Përcaktohen çerekfinalistët e Kupës, Luftëtari kalon Bylis përmes humorit

Përcaktohen çerekfinalistët e Kupës, Luftëtari kalon Bylis përmes humorit
Nuk kanë të sosur çudirat në futbollin shqiptar. Udhëtimi i Bylis drejt Gjirokastrës është shoqëruar me një histori që do të kujtohet si pjesë humori nga enciklopedia e futbollit shqiptar.

Ndeshja e kthimit e vlefshme për raundin e 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë mes Luftëtarit dhe Bylisit nuk është zhvilluar fare.

Ballshiotët, për shkak të një problemi që ka patur autobusi me të cilin po udhëtonin drejt Gjirokastrës, kanë mbërritur 1 orë vonesë nga fillimi i ndeshjes. Sipas rregullores, ndeshja për arsye të ndryshme mund të vonohen vetëm 45 minuta, prandaj edhe gjyqtarët vërshëllyen për përfundimin e ndeshjes pa e nisur fare atë.

Në kohë arritën 4 lojtarë të Bylis, të cilët u nisën me makina të tjera drejt Gjirokastrës.

Bylis kishte shanse për kualifikim, pasi kishte fituar ndeshjen e parë me rezultatin 2-1 në “Adush Muça”, ndërsa pas mungesës së tyre vendimi i komisionit të Disiplinës pritet t’i japë Luftëtarit fitoren në tavolinë, 3-0, rezultat që i siguron edhe kualfikimin.

Sipas rregullores Bylis rrezikon të përjashtohet edhe nga edicioni i ardhshëm i Kupës së Shqipërisë.

Tirana tashmë do të ketë përballë Kukësin në çerekfinale. Pavarësisht se humbi 1-0 përballë Vllaznisë në Shkodër, me gol të Arlind Kalajës, Tirana avancoi më tej falë fitores 2-0 në ndeshjen e parë.

Kukësi fitoi sërish me goleadë Erzenin e Shijakut, me rezultatin 5-1 falë një dygolësh të Koldashit dhe me gola të Ethemit, Aliyev dhe Shtubinës. Në grupin A, kualifikohen edhe Teuta e Skënderbeu që do të përballen me njëra-tjetrën për një vend në gjysmëfinale. Skënderbeu fitoi ndeshjen e kthimit ndaj Besëlidhjes me rezultatin 3-1, me gola të Kelmendit që realizoi dy herë dhe me gol të James. Ndërkohë Teuta dhuroi spektakël përballë Kamzës. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë skuadra e Maganit triumfoi 4-0 në “Niko Dovana” me një dygola të Hilës dhe të  Beqajt dhe Osemenes.

Në grupin B, Partizani, Flamurtar e Laçi, sikurse Luftëtari u kualifikuan.  Golat e Filit, Prognit dhe kapitenit Batha i dhanë fitoren 3-0 Partizanit ndaj Pogradecit. Të kuqtë kualifikohen më tej me rezultat të përgjithshëm 4-0.  Vlonjatët kaluan sërish me një tjetër goleadë Turbinën me shifrat 5-2. Goli i Bizhytit nuk i mjaftoi Lushnjës përballë Laçit, pasi humbi 3-1 ndeshjen e parë.

Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë

Grupi A

Tirana-Kukësi

Skënderbeu-Teuta

Grupi B

Laçi-Luftëtari

Flamurtari-Partizani

Shpërndajeni me miqtë tuaj: