PËRMBYTJET, SI NJË TEST PËR CILËSINË E TË GJITHA REFORMAVE NË SHQIPËRI – OPINION NGA ALFRED PEZA

PËRMBYTJET, SI NJË TEST PËR CILËSINË E TË GJITHA REFORMAVE NË SHQIPËRI – OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Rikthimi i reshjeve në gjithë territorin e vendit, bashkë me lajmet rreth tyre, rikthen edhe ankthin e makthin e mijëra familjeve, për veten dhe pronat që kanë në mëshirë të tekave të motit. Por edhe stresin e mijëra të tjerëve, që u duhet të shkojnë e vijnë në punët e përditshme, anekënd Shqipërisë. Po e lemë mënjanë në këtë rast, edhe dhimbjen e kokës për shumë drejtues lokalë, nga më të vegjlit e deri te kryetarët e bashkive e prefektët. Duke u ngjitur gjithnjë e më lart, deri tek emergjencat civile të Republikës, ministritë e linjës dhe qeverinë. Është një gjendje gati stresi permanent, që përsëritet në mënyrë ciklike në javët e muajt e dimrit, por sidomos në periudhat e shirave ekstremë, që rikthehen, herë pas here, në këto anë.

E kaluam një situatë të tillë, rreth një a dy javë më parë, dhe jemi bërë të gjithë si ata bujqit e qëmoçëm, që prisnin t’i thernin kockat, apo të dilnin në dritare në darkë përpara se të flinin, për të parë se çfarë do t’i sillte nata nga qielli. Me ndryshimin e vetëm se, tani është telefoni celular ai që të njofton automatikisht, se kur fillon shiu e kur duhet të marrësh një çadër me vete. Kur duhet të mos dalësh nga shtëpia, e kur duhet të marrësh edhe syzet e diellit dhe çadrën bashkë, sepse ajo çfarë ndodh paradite, ndoshta ndryshon krejtësisht në drekë apo pasdite.

Ajo që vihet re veçanërisht, në të gjithë këtë situatë sinoptike, është fakti se përtej shumë problematikave të tjera, dalja e përrenjve dhe lumenjve nga shtretërit, tejmbushja e kanaleve, zemërimi i detit, liqeneve, rezervuarëve, rreziku i digave dhe mosfunksionimi i kanaleve kulluese dhe hidrovorëve, janë treguesi i koeficientit të kontrollit të qeverisë dhe shtetit mbi territorin.

Sigurisht që këtu nuk flasim për elementët e fatkeqësive natyrore, që janë përtej limiteve njerëzore të parandalimit dhe kontrollit të tyre, sepse të gjithë jemi dëshmitarë që fenomene të tilla kanë ndodhur dhe do të ndodhin edhe në shtetet më të zhvilluara të botës, e jo më në Shqipëri.  Ato që duhen analizuar me lupë në dorë në këtë situatë, janë tre elementë kyç, që shërbejnë për t’i vënë notën menaxhimit human të saj.

Së pari, cilësia dhe efikasiteti i investimeve vijuese në territor dhe sidomos gjatë 4-5 viteve të fundit, kur qeveria Rama u angazhua për të bërë rikonstruksionin e veprave të trashëguara dhe nevojave të reja, për shkak të degradimit të rrjetit kombëtar të kësaj infrastrukture, në çerekshekullin e kaluar. E gjitha kjo, për shkak të ndërprerjes së ciklit të shërbimeve dhe investimeve permanente, pas ndryshimit të regjimit dhe rënies së sistemit të kaluar në Shqipëri.

Së dyti, duhet qëmtuar me shumë kujdes, reforma në kontrollin e territorit, nisur nga legalizimet, shembjen apo lejimin e ndërtimeve të reja, zbatimin e kodeve teknike dhe rregullave shumë strikte për shtretërit e lumenjve, rrotull digave, në vijën bregdetare e liqenore, si dhe rrjeti kombëtar rrugor e i të gjitha llojeve të tjera të transportit tonë, lokal e kombëtar.

Së treti, duhet analizuar me shumë kujdes, e i duhet vënë nota qeverisë, për mënyrën e reagimit të të gjithë trupave dhe strukturave të specializuara të saj, gjatë ditëve të përballimit të situatave komplekse që krijohen. Shmangien e tragjedive njerëzore, humbjeve pasurore private, publike apo shtetërore dhe më pas, shpejtësia dhe cilësia e rikthimit të normalitetit në jetën e vendit, territoreve të prekura, qendrave urbane, familjeve dhe deri tek individi më pak i prekur, në mënyrë që jeta të rikthehet, sa më shpejt, në ritmin dhe cilësinë e mëparshme.

Këtu fillon edhe një proces tjetër, akoma edhe më i rëndësishëm, për të gjithë të prekurit nga fatkeqësitë natyrore, që ka të bëjë me vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe kompensimin më pas të tyre, nga strukturat e posaçme. Kjo e fundit, merr një rëndësi të veçantë, nisur nga shija e hidhur e kujtimeve të së shkuarës. Pasi ka ende zona të përmbytura, gati dhjetë vjet më parë, ku banorët e saj, ende nuk janë dëmshpërblyer nga qeveritë e shkuara që ia kanë lënë faturën e borxheve, qeverisë së sotme.

E parë me këtë sy dhe e analizuar në këtë mënyrë, por edhe në më shumë detaje e në mënyrë shumë më tepër profesionale nga ekspertët e fushave përkatëse, e gjitha kjo problematikë, mund të shërbejë për diçka pozitive, në fund të fundit. Ajo mund të shërbejë si etalon, si njësi matëse apo si një epruvetë, për të kuptuar edhe shumë çështje dhe situata në fushat e tjera të jetës së vendit.

Duke qenë se ajo çfarë ndodh në rastet e fatkeqësive natyrore, është një shfaqje që luhet në teatrin e hapur të nënës natyre, në sy të të gjithëve dhe me mbulimin gjithnjë e më të madh të medias dhe rrjeteve sociale, atëherë kuptohet se edhe nota që i vihet qeverisë nga qytetarët, në këtë sektor, mund të shërbejë si një mundësi për të vlerësuar edhe reformat në gjithë sektorët e tjerë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: