Myfarete Laze: Festa e kangës asht festë e shpirtit!

Myfarete Laze: Festa e kangës asht festë e shpirtit!
Myfarete Laze është një nga zërat më mbresëlënës të festivaleve shqiptare, por në këtë fundvit, erdhi edhe me një tjetër çmim të rëndësishëm në karrierën e saj të gjatë, këtë herë atë ia dhuroi vendlindja e saj, Shkodra. Në edicionin e tij të dytë në Shkodër, ka vezulluar këtë nëntor, festivali i këngës qytetare shkodrane “Lule borë”, i cili i riktheu këtij qyteti me tradita, buzëqeshjen dhe traditën, pas gati tri dekadave, nga koha kur ky festivali lindi. Krijimet e këtij festivali janë autentike, janë stilizime autorësh, por mbi bazat e palëkundura të muzikës qytetare e popullore të këtij qyteti djep i kulturës.

Shkodra dhuroi muzikë dhe këngë të bukura në festivalin “Lule borë”, me artistët e saj krijues, poetë dhe muzikantë, që shkëlqyen me krijimtarinë e tyre brilante dhe me interpretimin virtuoz të këngëtarëve. Ky festival i dedikohej këngës qytetare shkodrane, - një prej traditave më të vyera të pasurisë tonë shpirtërore. Ai nuk ishte vetëm një aktivitet periferik, ku artistët më në zë të këtij qyteti dhe muzikës shqiptare në përgjithësi, arritën të sjellin historinë dhe të guxojnë në sprova. Kjo përvojë që vjen në edicionin e saj të dytë, pas një mungese 27-vjeçare, bëri të mundur të gjallojë një magji e kahershme e muzikës dhe të kultivohet në një taban gjithnjë kërcënues, ajo trashëgimi që mbetet guri më i shndritshëm në gjerdanin e muzikës popullore shqiptare.

Myfarete Laze, personazh aq i dashur për publikun shqiptar, me një zë të jashtëzakonshëm, me timbër dhe vibrato jo tipike e të dëgjuar në ato vite, hyri në zemrën e publikut, duke marrë shumë çmime e duke interpretuar këngë që ende janë hit. Dikur, një arsimtare e gjuhës dhe letërsisë, sot ajo punon pranë Drejtorisë së Burgjeve, ku përmes artit, lufton të lehtësojë e zbukurojë jetën e grave dhe vajzave të dënuara. Një grua shumëdimensionale, që rrëfen ekskluzivisht për Albanian Free Press, emocionet e veçanta që përjetoi pas nderimit me këtë çmim të parë nga skena e teatrit, ku nisi udhën drejt këngës dhe muzikës.

 Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 Ju u shpallët fituese e festivalit "Lule borë" në qytetin tuaj. Si e përjetuat këtë çmim?

Ky çmim erdhi si një dhuratë tepër e shtrenjtë për mua, mes shumë emocionesh. Arsyeja kryesore është se, tani Myfaretja është mjaft e pjekur artistikisht. Sigurisht që, gjatë karrierës, kam sjellë edhe më shumë çmime, e kjo në konkurrime; vetëm gjatë këtyre dy viteve, mund të veçoj titullin “Mjeshtre e Madhe” marrë nga Presidenti i Republikës, titullin “Ambasadore e Paqes” ku jam nderuar me Exelencë, pas një suksesi të mrekullueshëm ku jam mirëpritur nga publiku i kryeqytetit në aktivitetin “Ledy Rrok” etj. Por emocionet pas këtij çmimi të parë, ishin më të veçantat, sepse konkurroja në Shkodër, me këngëtarë të rinj, por edhe me tre breza këngëtarësh fitues në festivale mbarëkombëtare, më një karrierë të pasur. Po këndoja në qytetin e lindjes, aty ku të gjithë këndojnë bukur. Pra, erdha në Shkodër, me gjithçka që i dhurova ndër vite dhe mora çmimin me autoritetin dhe artin tim. Kuptohet që ishte edhe meritë e kompozimit nga Edmond Zhulali, vargjeve nga Agim Doçi. Isha shumë e sigurt brenda vetes se do të fitoja. Janë artistë, mjeshtra, të cilët të falin siguri dhe sukses.

Si lindi bashkëpunimi mbi këngën fituese dhe si u prit nga publiku?

Kujtoj shumë bashkëpunime me Edmond Zhulalin dhe Agim Doçin. Edmondi ka studiuar në shkollën e muzikës, “Prenk Jakova”, në Shkodër. Njeh mirë qytetin, kulturën, jaren, asht rrit në aktivitete të shumta, mes artistëve shkodranë. Në fushën e këngës popullore, ky i fundit asht bashkëpunimi i pestë e në muzikën e lehtë, shumë ma shumë. Kjo këngë erdhi fill pas këngës “Jare Shkodrane”, - tashma hymn për qytetin tim, e vlerësuar mjaft mirë nga kritika, vlerësuar në të gjitha veprimtaritë e këngës popullore. Publiku këngën e priti me duartrokitje, nga fillimi në fund të interpretimit, në të dy netët e festivalit dhe nuk më linte të ikja nga skena. Ishte emocioni më i madh për mua!

Ju vetë keni studiuar muzikë që në arsimin e mesëm, në vendlindje, në Shkodër...

Shkolla e mesme “Prenk Jakova”, ku unë studiova për kanto, ishte një shkollë ku hyje me konkurs; pra, duhet të fitoje. Ka qenë kohë shumë vendimtare dhe formuese për të ardhmen time. Imagjinoni, në diplomë kam kënduar arie të njohura, “Kastadivën”, arien e “Madame Butterfly”, romancat shqiptare. Kanto lirike ka qenë pasioni im; kam qenë soprano dramatike mjaft e talentuar, - siç thoshin pedagogët.

Sa rol në këtë fat, ka luajtur vendlindja, Shkodra?

Rol madhor. Aty këndohej përditë dhe kudo. Kishte disa komplekse muzikore, këndohej kënga popullore qytetare, muzika e lehtë apo jazz. Kishte kompleks muzikor në “Kafe të Madhe”, kishte në lulishte, kudo. Këndohej në verë e në dimër. Shkodra kishte qytetari krejt tjetër. Kishte formacione muzikore me violinë, saksofon, fizarmonikë, oboi, klarinetë. Shkodra vlonte nga jeta artistike. Mos harroni se unë shkova në festival, por shkova nga Shkodra, ku kisha marrë një formim muzikor. Çdo gradë shkollimi që s’ma dha Tirana, ma dha Shkodra. Në shkollë të mesme, hyra me një muaj vonesë, se nuk më pranonin. Më pas, Tirana nuk më dha konservatorin, por Shkodra më dha bursën për Gjuhë–Letërsi, edhe me dy muaj vonesë. Pra, Shkodra e ka mbështetur gjithmonë bijën e vet.

Kam pasur fat, sepse njerëzit që drejtonin kulturën, pavarësisht sistemit të egër, kishin qytetari. Në Shkodër, ishin gati të gjithë me biografi të keqe. Por kishte tjetër frymë. Nuk thuhej në Shkodër, njerëz me biografi të keqe, por thuhej, “zotnitë që nuk i do Enveri”.

U afrove me festivalin e këngës në një periudhë të artë. Si kanë qenë marrëdhëniet me koleget?

U rrita në Shkodër. Shkodra të rrit pa komplekse. U rrita me fioriturat e bukura të Big Ndojës, të Florinda Gjergjit, të Xhodë Hafizit, të Valdete Hoxhës, Ibrahim Tukiçi, por edhe mes këngëtarësh të mrekullueshëm si, Bashkim Alibali, Frederik Ndoci, Eduard Jubani, Violeta Zefi, Mukadez Canga, Shpresa Rranxa, - ishte një plejadë këngëtarësh të muzikës së lehtë.

E kam nisur që në kopsht këngën. Në klasë të tretë fillore, kam marrë çmim të parë në festivalin e këngës për fëmijë. 13 vjeç, përsëri një çmim të parë me një këngë të Zef Çobës në festivalin e Këngës Qytetare Shkodrane. Nuk i jam ndarë kurrë botës së çmimeve dhe këngës. Në festival të RTSH-së nuk isha e rastësishme. Por që të këndoja me Vaçe Zelën, nuk ma kishte marrë mendja kurrë.

Është fat i madh kur punon me partnerë të mrekullueshëm, kur punon me kompozitorët dhe poetët më të mirë! Kur këndon me Gaqo Çakon, Ema Qazimin, Tonin Tërshanën, Irma Libohovën, Luan Zhegun do të thotë se ke qenë siç e quajmë në Shkodër, “piazza”.

Formimin muzikor ma dha Shkodra. Në Tiranë ishte ndryshe. Ishin kolosët e muzikës që na konsideronin një nivel më poshtë, pavarësisht se nuk vinim nga hiçi. Nuk këndonte Vaçe Zela me këdo, ajo zgjidhte. Mua nuk pati kohë të më zgjidhte, se më zgjodhi Agim Prodani dhe ajo më pa vetëm në provë. Por faleminderit, Vaçes! Ajo e njohu talentin dhe më vlerësoi!

Shkodra u ndje më e gjallëruar nga ky festival?

 Pa dyshim që po. Festa e këngës asht festë e shpirtit, për këdo që i thotë vedit qytetar shkodran!

Festivali "Lule borë" u rikthye pas gati tri dekadash. Çfarë mendoni se i shton ai jetës artistike shqiptare?

Rikthimi i festivalit “Lule borë”, është vazhdimësi e traditës. Ne, si qytet, trashëgojmë rreth 250 këngë popullore, në mesin e të cilave 150 janë për lulet. Fakt ky që mendoj se tregon mjaft për qytetarinë dhe kulturën e kësaj treve. Mendoj se, ky festival do të krijojë edhe 250 këngë popullore të tjera, që i kushtohen këtij qyteti, të cilat do të mbeten në historikun e kangës pas viteve 2000.

Mendoni se u pasqyrua sa duhet ky festival mediatikisht?

Në qytetin tonë po, pati jehonë të madhe. Ndërsa mediat në kryeqytet, jo. Nuk kanë kohë, sepse merren me kush u nda, çfarë veshin e nuk veshin vip-at. Vetëm me skupe merren, jo me vlerat që me forcë, sakrifica dhe dashamirësi, i ruan kaq fort ky qytet.

 Ndër shumë mendime, profesionistët e fushës e quajtën si aktivitet me muzikë Bio; jeni e këtij mendimi?

Po, tepër e gjetur kjo thënie. Krijuesit, poetët, kompozitorët, këngëtarët, në punën e tyre tepër të kujdesshme, me rujt këngën e traditës, kanë ditur të sjellin muzikë të stilizuar, por gjithmonë me bulëzat e Shkodrës. Tekstet poetike janë me tematikë dashurie, por dashuri për qytetin, vlerat. Pa modesti, them se janë shpirti shkodran për Shkodrën.

Pse mendoni se Shkodra i jep kaq shumë artistë kulturës?

Kultura, kanga, libri, piktura, fotografia, sportet janë shpirti i këtij qyteti. Ju e ndjeni vetë kur vini këtu, por edhe kur shikoni çdo aktivitet muzikor ose sportiv, çdo konkurrim ka shumë shkodranë. Deri tani, tre artistë shkodranë na kanë përfaqësuar në Eurosong. Më thuaj një aktivitet ku 60%, s’janë shkodranë. Ha ha ha...

 Keni fituar dhjetëra çmime në karrierën tuaj. Ky i fundit. çfarë vendi zë?

U gëzova shumë për çmimin! Në qytetin tim, pikërisht në festivalin e këngës popullore, kohë më parë, kam marrë çmim të parë me Zef Çobën; 4 çmime të dyta dhe të treta; më pas u nisa për konkurrim në festivalin e RTSH-së. Pra, u përgatita dhe arrita fitore edhe në rang kombëtar, por djepi im si artiste, ishte në Shkodër. Në festivalin e 19-të të RTSH-së, fitova çmim të parë e të tretë; kështu nisi rruga ime e gjatë si artiste. E ja ku rikthehem në qytetin tim të dashur, shumë më e pjekur, e qyteti im më vlerëson me çmim. Unë mbetem stoike në kërkesat e mia mbi cilësinë e këngës e muzikës, mbetem besnike ndaj publikut tim, vlerave të vërteta dhe këtë, qyteti im i zemrës, ma shpërbleu me pastërti qytetare!

Dua të shpreh falënderime, për të gjithë orkestrantët, dirigjentin, Jetmir Barbullushi, udhëheqësin artistik, Markelian Kapedani, i cili zgjodhi 22 këngët më të bukura, që i dhanë sukses këtij festivali. Përgëzime edhe bashkisë së qytetit, për përkushtimin për t’i kthyer Shkodrës, traditën e kangës së bukur popullore dhe qytetare shkodrane.

Si është kjo periudhë festive, për karrierën tuaj?

 Festat për një artiste, janë punë dhe jo pushime. Fundviti punë gjithashtu, por kjo puna jonë, asht mund e kënaqësi bashkë. Ne edhe punojmë, edhe festojmë, sepse është pasioni ynë e asgjë nuk na jep më tepër kënaqësi se kënga.

 I madhi, Aleksandër Lalo, u nda nga jeta. Keni një mendim që mund ta ndani me ne?

 Humbëm një nga ata kompozitorë që, bashkë me baballarët e muzikës shqiptare, krijuan gjithçka që kemi sot në fondin e muzikës e që me fanatizëm, na lanë fizionominë e gjithçkaje që kemi në kulturë. Humbje e madhe për muzikën serioze dhe një kritik me kurajë e sinqeritet! U prehtë në paqe e ngushëllime familjarëve!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: