PATRIARKU QË PRITI 25 VJET – OPINION NGA PLATOR NESTURI

PATRIARKU QË PRITI 25 VJET – OPINION NGA PLATOR NESTURI

Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Që nga koha e luftës së Trojës, ekziston një shprehje të cilën shqiptarët, prej një shekulli që është krijuar ky shtet, e dinë dhe e kanë përdorur shpesh: "Ruaju nga dhurata e grekut!". Nocion ky aq i ngulur si gozhdë në tru, sa do të kalonin 25 vjet, që Shqipëria t’i bëjë si dhuratë grekut Janullatos, shtetësinë shqiptare, ndonëse për gjithë këtë kohë ka qenë Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale, i fronësuar me emrin Anastasio. 25 vjet në pritje pra, aq sa do të ishin zhvilluar dy luftëra e gjysmë Troje, ndërsa thuhet se ajo ka zgjatur për 10 vjet.

Në protokollin shtetëror, në aktivitetet dhe pritjet ceremoniale, mungesa e pasaportës shqiptare, sidoqoftë, nuk mund ta anashkalonte kreun e një prej komuniteteve më të rëndësishme fetare në vend. Ndaj Kryepeskopi Anastasios, ka qenë gjithmonë i pranishëm dhe kontribuues. Gjithsesi, në këto vite, ai nuk ishte shtetas shqiptar, ndonëse gjatë kësaj periudhe kanë qenë të shumtë shtetasit e huaj që kanë marrë pasaportën shqiptare. Të huaj si për arsye pune a kontributesh për vendin, si trajneri De Biazi apo albanologë me kontribute në lëmin e shkencave shqiptare, por edhe shumë syresh, për të cilët nuk është bërë e ditur ndonjëherë merita apo arsyeja. Nga vendet islamike sidomos, ka patur mjaft të tillë, dhe autoritetet tona shtetërore kanë qenë tolerantë për çdokënd që regjistronte ndonjë fondacion religjioz, që shpërndante ndonjë ndihmë për zona të thella e të varfra, por që pas sulmeve të 11 janarit në SHBA, rezultuan se ishin me curriculum të dyshimtë. Aq tolerancë kishte në atë kohë ndaj këtyre misionarëve, sa dhe Bin Ladeni të kishte kërkuar shtetësi, do ta kishte marrë me procedura të përshpejtuara.

Ndërkohë, Kryepeskopi pa pasaportë, por dhe aq i anatemuar në media, vijoi punën e tij për ngritjen e institucionit të Kishës Ortodokse Autoqefale. Sot, me të drejtë, mund të themi se këtë institucion e kemi si vlerë të shtuar, në një Shqipëri që ka ende shumë halle dhe probleme. Nga rrënojat që la pas sistemi komunist, dhe kur dukej si mision i pamundur, edhe për shkak të skepticizmit, pse në krye të kishës ishte një patriark me kombësi greke, Fortlumturia e Tij diti të japë shembullin se, me dedikim të përditshëm dhe të përkorë, të ngrejë në standarde bashkëkohore institucionin e Kishës Ortodokse. Vetë personaliteti i tij dhe fama që gëzonte, bëri të mirëpritej kudo jashtë, duke mundut të siguronte fonde për të ngritur nga asgjëja, Kishën Ortodokse. Si një institucion i organizuar mbi bazë rregullash dhe kanonesh të mirëpërcaktuara, por dhe duke ndërtuar, rindërtuar e vënë në eficiencë, në të gjithë vendin, kishat monumentale, historike apo të reja, në shërbim të religjionit e komuniteteve. Ky është gjithsesi, vetëm një aspekt, pasi në rrafshin më të gjerë të shoqërisë shqiptare, ku operojnë tre komunitete kryesore dhe shumë prurje, ajo çfarë ka patur më vlerë, ka qenë kontributi për harmoninë fetare. Dhe në një mjedis si Shqipëria, e dalë pas ateizmit komunist, pa institucione fetare të qëndrueshme, ku infeksionet nga ndikime rrymash të huaja janë përpjekur jo pak herë ta mahisin bashkëjetesën me konflikt fetar, ky kontribut merr një angazhim të shtuar, pasi është ndikues në jetën e çdo shqiptari, pavarësisht çfarë feje i përket.

Sipari i një patriarku të kishës që nuk kishte shtetësinë e bashkësisë që drejton, u mbyll. Dhe bashkë me këtë, besoj se mbyllet dhe lumi i budallallëkut që ka shoqëruar komentet deri fyese, ndaj kreut të komunitetit të dytë fetar në vend. Hirësia, në gjithë këto vite, i fali dhe u lut për këtë budallallëk. Po ashtu dhe komuniteti i shpërfilli dhe as nuk ra prè e ndonjë provokimi, ndërsa vetë figura e Kryepeskopit rritej në vlerë, në sytë e tyre. Tashmë këtë vlerë duhet t'ia pranojmë të gjithë, si kontribuues në forcimin e strukturës së këtij shteti, ku dhe religjioni ka pjesën e tij. Dhe kjo vlerë nuk vjen prej faktit se tanimë ka shtetësinë shqiptare.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: