PËR NJË SHËRBIM SEKRET, SE SI DUHET TË JETË – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

PËR NJË SHËRBIM SEKRET, SE SI DUHET TË JETË – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Pas 26 vjetësh nga shuarja e Sigurimit të Shtetit, shërbimi sekret shqiptar ndodhet sërish në një udhëkryq. A do të jetë ai një shërbim sekret larg politikës, profesionist, në shërbim ndaj kombit dhe kundër fenomeneve që e kanë gërryer Shqipërinë në këto vite, si korrupsioni, krimi dhe abuzimi me detyrën shtetërore, apo do të vazhdojë të jetë një shërbim si zgjatim i politikës së pushtetit të ditës, apo edhe i pushtetit të vjetër, në shërbim të asaj force politike që emëron drejtuesin? Përgjigjen ende nuk e dimë, por dimë se mundësitë dhe potencialet për një shërbim profesionit, janë. Përse e quajmë udhëkryq këtë moment? Aktualisht, kemi një shërbim me kryetar të dorëhequr dhe një kryetar të propozuar nga kryeministri, Edi Rama, por të padekretuar nga presidenti, Ilir Meta. Natyrisht, kjo ka krijuar amulli, por më shumë se zëvendësimi i kryetarëve, këtë gjendje e ka krijuar situata aktuale, por edhe ardhmja e këtij shërbimi. Vetëm po t’i referohemi dy drejtuesve të këtij shërbimi, situata nuk duket aspak normale. I pari është Sokol Gashi, ish-drejtor në disa degë të këtij shërbimi në Lezhë, Shkodër, Tiranë, Fier, i cili gjatë emisionit, “Debati në Channel One”, të disa ditëve më parë, tha:

“Ka vite që SHISH-i nuk i është nënshtruar kontrollit. Në SHISH është vetëm një drejtori antiterrori, e cila ka mbështetjen e të gjitha shërbimeve partnere dhe po të shikosh raportin e Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria vlerësohet pozitivisht vetëm për shkak të punës së kësaj drejtorie. Pastaj, drejtoritë e tjera si ato që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe ajo e spiunazhit, janë në ditë të hallit. Madje edhe përpara drejtimit nga Visho Ajazi Likës. Kjo vjen edhe nga fakti se kryeministrat e këtij vendi, nuk kanë qenë edhe aq dashamirës ndaj këtij shërbimi. Edhe sot po ti pyesësh punonjësit e këtij shërbimi, nuk marrin ato që duhet nga ky shërbim. Po të marrim drejtorinë e Zbulimit që mbulon rajonin, një pjesë e mirë e këtij shërbimi, detyrohen që burimet e informacionit të vijnë në Shqipëri, jo të shkojmë ne në vendet e rajonit për të marrë informacion. SHISH-i nuk ka fonde për punonjësit që të takojnë agjenturën jashtë Shqipërisë, por vijnë ata këtu. Pra, buxheti është në limite. Duke parë situatën, them dhe në fakt nuk e them vetëm unë, që zbulimet e huaja janë ulur këmbëkryq. Të gjitha përpjekjet e këtyre shërbimeve kanë arritjet e tyre. Po marr një shembull, atë të shëbrimeve ruse. Në gjithë pjesën e Ulqinit, ku janë vilat dhe pronat e shqiptarëve, janë blerë nga sipërmarrës rusë. Qëllimi është i dukshëm. Edhe në Shqipëri ka blerje. Edhe shërbimi sekret serb është i pranishëm në Shqipëri.

Dëshmia e dytë vjen nga Hajro Limaj, një ish-oficer i vjetër i shërbimit sekret ushtarak shqiptar, i cili po për emisionin, “Debati në Channel One”, bëri akuza mjaft të rënda.

“Agjenturat e huaja, fatkeqësisht, në Tiranë hedhin valle, përcillen në Prishtinë dhe shkojnë në Maqedoni. Shikoni, sa herë ka problem të mëdha Kosova, shpërthen në Tiranë. Shiko në Maqedoni, sa herë ka probleme atje, tek ne ndodh e kundërta. Një analist i mirëfilltë i kësaj fushe që i shikon gjërat të lidhura qysh nga vitet e mëparshme e deri më tani, e kupton mjaft mirë që shumica e drejtuesve të politikës, mund të jenë agjentë të drejtpërdrejtë ose indirekt të shteteve që kanë interesa në Shqipëri, sepse nuk ka mundësi të jesh shqiptar dhe të bësh këto veprime që bëjnë disa politikanë.”

Nëse presidenti i republikës, Ilir Meta, e dekreton Helidon Bendon, ai bëhet i pari kryetar i SHISH-it që vjen nga radhët e këtij shërbimi, përmes një karriere nga detyra më e ulët deri në majën e këtij shërbimi. Bendo vjen gjithashtu, edhe si i pari kryetar i shërbimit sekret i diplomuar pas vitit 1990, dhe nuk ka punuar asnjë ditë gjatë regjimit komunist. Naim Meçalla, një nga bashkëpunëtorët e tij të vjetër në SHISH, tregoi për emisionin, “Debati në Channel One”.

“Helidon Bendo më ka bërë shumë përshtypje për kulturën, por veçanërisht për korrektësinë. Është një zgjedhje shumë e mirë e kryeministrit Rama dhe kam besim se, ai do ta kryejë më së miri punën”.

Por ç’duhet të bëjë drejtuesi Bendo dhe ç’duhet bërë që ky shërbim të arrijë ato standarde që kërkohen? Në kushtet kur nuk ka më Luftë të Ftohtë dhe ka ndryshuar koncepti për spiunazhin, shërbimi sekret shtetëror shqiptar është në betejën, nëse fiton ndaj teknologjisë, ndaj ndikimeve të investimeve të gabuara dhe në betejë me kohën. Janë ta paktën 10 synime që SHISH-i duhet të ketë në atë që pritet të funksionojë në të ardhmen.

  1. SHISH DUHET TË SHKËPUTET, NJË HERË E MIRË, NGA POLITIKA

Ka ardhur koha që shërbimi shtetëror, një herë e mirë, të shkëputet nga politika! Në këto 27 vjet, nuk ka asnjë rast të vetëm që të mos kemi akuza të ndërsjellta të politikës, që forca kundërshtare e ka përdorur këtë shërbim për interesat e veta. Pra, në një farë mënyre, të majtët dhe të djathtët kanë kërkuar që këtë shërbim ta kenë për vete. Edhe shumica edhe pakica, në një formë apo tjetër, kanë arritur të bëjnë beteja për të ndikuar dhe për të patur akses te ky shërbim. Kjo është bërë në disa forma, që nisin nga emërimi i titullarit, të drejtuesve të tjerë, por edhe nëpërmjet presioneve dhe skemave për të ndikuar në marrjen dhe përdorimin e informacionit. Prandaj, SHISH-i duhet të shkëputet, një herë e mirë, nga ky ndikim.

  1. DREJTUESIT NUK DUHET TË KENË LIDHJE ME POLITIKËN

Është fakt mjaft i mirë që, Helidon Bendo të gjithë karrierën e tij, e ka në radhët e SHISH-it. Është fakt shumë i mirë që ai është diplomuar pas vitit 1990. Por këto nuk mjaftojnë, sepse në strukturën e SHISH-it ka edhe drejtues të tjerë që, në një formë apo tjetër, kanë mbështetjen e politikës. Për rrjedhojë, ata nuk duhet të jenë më pjesë e SHISH-it. Kryeministra, presidentë dhe drejtues, ikin dhe vijnë, por SHISH-i dhe Shqipëria është një dhe kjo është më e rëndësishme se çdo emër politikani.

  1. MARRËDHËNIA E SHISH-it ME KRYEMINISTRIN

Mbështetur në ligjin aktual, SHISH-i jep llogari te kryeministri. Në fakt, në këto 26 vjet, ne kemi patur dy pamje, - ose kryeministri e ka patur nën kontroll të plotë SHISH-in, ose ka qenë në luftë të hapur me të. Përvoja e vitit 1992-1997, kur SHISH-i ishte zgjatimi i shumicës së asaj kohe, është njëri kulm. Tjetri është ai i periudhës së kryetarit, Bahri Shaqiri, kur kryeministri bëri luftë të hapur me të. Por edhe periudha e Visho Ajazit, në 5 vjet, edhe pse raportimet janë bërë me shkrim, takimet mes Ajazit dhe Ramës, janë të rralla. Kjo praktikë duhet të marrë fund! Nuk mund të konceptohet, se si kryetari i SHISH-it nuk komunikon me kryeministrin dhe nuk bashkëpunon me të. Mes tyre duhet një bashkëpunim për të luftuar të gjitha dukuritë negative, sidomos krimin dhe korrupsionin. Por kujdes, ky bashkëpunim nuk duhet të kalojë caqet e ligjit, në mënyrë që drejtuesi i SHISH-it të mos kthehet në beniamin i shefit të qeverisë!

  1. KONTROLL DHE AUDIT

Ishte një akuzë e rëndë, ajo që tha ish-oficeri i SHISH-it, Sokol Gashi, sipas të cilit SHISH-i nuk është kontrolluar në shumë vite. Ky përbën një skandal më vete. SHISH, si një institucion serioz dhe nga më të rëndësishmit e shtetit shqiptar, duhet të jetë një hallkë e kontrolluar e shtetit. Nuk mund të konceptohet se si mund të funksionojë pa këtë kontroll. Padyshim, ai duhet bërë brenda të gjitha rregullave dhe ligjeve dhe certifikimeve, pa nxjerrë sekretin dhe pa e dëmtuar shërbimin. Por kurrë, nën emrin e sekretit, nuk mund të funksionojë pa u kontrolluar.

  1. KUNDËRAGJENTURA

Shteti serioz duket pikërisht tek inteligjenca. Akuza e Sokol Gashit se kundër agjentura nuk funksion, është një nga skandalet më të mëdha të bëra ndonjëherë. Si ka mundësi që, shteti ynë nuk jep fonde që, punonjësit e SHISH-it të marrin informacion në vende të ndryshme, por agjentët vijnë këtu për t’i informuar? Ky është një skandal i padëgjuar, por që prej vitesh funksion normalisht. Kjo praktikë duhet të marrë fund, një herë e mirë! Një shtet që mbjell palma dhe pisha, për miliona euro, në të dy anët e një autostrade, nuk mund të lërë pa fonde një shërbim sekret që kërkon të bëjë minimumin e punës. Do të ishte në nderin e këtij shteti që, urgjentisht duhet të ndryshojë këtë situatë!

  1. SHKËPUTJA E SHISH-it NGA SIGURIMI I SHTETIT

Duket paradoksale, por edhe pse regjimi komunist u rrëzua më 1990, SIGURIMI I SHTETIT pushoi së funksionuari në 1991, sot ende në SHISH ka punonjës që janë diplomuar dhe kanë punuar gjatë sistemit komunist. Sikur një kandidat për të qenë punonjës i SHISH, të kishte lindur më 1990, ai sot do të ishte 27 vjeç. Pra, është një brez i ri që duhet të jetë ai furnizuesi i trupës së inteligjencës së këtij shërbimi. Argumente të tilla se, ata kanë përvojë dhe dinë teknikat e shërbimit e të tjera si këto, në fund të vitit 2017, nuk kanë më vlerë. Derisa jetojmë në epokën dixhitale, të rinjtë janë ata që e njohin dhe përdorin më mirë teknologjinë e re, se sa brezi i vjetër. Ka ardhur koha që ky shërbim të pastrohet përfundimisht nga pjesëtarët e Sigurimit të Shtetit. Dhe si të tillë, largimi i kastës së vjetër dhe rekrutimi i një brezi të ri, është më imediate se kurrë!

  1. NEPOTIZMI

Nuk janë të paktë ata që shprehen se, në SHISH ka nepotizëm të theksuar. Nuk po merremi me emra dhe individë të veçantë, por lidhja familjare për një shërbim inteligjent, nuk është serioze. Kjo nuk vlen as për një ndërmarrje private. SHISH-i është dhe do të jetë një pasuri kombëtare dhe aspak familjare. Ndaj, nepotizëm me baba, mama dhe vajza e djem së bashku, pjesë të strukturave dhe administratës, janë të papranueshme.

  1. LLOGARIDHËNIA NË LEGJISLATIV

A do të ishte gabim, nëse Parlamenti do të kontrollonte SHISH-in? Kurrën e kurrës, do të ishte veçse pozitive. SHISH-i duhet të jetë një organ që Parlamenti duhet ta kontrollojë rregullisht. Natyrisht, kjo duhet bërë në forma ligjore dhe aspak politike, sado që deputetët përfaqësojnë partitë e tyre. Por edhe pa kontroll, SHISH-i nuk mund të lihet.

  1. RAPORTI ME MEDIAN

Një herë në vit, shefi i CIA-s jep një konferencë shtypi për median. Në historinë 105-vjeçare të shërbimit sekret shqiptar, është zhvilluar vetëm një konferencë për shtyp në vitin 2007, nga zëdhënësi i këtij institucioni. Shefi i shërbimit nuk ka dhënë kurrë ndonjë konferencë, nuk ka bërë kurrë ndonjë takim me median, kurrë nuk ka dhënë ndonjë intervistë dhe kurrë nuk ka patur kontakte publike me gazetarët. Por, a është gabim kjo gjë, apo normale? Tendenca është, themi se është gabim. Nëse vendoset një rregull, që shefi i SHISH-it jep një konferencë për shtyp në fund të vitit, çfarë të keqe do të kishte veçse të mira. Shefi i këtij shërbimi nuk do të nxirrte sekretet, por do t’i përgjigjej pyetjeve brenda kuadrit të vet ligjor. Do jepte statistika, të dhëna dhe shifra që vlenin për publikun dhe që nuk përbënin sekret shtetëror. Por do të kishte mundësi të reklamonte punën dhe si funksionon ky institucion, por edhe të kërkonte publikisht nga qeveria dhe Parlamenti, ato që i duhen këtij shërbimi.

  1. SHËRBIMI DUHET TË KRIJOJË BESIM

Besim do të thotë punë serioze dhe si të tillë, SHISH-i duhet ta krijojë vetëm nëpërmjet zbatimit të ligjit. Ka ardhur koha që, mes institucioneve të shtetit shqiptar, SHISH-i duhet të jetë nga më të besueshmit. Dhe që të jetë i tillë, duhet të funksionojë dhe të ketë rezultate konkrete të prekshme dhe në dobi të shtetit dhe shoqërisë. Fjala vjen, në situatën e masivizimit të kanabisit, edhe pse është një organ vetëm informues, SHISH-i duhet të kishte gjetur mekanizmat për t’i dhënë alarmin vetë shtetit, por edhe shoqërisë. Nuk ka rëndësi, nëse nuk do t’i merrte meritat. E rëndësishme është që Shqipëria të mos arrinte në këtë situatë.

 

KRYETARËT E SHËRBIMIT SEKRET, PAS RRËZIMIT TË KOMUNIZMIT

IRAKLI KOÇOLLARI - nga 1 gusht 1991, deri 29 qershor 1992;

BASHKIM GAZIDEDE - nga 29 qershor 1992, deri më 9 prill 1997;

ASTRIT KODRA (i komanduar) - nga 9 prill 1997, deri më 29 maj 1997;

ARBEN KARKINI - nga 29 maj 1997, deri më 21 gusht 1997;

FATOS KLOSI - nga 21 gusht 1997, deri më 7 gusht 2002;

PETRIT MYFTARI (i komanduar) - nga 7 gusht 2002, deri më 18 nëntor 2002;

KUJTIM HYSENAJ - nga 18 nëntor 2002, deri 27 janar 2005;

BAHRI SHAQIRI - nga 27 janar 2005, deri më 9 gusht 2012;

VISHO AJAZI LIKA - 9 gusht 2012, deri më 30 tetor 2017.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: