“Në Shqipëri, e befasuar nga zotërimi i gjuhëve të huaja”

“Në Shqipëri, e befasuar nga zotërimi i gjuhëve të huaja”
INTERVISTA/ Flet Prof. Dr. e Shkencave, Tatyana Dronzina, pedagoge në Universitetin Shtetëror të Sofjes (Bullgari) dhe në disa universitete të tjera në katër kontinente

 Pedagoge në Universitetin Shtetëror të Sofjes në Bullgari, ajo është një dashamirëse e vendit tonë. Prof. Dr. e Shkencave, Tatyana Dronzina, ka pasur shumë studentë shqiptarë në këtë universitetin dhe kjo ka bërë që ajo të ketë një interes të madh kundrejt vendit tonë. Ka ardhur tre herë në Shqipëri dhe për secilën kohë, jep mendimin e saj për zhvillimet kohore. Kështu, teksa në vizitën e parë i bënë përshtypje bunkerët, në të fundit, transformimet e mëdha që ka pësuar vendi ynë. Ndërsa studentët shqiptarë, sipas saj, janë ndër më të preferuarit pasi kanë interes për të marrë dije, por mbi të gjitha, për të mësuar gjuhë të huaja...

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Z. ZHOLI

Znj. Dronzina, para se të vinit për herë të parë vizitë në Shqipëri, a kishit dëgjuar rreth saj dhe çfarë kishit dëgjuar konkretisht?

Para se të vija dhe ta vizitoja vendin tuaj të bukur kisha dëgjuar dhe kisha lexuar rreth tij. Dua të them se njihja figurën e heroit tuaj kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu; edhe sistemin socialist pas vitit1945; marrëdhëniet e Shqipërisë me ish-Jugosllavinë, më pas me ish- Bashkimin Sovjetik dhe më pas me Kinën. Normalisht, kisha dëgjuar edhe për pas pas viteve ‘1990, kur Shqipëria u bë pjesë e ndryshimeve demokratike, si e gjithë Europa Juglindore. Sigurisht, kam dëgjuar shumë edhe për shkrimtarin tuaj të shquar, Ismail Kadare, por edhe për ish-udhëheqësin komunist, Enver Hoxha. Dija që vendi juaj ishte vendi më i izoluar në Europë, ku njerëzit ishin tepër, tepër të kontrolluar. Njëkohësisht, kisha lexuar se ishit një vend i varfër, por me një bukuri natyrore të shkëlqyer.

Kur keni ardhur për herë të parë në Shqipëri dhe çfarë ju ka bërë përshtypje më shumë?

Për herë të parë në Shqipëri kam ardhur në vitin 1994. Për ju ishin vitet e para të demokracisë. Sa kalova traun e postbllokut të doganës shqiptare pashë një vend ndryshe. Një vend i tharë, me pemë të djegura, por më shumë që më bënë përshtypje, ishin shtëpitë e rrënuara. Pra, shtëpi të vjetra 1-katëshe dhe të pasuvatuara. Po ashtu, edhe pallatet nëpër qytete. Pra, çdo gjë ishte e thatë. Rrugët si mos më keq. Kisha ardhur me një makinë të thjeshtë të prodhimit të Gjermanisë Lindore, kartonxhes. U pendova që erdha me të, pasi nga gropat dhe nga rrugët e këqija, ajo mund të shkërmoqej. Në Elbasan qëndruam për të ngrënë bukë. S’dinim ku të drejtoheshim. Rastësisht, gjetëm para një polic. Filluam ta pyesnin në gjuhën angleze. Nuk po na kuptonte. Atëherë e pyetëm me shenja. Ai buzëqeshi dhe na drejtoi në një restorant. Iu lutëm të vinte me ne të hanim, por nuk pranoi. Na bëri shumë përshtypje, pasi sa qëndruam duke ngrënë, ai nuk u largua nga makina. Kur mbaruam, i ofruam disa dollarë. Nuk i mori kurrë, megjithëse ne këmbëngulëm. Pastaj në Tiranë. Pamë rrugë të gjera, por me pak makina. Pamë shumë kioska vend dhe pa vend. Po ashtu, ndërtesa të pasuvatuara. Por ajo që na bëri më shumë përshtypje në Tiranë ka qenë se këdo që pyesnim, na përgjigjej. Shihnim një dëshirë për të na ndihmuar. Madje habiteshim se thuajse të gjithë që pyesnim, na përgjigjeshin anglisht apo italisht. Në Tiranë dinin të gjithë gjuhë të huaj. U befasuam. Për herë të dytë kam ardhur në vitin 2006 dhe së fundmi, në nëntor 2017.

Po e veçanta e vizitës së parë?

Ah, pashë shumë, shumë bunkerë. Që në hyrje dhe deri në Tiranë, pamë bunkerë pafund. Thosha me vete, po ç’i kanë dashur kaq shumë. Mund të bëheshin ndërtesa për popullin gjithë ai hekur dhe beton.

Po ju në Bullgari nuk keni pasur bunkerë?

Mesa kam parë unë, pak shumë, shumë, shumë pak. Edhe ata që ishin, i kishin vendosur në zona të padukshme, jo të dallueshme dhe të maskuar. Janë një harxhim dhe investim i madh i çuar dëm.

Si e gjete Shqipërinë këtë nëntor?

Jam befasuar. Kurrsesi nuk mund ta besoja. Një ndryshim rrënjësor. Pallate të bukur me arkitekturë të veçantë. Pashë shumë rrugë të bukura, por dhe shumë gjëra të sistemuara, shumë qendra, gjëra që në momentin e parë njeriu krijon një përshtypje ku çdo gjë ka marrë formën dhe përmbajtjen urbane të një stili specifik europian. Mendova se nuk jam në Shqipëri. Një ndryshim i pamenduar kurrë. Por ajo që nuk më pëlqeu ishte se rrugët nuk kishin sinjalistikat e nevojshme. Shpeshherë nuk orientoheshim ku shkonim. Kjo edhe në hyrje të Tiranës. Pashë një rritje mirëqenieje, makina luksoze dhe sërish njerëz miqësorë të gatshëm të të ndihmojnë.

Cili qytet ju bëri përshtypje më shumë?

Kruja dhe Durrësi, padyshim dhe Tirana. Kruja ishte një mrekulli. Kalaja madhështore në zemër të qytetit, pazari i Krujës dhe statuja e Skënderbeut më befasuan. Një qytet që ia vlen ta shikosh sa herë vjen. Ajo që nuk më pëlqeu në Krujë ishte ndërtimi i dy pallateve mbi 10 kate që nuk i shkonin këtij qyteti. Ishte prishur ajo simetri dhe arkitekturë e ruajtur në vite. Më erdhi shumë keq. Kruja duhet t’i japë përparësi turizmit, pasi aty turistët kanë se çfarë shikojnë. Një pazar i përshtatur si mos më mirë. Karakteristik me vendosjen arkitekturën e dyqaneve me prodhimet artizanale vendase, etj…Pra, me këto përparësi turistike, ato pallate bien ndesh me qëllimin që ka ky qytet në vetvete. Stonojnë ato pallate. Pastaj Durrësi madhështor, deti Adriatik me atë madhështinë e tij. Në lokale, të rinj të qeshur me shikim nga deti. U relaksova në Durrës. Mora erë deti, jodi, një mrekulli. Të mbusheshin mushkëritë me ajër të pastër. Pra, Shqipëria kësaj here ishte ndryshe. Një Shqipëri deri diku evropiane, me shumë ndryshime, por dhe me njerëz të respektueshëm. Mund të them se me këto ritme Shqipëria do bëhet një vend i begatë në rajon.

Ju keni pasur shumë studentë shqiptarë në Bullgari, cili është mendimi juaj për ta?

Në përgjithësi, studentet shqiptarë nuk kanë qenë të rregullt me ndjekjen e studimeve. Kanë pasur neglizhenca në përgatitje. Por mes tyre, ka pasur studentë të shkëlqyer që dallonin nga të tjerët. P.sh. kam pasur një student të shkëlqyer, Sulejman Muça. I veçantë në shumë drejtime e kam njohur që në fillimet si student dhe deri në përfundim të studimeve të politologjisë dhe më pas në studimet në dy programe Master, dhe përsëri ne vazhdimin e studimeve të thelluara në Doktoraturë. Korrekt deri në detaj. Komunikativ, këmbëngulës për të marrë maksimumin e mundshëm, i përkushtuar për të marrë çdo detaj në çdo lëndë, nga çdo pedagog. Shkurt, ishte i veçantë në stilin dhe mënyrën e të qenit një student, e për kaq vite nuk më është dhënë mundësia që të ripërsëritet një model si i tij. Por vitet e fundit studentët që vijnë nga Shqipëria janë më seriozë dhe po japin një performancë më të mirë se vitet e para të demokracisë.

Cilat vende ju kanë bërë përshtypje, ku studentët janë më të interesuar për dije dhe janë korrektë?

Janë tre vende, ku unë do veçoj Spanjën, Republikën Domenikane dhe Kazakistanin. Tani mendoj se dhe Shqipëria do jetë e katërta. Unë kam dhënë apo jap mësim në katër kontinente, afërsisht në 30 shtete dhe them se këto vende dallojnë dukshëm në raport me të tjerët për dëshirën që kanë për të studiuar.

Shtete si Franca apo Gjermania, që dominojnë në Evropë, a do ndikojnë ato në asimilimin e gjuhës së popujve të vegjël?

Asnjëherë, pasi këto dy vende me kulturë të lashtë i nxisin popujt e tjerë në ruajtjen e gjuhës dhe traditave. Këto dy vende kanë shumë emigrantë të huaj dhe po i lejojnë të mësojnë gjuhën e të hapin shkolla në gjuhën e tyre. Pra, popujt me kulturë e nxisin ruajtjen e traditave dhe të kulturës së vendeve të tjerë të vegjël. Kjo është mënyra më e bukur më reale e funksionimit të demokracisë. Emigrantët në këto vende nuk janë asimiluar, por kanë gjetur terren të ruajnë traditat dhe gjuhën e tyre.

 

KRAHASIMI

“Çfarë kanë të përbashkët

shqiptarët me bullgarët?”

“Çfarë kanë të përbashkët shqiptarët me bullgarët? Unë e çoj më tej përgjigjen. Jo vetëm shqiptarët me bullgarët, por të gjithë popujt kanë shumë gjëra të përbashkëta. Popujt duan përparim, paqe, vëllazërim. Të gjithë janë të etur për bashkëjetesë paqësore, por janë qeveritë ato që i ftohin marrëdhëniet mes popujve, janë politikat e mbrapshta të disa qeverive që i bëjnë ATA të armiqësohen. Çdo popull ka diçka të veçantë, por ata kanë më shumë të përbashkëta. Gjuha është ajo që i dallon, por dëshirat, kërkesat, vizionet jetën, bashkëpunimin duan t’i kenë shumë miqësore, por ja që qeveritë disa gjëra i ndajnë artificialisht”.

 

INTEGRIMI

“Shqipëria tani duhej

të kishte hyrë në BE”

“Shqipëria duhej të kishte hyrë në BE, por kanë qenë qeveritë jo të përgjegjshme, qeveri të korruptuara ato që e kanë lënë kaq mbrapa. Mendoj se vitet në vijim Shqipëria do hyjë në BE nëse qeveria e rrit luftën ndaj korrupsionit. Siç e thashë më lart janë qeveritë e korruptuara ato që e kanë penguar Shqipërinë të hyjë në BE, pasi populli ka qenë pro kësaj hyrje. Populli ka dashur qysh në fillim të demokracisë, por qeveritë janë përgjegjëse, jo populli”.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: