“ANTENA JASHTË FAMILJES”: "Media e Kazanit" në Zvicër, keqlajmëroi njerëzit

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: "Media e Kazanit" në Zvicër, keqlajmëroi njerëzit
"Antena Jashtë Familjes" sjell sot, një potpuri ngjarjesh. E hapim potpurinë tonë, me një lajm të mirë, ardhur nga një vend që nuk i kanë rënë poturet.

Zvicra po kërkon familje të tëra emigrantësh...

Saktësisht, bëhet llaf për një fshat të këtij shteti. Sipas medias zvicerane, banorët e këtij fshati të vogël, që mos të shuhet, kanë menduar të marrin qytetarë nga vende të ndryshme, e t'i bëjnë fshatarë.

Ajo që na bëri përshtypje në këtë histori është se, media ka thënë që çdo familje që shpërngulet në këtë fshat, do të përfitojë rreth 60 e ca mijë euro, apo 9 milionë lekë, kuptohet të reja, nga komuna.

Mirëpo, më vonë, doli ai kryekomunari i këtij fshati për të cilin po llafosim, e tha që këto janë veç zëra mediatikë, pasi një vendim i tillë, nuk është marrë me referendum nga banorët. Siç dihet, zviceranët kanë një traditë që për çdo vendim, harxhojnë qindra mijëra franga e bëjnë referendum. Me sa kemi marrë vesh ne si redaksi, në një fshat p.sh., do bëhet referendum për të larguar apo jo një kaposh, që sillet keq e këndon orë e pa orë.

Lum zviceranët që votojnë përherë. Kushedi sa thasë me miell marrin...

Gjithsesi, ne s'kemi punë me miellin e zviceranit. Jo më kot e sollëm këtë histori. Kjo tregon se në këtë dynja, ka fshatra që të japin lekë të shkosh, e të jetosh.

Nuk i kuptojmë të tilla fshatra, më tha një kolege e jona prej Veriut të vendit.

Në fshatin tonë, dikush që sapo ka mjelë dhinë, jep lekë për të ikur direkt e në Angli, për të mjelë shtetin që i jep ndihma. Këta fshatarët e Zvicrës, japin lekë për të marrë.

E tillë është kjo botë. Mjel, e jep, e merr...!

Gjithsesi, ne nuk e dhamë këtë lajm që dikush të lërë atdheun e të niset për në këtë fshat.

E dhamë sepse, siç e lexuat edhe atje, "Media e Kazanit" kishte hapur llafe, se gjasme do merrnin shpërblim ata që shkojnë e jetojnë në fshatin e thellë.

Përhapin lajme të rreme, apo siç i themi në gazetari "dizinformata" të tilla. Ndërkohë që, shpërblim nuk po marrin ata fshatarë në fushat tona, që janë zhytur deri në ujë, jo më të marrim disa, që shkojnë e jetojnë në një fshat në male.

Shpresojmë që Kryeministri i Zvicrës, të dalë e ta bëjë për një lek, median e kazanit, që hap llafe për shpërblim, pa bërë referendumin akoma fshatarët, për të pritur emigrantët.

E meqë ra llafi të emigracioni, duam të ndajmë me ju një lajm që na erdhi nga Londra, para disa ditësh. Një grup të rinjsh, me origjinë sigurisht shqiptare, ishin grindur me thika, në Ditën e Pavarësisë. Ne, si redaksi, arritëm të mësonim se, arsyeja e grindjes, ishte Dita e Çlirimit.

Një grup emigrantësh mendonte se kjo ditë duhet festuar në datë 28 nëntor, e grupi tjetër i shqiptarëve, ishte për festime në datën 29.

Gjatë debatit, pati disa llafe turpi, si ato që thuhen këtu në Kuvend. Kjo ka nxehur gjakun shqiptar, e ka plasur keq sherri. Sigurisht, pasi dihet që, populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë. Në mungesë të shpatave, u përdor thika. Ama, shkencërisht, si shpata edhe thika i përkasin të njëjtës familje, asaj tehprerëse. Pra, emigrantët megjithëse e kanë patur të pamundur të përdornin shpata, kanë nxjerrë thikat, pa tradhtuar traditën tonë.

Nëse sherri do të vazhdonte edhe për pak çaste, kolegu ynë në Londër, gazetari Muhabet Beliu na tha se, shqiptarët do ju lëshoheshin muzeve përreth, e do merrnin prej tyre, çdo shpatë që do gjenin. Sun i tradhtojmë traditat neve, i kishte thënë njëri prej tyre, Muhabetit.

Ne jemi të bindur se, herë tjetër, për nder të festave tona, emigrantët do mund të gjejnë le të themi, edhe kuaj. T'ia u rrëmbejnë rojeve që bëjnë xhiro nëpër rrugë, e të dyluftojnë siç na ka hije neve. Për t'i treguar londinezëve, e  turistëve të shumtë në atë vend, që shqiptari nuk e ka ndarë kurrë armën. Lufta na ka mbajtur gjallë.

Jo vetëm ne shqiptarët zihemi për Ditën e Çlirimit. Siç e ka shkruajtur edhe studiuesi ynë, Auron Tare, edhe britanikët që ishin në Shqipëri gjatë Luftës, janë ndarë në dy shoqata dhe e festojnë në ditë të ndryshme Çlirimin tonë. Ata nuk grindem si ne, jo se nuk kanë marrë nga zakonet tona gjatë qëndrimit të tyre këtu, por si lë mosha ta bëjnë këtë gjë. Sa ujëra kanë rrjedhur që nga ajo luftë e tyre...!

E meqë ra llafi te uji. Shyqyr që ra shi e turbulloi ujin tonë, se do linim koqen e namit te fqinjët tanë përtej deteve, Adriatik dhe Jon.

E kemi llafin për idenë dhe pllanin që kishte një drejtues i një rajoni nga Puglia e Italisë, që donte të merrte ujin nga vendi ynë, nëpërmjet tubacionit që do shtrihej nën det.

Ai takoi edhe shokun Edi Rama për këtë gjë, që i tha se i ka vdekur mami këtij muhabeti, e do bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Shyqyr që nuk e ndërtoi pala jonë pjesën e saj, deri te "ujërat ndërkombëtare", se vërtet do turpëroheshim te italiano-jugorët.

Do ju çonim ujë të turbullt, çdo herë kur të binte shi. Apo bie edhe pak këtu te ne. Prishi filtrat e Bovillës. Taksirat që do bëhet tender për filtra shtesë.

Do turpëronim edhe punonjëset shqiptare që shërbejnë te familjet italiane.

Imagjinoni, do i thoshte një grua e moshuar italiane, punonjëses shqiptare, p.sh.,: Më mbush një gotë ujë rubineti, nga ai që na vjen nga Shqipëria, të lutem!...

Shpërndajeni me miqtë tuaj: