Pas përmbytjeve, nisin “ethet” e dëmshpërblimeve

Pas përmbytjeve, nisin “ethet” e dëmshpërblimeve
Teksa ujërat e përmbytjeve janë tërhequr, në Shqipëri shfaqen debatet e para për çështjen e dëmshpërblimeve. Ekspertët e Financave për “Albanian Free Press”: Duhet të nisë njëherë procesi i vlerësimit të dëmeve, pastaj të rialokohen fondet. Kryeministri: Qytetarët të sigurohen nga fatkeqësitë natyrore, në mënyrë që dëmet e tyre të kompensohen plotësisht

Ujërat e përmbytjeve që përfshinë ditët e fundit Shqipërinë, tashmë janë tërhequr. Dhe në skenë, duket se është rishfaqur debati i përhershëm që buron menjëherë pas tyre. Pikërisht ai i dëmshpërblimeve të të dëmtuarve. Sa dhe si do të jetë ai? Teksa sipas vetë kreut të qeverisë, Edi Rama “buxheti i shtetit, nuk mund të përballojë gjithçka dhe gjithmonë”, sa u përket fatkeqësive natyrore. Ndoshta për këtë arsye, ai ka lançuar dje publikisht edhe nismën ligjore të sigurimit të detyrueshëm të banesave dhe të bizneseve nga përmbytjet. Një nismë kjo e cila në fakt, u përfol para disa muajsh, si një draft që ka qenë në diskutim prej autoriteteve shqiptare edhe me Bankën Botërore. Por që për momentin, sipas ekspertëve të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) është në gjendje pezull. “Ekziston si projekt, por ne nuk kemi dijeni se ku është puna konkrete lidhur me të, sepse janë organizmat qeveritare që e mbulojnë këtë, nuk e bën AMF-ja. Ai ka qenë një draft i hartuar nga Banka Botërore dhe nuk është më pronësi e tij. Në njëfarë mënyre, ai tani është i lënë në një gjendje pezull. Nuk është se është ringjallur si projekt”, deklarojnë ata posaçërisht për “Albanian Free Press”. Ndërkaq, kujtojmë se vetë kreu i AMF-së, Ervin Koçi, lidhur me një projekt të tillë ka dalë në mbrojtje të qytetarëve, duke pohuar se duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur vendosim në ligj detyrimin ndaj tyre. Që të gjitha këto, qëndrime të cilat tregojnë se ende nuk dihet saktësisht se kur mund të vihet në zbatim një projekt i tillë, i bërë me dije dje para publikut, nga vetë kreu i qeverisë gjatë mbledhjes së Komitetit i Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile. Ndërkaq, as ministria e Financave nuk di të japë një përgjigje konkrete se kur do të nisë shpërndarja e dëmshpërblimeve të përmbytjeve, derisa sipas ekspertëve të saj, ende nuk ka nisur procesi i vlerësimit. Kështu, burime zyrtare nga ministria e Financave, pohojnë posaçërisht për “Albanian Free Press” se lidhur me kompensimin e dëmeve të popullatës, duhet të ketë ndonjë rialokim fondesh, nga fondi i emergjencës, ai rezervë, apo i kontigjencës. Gjithçka varet sipas tyre, nga shuma që do të duhet për një proces të tillë. “Mjaftojnë këto që kemi në dispozicion, apo do të duhen fonde të tjera për rialokim. Për këtë, fillimisht duhet që të nisë procesi i vlerësimit të dëmeve”, sqarojnë ato. Duke saktësuar më tej se fondi rezervë i buxhetit, pra ai që shkon për pjesën e dëmshpërblimeve është i paprekur dhe se është në dispozicion. “Porse gjithmonë në varësi në shumës që do të dalë për dëmshpërblim. Duke bërë edhe krahasimin me gjendjen ekzistuese dhe fondet që duhen shtesë”, pohojnë më tej ekspertët e Financave. Por nëse në rang vendi, ende nuk ka nisur procesi i vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet, nga ana e saj, Bashkia e Tiranës pohon se për të ai aktualisht po realizohet. Lajm i bërë ky me dijeni nga vetë drejtori i Emergjencave Civile pranë këtij institucioni, Erion Koka, gjatë një prononcimi për mediat rreth kësaj çështjeje.

“Ne kemi pritur që të tërhiqen ujërat. E kuptoj edhe atë pjesën që shumë veta dalin dhe japin deklarata që ne i kemi nxjerrë njerëzit për të bërë verifikimet në situata të tilla. Por pa u tërhequr ujërat, ti nuk shkon dot një vendngjarje dhe nuk mund të nxjerrësh dot një faturë, nuk bën dot një vlerësim. Ne kemi pritur largimin e ujërave, dje janë mbledhur kryepleqtë për të gjitha zonat me administratorët e tyre, të cilët kanë diskutuar që duhet të jenë në mbështetje të të gjithë grupeve në terren, për të nxjerrë dhe për të vlerësuar të gjitha dëmet e shkaktuara”, sqaroi ai. Duke shtuar se aktualisht,  të gjithë grupet të çdo njësie administrative të Tiranës kanë dalë në terren për të nxjerrë dëmet që janë shkaktuar nga përmbytjet e ditëve të fundit. . Të prekur kemi komunën e Zall-Bastarit, e cila ka qenë totalisht e bllokuar për disa ditë”, shprehet Koka.

 

  POHIMI

“Jemi ende i vetmi vend që nuk ka një masë të tillë me ligj dhe ku pastaj, njerëzit e prekur mbeten në mëshirën e fatit dhe në pritje vetëm nga buxheti i shtetit, që nuk mund të përballojë gjithçka dhe gjithmonë”, tha kryeministri.

 

SITUATA

 Sa para’ ka parashikuar buxheti në vite për fatkeqësitë natyrore?

 

Në nenin 3, të Aktit Normativ të buxhetit të shtetit të këtij viti fondi rezervë tij është parashikuar në vlerën prej 2.4 miliardë lekësh. Bëhet fjalë pikërisht për nenin, i cili parashikon fondet të cilat qeveria mund t’i përdorë sipas nevojave të saj, në rastin konkret për “fatkeqësi natyrore” të tilla si zjarret,  përmbytjet, etj. Kujtojmë sakaq, se vjet, viti 2016 fondi i kontigjencave ishte 2.2 miliardë lekë, një vlerë kjo më e madhe se e një viti më parë. Kurse në buxhetin e vitit të ardhshëm, 2018, fondi rezervë i buxhetit është parashikuar të jetë prej 2.7 miliardë lekësh.

 

FATURA

 Fatkeqësitë natyrore, paguhen çdo vit rreth 35 milionë euro

Sipas përllogaritjes së bërë nga institucionet ndërkombëtare dhe Drejtoria e Emergjencave Civile, fatura financiare që shteti shqiptar duhet të paguajë çdo vit si rezultat i fatkeqësive natyrore është në vlerën e 35 milionë eurove sa i përket dëmeve ekonomike të shkaktuara prej tyre. Ndërsa për gjashtë vitet e fundit, ato japin shifrën totale prej rreth 200 milionë eurosh si dëm financiar që përmbytjet kanë shkaktuar në vendin tonë në tërësi. Ku vetëm për përmbytjet e janarit të vitit të kaluar, 2016, fatura e dëmeve financiare të shkaktuara prej tyre arriti në rreth 9 milionë euro.

 

DUKURIA

Shqiptarët, gjithmonë dhe më pak sigurime për pronën e tyre

Kultura e sigurimit të pronës si e tillë, duket se paraqitet ende e dobët në vendin tonë. E thënë ndryshe, shqiptarët vazhdojnë që të sigurojnë kryesisht makinat (të cilat i kanë me detyrim dhe aspak shtëpitë, dyqanet, deri edhe jetën e tyre. Një dukuri e tillë, e cila vazhdon prej vitesh në vendin tonë, konfirmohet edhe nga të dhënat më të fundit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, sipas të cilave, rezulton se gjatë këtij viti, saktësisht në periudhën janar-tetor 2017 janë lidhur vetëm 32.725 kontrata për ruajtjen nga zjarri dhe forcat e natyrës. Shifër kjo, më e ulët sesa ajo e shënuar të njëjtën periudhë të vitit pararendës, 2016, në të cilën u lidhën 35 891 kontrata. “Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-tetor 2017, vihet re një rritje prej 6.22% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një ulje me 6.51% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar- tetor 2016”, thuhet në raportin e AMF-së, lidhur me një zë të tillë. Duke detajuar më tej, se vendin e parë ndër to, e zunë zjarri si dhe dëmtime të tjera në pronë, saktësisht me rreth 74.24% të totalit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: