhvendosur, në ditët e sotme, ngjan me një nga rregullat e pushtetit me çdo kusht, e liderëve të rinj autoritarist, e politikës së cilës i shërbehet e nuk shërben.

Atëherë kishte radio, sot ka televizion e rrjete sociale. Me logjikë shumëfishimi i mjeteve të informimit, duhet ta bënte propagandën të vështirë për t’i mbijetuar të vërtetës. Por ja ku jemi, në Shqipërinë e 2017-ës, dhe altoparlantët e dikurshëm që kumtonin në çdo vend lajmet sipas parimeve të Goebbles, tashmë janë zëvendësuar me logo të personalizuara, media të kapura, analistë me bordero në zyra qeveritare dhe portale të mirëpaguar.

Rregullat dhe parimet e propagandës në vite, janë po ato, sepse edhe psikika njerëzore, instinkti dhe emocionet, sado të evoluojnë me hapjen ndaj botës dhe informacionit, gjenerohen po nga i njëjti sistem i funksionimit të trupit e trurit njerëzor.

Çfarë nuk na falet, nuk është sofistikimi i vijueshëm i propagandës, por paaftësia jonë si publik, për ta zbërthyer, kuptuar, për të hyrë me vullnet të lirë në një proces të përmbysur besimi e dyshimi, ku gënjeshtra kalon pa u verifikuar dhe e vërteta sorollatet mes qindra mekanizmash, për ta bërë copë. Ndaj, ka shumë rëndësi të kuptohet nga publiku si funksionon kjo propagandë, cilat janë parimet bazë të saj, ku e si duhet sfiduar, jo për të rrëzuar një kauzë, por një mjet që dita-ditës po ndërhyn në mënyrën tonë  të të menduarit, gjykuarit, logjikuarit  e vendimmarrjes.

Shqipëria pasqyrohet sot, në programe televizive ndërkombëtare, si vendi i  mbjelljes dhe trafikimit të kanabisit, -  biznes miliardash i cili kontrollohet nga mafia shqiptare. Varfëria, mungesa e një sistemi të fortë drejtësie, korrupsioni  dhe papërgjegjshmëria e zyrtarëve të lartë, e kanë shndërruar vendin në lajmin e parë të edicioneve informative për sasinë e drogës së kapur, kriminelëve të arrestuar e strukturimit të lartë të organizatave që janë forcuar tashmë në gjithë Europën, duke financuar edhe trafikun e drogave të forta. Kështu shkruajnë media prestigjioze ndërkombëtare, kështu pohojnë gazetarë në reportazhet e tyre dhe ne shohim vendin tonë me sytë e tyre, duke pyetur: Po ku i patëm gjer më sot tanët, xhanëm?

Përgjigja është e thjeshtë, të zgurdulluar prej propagandës. Viktima e parë, në kohë të vështira, është e vërteta. Duke pasqyruar ankthin e kohës, propaganda prodhohet në një normë të paparashikueshme. Kryeministri ka mbërritur në kulmin e mohimit të realitetit. Ngjan se na thotë: “Besoj gjithçka përpos fakteve”. Për të, nëse popullin e privon nga iluzionet, i rrëmben edhe shpresën e fundit. Ndaj, ta bombardojmë me programe me gënjeshtra. Propaganda zë më shumë vend në ndjenjat primitive të masave të gjera. Kryeministri u përsërit se,  problemet nuk janë ekonomike, por politike, e si të tilla mund të adresohen vetëm me shtet të fortë.  Shtet që mund ta ndërtojë vetëm ai, edhe pse qeverinë e drejton prej 2013-ës, dhe rekordi i tij është shndërrimi i vendit në kryeqytetin europian të kultivimit të kanabisit. Gjë të cilin, kryeministri e pranoi vetëm pak kohë më parë. Sepse deri atëherë, propaganda e tij na kish bindur për të kundërtën.

Përpjekja për ta sofistikuar propagandën bëhet edhe më e dukshme, duke përmendur disa nga rregullat e propagandës së suksesshme. Nëse e shohim si manual përdorimi, ja disa prej parimeve kryesore:  shmangia e diskutimit të çështjeve, pavarësisht fakteve dhe të dhënave të disponueshme, duke i cilësuar akuzuesit si zhurmues me akuza të pabaza. Dhe kjo funksionon mirë në kushtet e medias së kapur e gojëmbyllur, sepse e vetmja mënyrë që publiku mund të mësojë faktet, është nëpërmjet përgjigjeve ndaj zhurmës. Kjo u ndodhi të gjithë atyre policëve, punonjës të agjencive ligjzbatuese që tentuan të zbulojnë të vërtetën e trafikut të drogës në Shqipëri.  Konferenca madhështore me policë që mbushnin sallat mijëravendëshe, falënderime në shqip e anglisht për punën e palodhshme për garantimin e sigurisë, anatemimin e fortë të makinerisë së baltosjes dhe akuzuesve të padenjë. U arrit deri në shkarkimin e një ministri, që guxoi të artikulojë nevojën e përfshirjes së ushtrisë në luftë kundër kultivimit të hashashit dhe zgjerimit të shfrenuar të parcelave të mbjella. Dhe paralelisht me paralajmërimet, një ingranazh i madh sa ai që lëvizte fijet e drogës në këtë vend, punonte natë e ditë, edhe me komunikimin javor të së dielës, për të mos ndërprerë për asnjë çast, propagandën. Edhe kur antimafia italiane kaloi në veprime konkrete me dosje konkrete, raportet ndërkombëtare u shumëfishuan, edhe kur tonelatat e drogës (se kuintalët janë harruar me kohë), parkoheshin në brigjet e fqinjëve, edhe kur diskutohej seriozisht pas verifikimesh të shumta në terren, mundësia e një propozimi në parlamentin hollandez për rivendosjen e sistemit të vizave, propaganda arriti nivelin maksimal, duke shmangur reflektimin e një kryeministri për çfarë i ka kaluar e i kalon nën hundë.

Po të kërkosh sërish në manualin e përdorimit të propagandës, që ka funksionuar edhe 60 vjet më parë, do të ndeshësh edhe këtë: Gjetja apo krijimi i një elementi në argumentin e kundërshtarit, të cilin mund ta sulmosh fort, për të ngjarë i mirë e i drejtë, ndërsa kundërshtari i keq. Qëndroi këtij elementi, duke sajuar edhe çështje që lidhen me të. Mund të fabrikohen kundër akuza mjaftueshëm, që të largojnë vëmendjen nga problemi i vërtetë.  Sa herë kemi dëgjuar kryeministrin a dishepuj të tij të pyetur mbi situatën në vend të prodhimit e trafikut të drogës, të kundërpërgjigjen me akuzat për qeverinë e shkuar, për skandale të qeverisë së mëparshme, për adresime ngjarjesh që vetë shumica aktuale ka patur në dorë t’u hapë procese e t’i dënojë, por nuk e ka bërë. Vrasjet në bulevard, abuzimet me rrugën e kombit, aktet e korrupsionit, faturat e lobimeve etj., etj. Dhe kështu vëmendja zhvendoset nga kjo gjëmë që i ka rënë Shqipërisë nën këtë qeverisje, në “gjëma” të qeverive të kaluara, në momente të dobëta të së shkuarës, për të cilën kjo opozitë është dënuar të qëndrojë larg pushtetit për tetë vjet.

Po le të shfletojmë manualin, për të kuptuar si e përdor propagandën pushteti. Një nga rregullat më të rëndësishme të një propagande të suksesshme, është ajo e thjeshtëzimit: t’i reduktosh të gjitha të dhënat, në një përballje mes të mirës dhe të keqes, mes miqve e armiqve. Ta diskreditosh opozitën me shpifje e parodi. Dhe për të lëvizur me marshin më të lartë me makinën e propagandës, u kalua vërtetë në këtë nivel, ndërtimin e një armiku imagjinar, pagëzuar me emrin “fronti i së keqes”. Të gjithë bashkë, kombëtarë e ndërkombëtarë, media dhe opozitë, për të relativizuar çfarë ka plasur në mes të ditës për diell.

Por manuali ka edhe të tjera forma të suksesshme të zbatimit të propagandës në emër të fshehjes së të vërtetës: shpik një të vërtetë të re, krijo ekspertët e tu, analistë, gazetarë që ndikojnë në publik, duke vendosur të dhëna të reja në bazë të studimeve e investigimeve të tyre. Kryeministri arriti të pohojë se, kjo situatë e kultivimit të drogës në vend, është trashëguar nga pushteti i kaluar në këtë përmasë dhe se tani bie më shumë në sy, se luftohet më tepër?! As avionët e denoncuar nga opozita, që ranë e bënë hatanë nëpër pistat e ndërtuara me kujdes, nuk u pranuan nga kryeministri. Kur ndërkombëtarët heshtnin (dhe nuk u kërkojmë dot llogari për këtë, nuk paguhen nga taksat tona), në mes të kuvendimit publik do të vlonte një kazan gjigant, brenda të cilit do të vërvitej çdo lajm, çdo fakt, çdo e dhënë e aludim mediatik. Për t’u lënë jashtë tij, vetëm deklaratat e vulosura në zyrat e PR-it pranë kryeministrisë. Tashmë, media është pushtuar nga editorialistët apo analistët që trajtojnë opinionet e tyre të pabazuara, si fakte të pakundërshtueshme. Për ta e vërteta është subjektive dhe e hapur për interpretim personal. Informacioni citohet nga burime pa emër, të pakonfirmuara, nga burime që kanë qëndrime të njëanshme, apo ekspertë që mbrojnë axhenda të caktuara, me referenca që në kohën e turkut. Gjithçka për të çmontuar vëmendjen nga e vërteta. Që të përforcohet beteja propagandistike synohet heshtja e kritikëve, largimi i kundërshtarëve nga qarkullimi, nëpërmjet largimit nga puna, shantazhit, intimidimit e kërcënimit. Sa e sa gazetarë race, janë sot jashtë medias tradicionale, të pushuar nga puna, të censuruar? Sa prej tyre janë të detyruar të punojnë në portale me paga qesharake e pa mjete të domosdoshme pune?

Por zyra e marrëdhënieve me publikun në kryeministri, ngjan se ka përvetësuar me shumë efikasitet edhe Taktikat e Alinskit, një Machiavelli modern, relativist morali që përdor një logjikë të tillë: prodho disa gënjeshtra për të fituar mbi të tjera. Kjo përdoret kryesisht nga elitat e sistemit. Sipas tij, pushteti nuk është sa realisht ke, por aq sa kundërshtarët mendojnë se ke. Me këtë formë, beteja për të kundërshtuar pushtetin bëhet e panevojshme, sepse në publik krijohet përshtypja se ky pushtet është i pathyeshëm, se ka shumë mënyra për të qëndruar dhe se çdo protestë a lëvizje popullore, do qe e panevojshme. Kjo çon në apati. Të gjithëve na ka ndodhur të paktën një herë, të pohojmë se ky pushtet i ka rrënjët e thella, se erdhi djali i akshit dhe nipi i fistekut, që mban balancën e poleve në planetin tokë dhe i garantoi paprekshmërinë. Lajme të prodhuara me taktikat e Alinskit, vetëm për të bindur njerëzit me ca gënjeshtra të përpunuara, se ky pushtet nuk bie kurrë, i ka rrënjët thellë e ushqehet nga damarë të fuqishëm lobimesh ndërkombëtare. A thua se ne jemi qendra e botës (në fakt e prodhimit të kanabisit jemi, por edhe e përdorimit të kokainës për frymë).

Ka edhe rregulla të tjera sekondare, manuali i përdorimit të propagandës: Sa më shumë kohë kalon nga argumenti, ngjarja dhe skandali, pra, sa më i vjetër të ngjajë lajmi, aq më pa rëndësi duket. Andaj, zgjatja e tejzgjatja pa argumente të reja, bën që çështja të humbasë rëndësi. Dhe ka ndodhur jo pak herë me përdorimin e mediave, duke i lënë në hije shumë skandale, për t’i zëvendësuar me të tjera të natyrës rozë apo showbizi.

Mandej, kalojmë tek risitë teknologjike në pjesën e manualit të përdorimit të propagandës: trillet e internetit, ose postime të paguara, kryesisht nga qeveria e pushteti. Mjafton të bëhen komente të forta, për të frustruar apo çorientuar publikun. Sa e sa herë gjen analiza që të çorientojnë drejt një skeme të gënjeshtërt, por ndërtuar me aq mjeshtëri, sa të nisë të krijojë dyshim tek publiku. P.sh., çështja të cilën po trajtoj, ajo e mbjelljes dhe kultivimit të kanabisit, shihet si një lojë e ndërkombëtarëve për të përshpejtuar reformën në drejtësi?! D.m.th., qeveria nuk ka asnjë faj, është një viktimë e shërbimeve inteligjente, strategjive të Brukselit e Washingtonit, forca madhore që as lideri rajonal nuk i përballon dot.

Shpesh, dikush i paguar nga pushteti shkruan si mbështetës i së vërtetës, por duke përdorur fjalë fyese, argument denigrues e duke dobësuar në këtë mënyrë, kauzën. Dallohen shpejt në komente mercenarët, sepse përdorin të njëjtat fraza, akuza, argumente.

E vendosur në një pozicion jo të favorshëm, sulmuar sa nga pushteti, aq edhe nga publiku, media rreket të mbijetojë si biznes, por edhe si rojtare e punës së qeverisë. Pa një model biznesi, e kapur nga interesa klienteliste, e zhytur në borxhet e pronarëve, në shumë raste e ka hak përçmimin e publikut. Por nuk është e gjitha kështu. Assesi. Atëherë hyn menjëherë në lojë propaganda, duke vendosur një tjetër rregull të artë për të: shkatërrimi i besueshmërisë së medias, për të dekurajuar kritikën. Një nga hapat e parë që një lider tipik autokratik, merr për të çimentuar pozitën e tij në pushtet, është trembja dhe kontrolli i medias. Pasi e kontrolloi përmes bizneseve, tenderëve e borxheve, kryeministri i dha një shkelm të dytë, e pagëzoi kazan. Mandej edhe një të tretë, duke deklaruar se unë nuk kam nevojë për media, pasi jam vetë media. Dhe në fakt, panoramës mediatike në vend, iu shtua një logo e shumë klikuar me nistoret e emrit të tij ERTV. Dhe kryeministri ia arriti ta konceptonte  shtypin si një tastierë gjigante, ku mundi të luajë si e sa deshi.

Goebbels, ministri i famshëm i propagandës së kohës më të egër të saj, me doktoraturë në letërsi dhe psikologji (që fatkeqësisht frymëzon ende në zyra PR-i pushteti), dikur pohonte: media e vërtetë është propaganda. Propagandë do të thotë të luftosh në çdo fushëbetejë të shpirtit, duke prodhuar, shumëfishuar, shkatërruar, shfarosur, ndërtuar e zhbërë.

Sot, propaganda e zgjedh argumentin të fortë, të ashpër, duke i apeluar emocioneve dhe instinkteve. Sepse për pushtetin e sotëm, e vërteta është e parëndësishme, tërësisht nën pushtetin e taktikës dhe psikologjisë. Kur kryeministri përshtati logjikën se, një gënjeshtër e thënë mjaftueshëm nis e besohet, madje edhe nga vetë ai që e prodhon, ndoshta ka hyrë vetë në këtë fazë. Ndoshta ende nuk e beson në ç’pikë është katandisur Shqipëria.

Një dramaturg do t’i kujtojë gjithnjë atyre që përdorin propagandën si mënyrë për të mbajtur me çdo kusht pushtetin, se ajo është si armë e lehtë, mbaje për shumë kohë në dorë e do të lëvizë si një gjarpër nëpër duar, duke të dalë jashtë kontrolli e duke goditur në anën e kundërt të shënjestrës. Duhet uruar kjo në kohën kur gazetarët të perceptuar si ndërmjetës  tashmë jo të besueshëm, mes politikës dhe publikut, falë edhe lidhjeve të forta të pronarëve me lobet e pushtetit, nuk e kanë opsion as bojkotimin e propagandës së egër që tashmë ka edhe logon e saj, e nuk bën përpjekje të kamuflohet.

Por psikika njerëzore frymon në ajrin e së vërtetës. Pa të nuk mbijetojmë dot, pa të pësojmë kolaps, duke u privuar nga mbështetja intelektuale dhe emocionale. Keqinformimi kërcënon mënyrën si shohim botën, si hyjmë në marrëdhënie me njëri-tjetrin, si funksionojmë, na bën të kemi frikë, të keqkuptohemi, të dyshojmë, duke shkuar deri në vetëshkatërrim. Ndaj, mos i dilni kundër ajrit që thithni, duke e mbushur me dyshimet mbi të vërtetën dhe besimin e verbër të mashtrimit! Ky manual shërben për të zgjidhur edhe këtë kontradiktë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: