PARTIA IME DHE PARTIA E DOKTORIT – OPINION NGA EDISON YPI

PARTIA IME DHE PARTIA E DOKTORIT – OPINION NGA EDISON YPI
Nga Edison Ypi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ka një ngjashmëri rrëqethëse mes historisë së "krijimit" të Partisë Demokratike në dhjetor të 90-ës, në shtëpinë e këtij e atij, me kompjuterin e vjetër ku me ankth të madh u shkrua programi, me ndihmën e pakursyer të popollit, dhe historisë së "themelimit" të Partisë Komuniste në nëntor të 41-shit me fener, tavolinë, betim, nderim me grusht, rrugica që kërkonin dritë.

Ne që vuajtëm, ne që trok kemi qënë, trok jemi, e trok do jemi, sepse Shqipërisë nuk i kërkojmë asgjë, por vetëm i japim gjithçka, e kishim menduar ndryshe. Sipas nesh, partia që do lindëte, nuk mund t’i ngjante në asgjë partisë së kurvit. Sipas nesh, Partia Demokratike kishte nisur të merrte jetë dhe frymë më parë se në nëntorin e 90-ës, në Maltë ku u takuan Regani me Gorbaçovin.

Në dhjetor të 90-ës, Shqipëria ishte bosh. Banditët që pushtetin e mbajtën me gjak, vendin e kishin rrënuar totalisht. Kurvi i Koresë që po i bën karshillëk botës, me siguri e ka një tas oriz për ta shtyrë edhe nja një vit a dy. Banditët që e kishin çuar vendin në katastrofë, nuk mund ta shtynin as një muaj. Nëse ata kriminelë do kishin ndonjë mundësi, sado minimale, për ta mbajtur Shqipërinë Kore ose Kubë, do ta bënin pa asnjë hezitim. Jo 2 vjet e tre vjet. Përgjithmonë. Por e kishin absolutisht të pamundur. Në këto kushte, këtu diçka do ndodhte domosdoshmërisht. Dhe ndodhi. Veçse jo si e menduan idealistat, me potere. Potere bëjnë poterexhinjtë, revolucionarët, jo demokratët. Si iniciativë thellësisht të ndërgjegjëshme të një numuri intelektualësh të iluminuar. Pritëm pra një skuadër të urtësh dhe të aftësh ta nisnin nga e para. Jo duke e përmbysur tablonë e vjetër, çka do ishte identike me të kaluarën kriminale, që do ta çonte vendin nga lufta e klasave tek lufta e klasave. Diçka as të ngjashme, as të përmbysur. Diçka të ndryshme ku të gjithë shqiptarëve pa asnjë përjashtim, pa asnjë dallim, pa hakmarrje, pa diskriminime negative apo pozitive, pa shpërblime të turpshme, t’u jepeshin mundësi të barabarta për pasurim dhe prosperitet.

Nuk ndodhi si e ëndërruam. Pa asnjë lidhje me pritshmërinë tonë idealistike, grumbullit të shkarpave që kishin përgatitur të vuajturit gjatë dhjetëra dhjetorave me rezistencën e tyre, ua vunë shkrepësen ca cuba, që ju duk se çoç bënë gjatë tre a katër ditëve në dhjetorin e 90-ës. Në një nga ato ditë, duke i parë cubat që u ishte marrë zëri nga të bërtiturit, i thashë një miku; Nuk duken keq tani për tani. Halli është si mund të shkulen këta dreqër pas pak, kur nuk do jenë më të nevojshëm. U vërtetua fill pas krijimit të Partisë Demokratike. Të frymëzuarit me komunizëm dhe sigurimizëm, sa hap e mbyll sytë u kacafytën me njëri-tjetrin e u bënë kashtë e koqe nga orekset e papërmbajtura për pushtet dhe përfitime.

Por nuk mund të ndodhte ndryshe përderisa ardhja e Lirisë shkaktoi një traumë më e lemeritshme se parashikimet më pesimiste. Diktatura kishte zhbërë "njeriun", kishte lënë turmën. Mendësia komuniste ishte rrënjosur shumë më thellë se e kishim menduar. Lënda njerëzore për të bërë ndryshimet e pritura dhe për të realizuar sukses numerik elektoral për të mundësuar qeverisjen, mungonte. Ish-të burgosurit dhe në përgjithësi të persekutuarit, njëri thoshte jam i lodhur, tjetri i sëmurë, një tjetër si puna ime se nuk kishte talent për pushtet dhe politikë, jo pak prej tyre të lemeritur nga ç'kishin hequr, e braktisën vendin. Dragoi që mori përsipër të bënte ndryshimet, Doktori, e vuri re menjëherë këtë pamundësi. Formoi një parti dhe bëri një politikë, jo idealistike si ajo brenda kokave tona, por parti reale në rrethana konkrete. Doktori bëri atë parti që mund të bëhej në një vend ku populli ishte indoktrinuar në palcë. Parti me fanatikë. Parti me paraqitje të dhjetorit të 90-ës, më të lavdishëm se nëntorin e 41-shit. Për shkak të apatisë dhe mungesës së iniciativës së të vuajturve, parti me të papërtuarit spiunë të Sigurimit, të gatshëm dhe të bindur për t’i shërbyer gjithkujt e në çdo rrethanë. Aq e vërtetë është kjo e spiunave të Sigurimit rrotull partisë së Doktorit, sa ata ndyrësira, ne gjynafqarëve që s'lamë miting pa vajtur, fjalim pa duartrokitur, e RD pa lexuar, kur i afroheshim selisë, na shihnin vëngër sikur spiunat nuk ishin ata por ne, dhe dukej sikur na thoshim; Çfarë doni ju këtu ? Partia Demokratike është e jona.

Megjithatë, Partia Demokratike, parti të cilën unë dhe të ngjashmit e mi e ndihmuam me gjithë shpirt pa i trokitur kurrë në derë dhe pa i kërkuar kurrë asnjë favor, falë durimit dhe shkathtësisë gjeniale të Doktorit, funksionoi. Doktori Dragua pati vizionin dhe zotësinë ti mbajë cubat larg partisë dhe pushtetit. Doktori bëri qeveri që për nga niveli intelektual, profesional, idealistik, nuk është arritur dhe kurrë nuk do arrihet nga asnjë qeveri. Në zyrat e asaj qeverie dëgjoje muzikë klasike në sfond, diçka e paimagjinueshme kjo për zyrat e qeverive pasardhëse në sfondin e të cilave janë dëgjuar vetëm klithma qefi femrash mbi tavolina.

Kanë bërë nga 20 e nga 30 e nga 40 vite burg shqiptarët, e nuk bënë gëk, nuk u ndjenë, panë hallet e veta. Janë dergjur me muaj e vite në qelira, e nuk kërkojnë asgjë, kalojnë në heshtje pjesën e mbetur të jetës.

Pas kaq vitesh, tani kur shqiptarët nuk janë më turmë e pafytyrë, por njerëz me identitet, me dinjitet, para dhjetëra dhjetorëve heroikë të tyre refuzojnë të dëgjojnë për 1 dhjetor të vetëm cubash ngrehalucë. Idolatria e rrejshme me cuba kinse trima që çoç bëjnë dhe nuk shkulen pa gllabëruar gjithçka, duhet të marri fund. Ajo që ndodhi në dhjetorin e 90-ës para dhjetëra dhjetorëve të mëparshëm, ishte hiçasgjë.

Tani që Partia Demokratike ka rënë në humnerë bashkë me strategjinë klienteliste të bërit politikë përmes favorizimit të fanatikëve dhe s'dihet si do ti vejë filli, tani që është e qartë se Cubi që kryen spontanisht diçka karshi një shpërblimi, nuk është hero por rrugaç, tani pra kur është kaluar çdo masë dhe durimi ka mbaruar, Partia Demokratike rrethanore dhe provizore e Dragua Doktorit duhet t’ja lerë vendin partisë time idealiste të përhershme.

Konservatorizmi nuk ka asgjë të përbashkët dhe nuk takohet kurrkund me militantizmin, fanatizmin, mercenarizmin. Militantizmi veçse e helmon atmosferën demokratike. Ata 200 mijë që i avulluan Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit nuk janë militantë. Janë shqiptarë të shtruar dhe seriozë që Partinë Demokratike e refuzuan për shkak të natyrës militantiste të saj.

Nëse nuk braktis fanatikët e favoreve që bërtasin e këlthasin nga brenda e nga jashtë Shqipërisë ku jetojnë nëpër vila me paret e vjedhura, dhe tu afrohet idealistave që nuk pretendojnë asgjë, Partia Demokratike nuk vjen më në pushtet kurrën e kurrës.

Partia e Doktorit që bëri sa mundi, e hëngri çahirin e vet. Radhën e ka Partia ime. Mjerë ai "demokrat" që nuk kupton kaq gjë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: