Moti i keq/ Probleme në Lezhë dhe aksin Mamurras-Fushë Krujë, Vlora dhe Durrësi pezullojnë lundrimet

Moti i keq/ Probleme në Lezhë dhe aksin Mamurras-Fushë Krujë, Vlora dhe Durrësi pezullojnë lundrimet
Gjatë gjithë ditës së sotme vendi është përfshirë nga reshje të dendura të shiut që kanë krijuar probleme në disa qytete.

Në qarkun e Lezhës shiu ka vërshuar nëpër rrugët e qytetit duke dëmtuar biznese e përmbytur lokale dhe dyqane.

Kjo problematikë vjen si pasojë e bllokimi të kanalizimeve.

Gjithashtu probleme janë vënë re edhe në lagjen “11 Janari” dhe “Besëlidhja”. Vështirësi janë krijuar edhe për këmbësorët për shkak se uji ka arritur deri në 20 centimetra, duke i bërë rrugët të pakalueshme.

Ndërkohë shirat e dendur kanë shkaktuar probleme edhe në aksin rrugor Mamurras-Fushë Krujë teksa mjetet janë bllokuar në rrugë duke pritur normalizimin e situatës.

Dalja e përrenjve mbi rrugën nacionale ka sjellë edhe inerte që kanë bllokuar kalimin e lirë të automjeteve.

Nga ana tjetër kapitaneria e Durrësit dhe ajo e Vlorës kanë njoftuar pezullimin e lundrimit.

Porti i Durrësit ka penguar që ditën e djeshme lundrimin të anijeve tregtare të tonazhit të ulet dhe mesëm si dhe për anijet e peshkimit.

Në portin e Vlorës janë pezulluar lundrimet për anijet e peshkimit si pasojë e detit që ka arritur në 5 ballë.

Kapiteneria ka urdhëruar të gjitha anijet e peshkimit të ankorohen në vendstrehime të sigurta. Trageti Brindisi-Vlorë është nisur me vonesë dhe pritet të ankorohet rreth orës 14:00.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: