Po lindin gjithmonë e më pak shqiptarë

Po lindin gjithmonë e më pak shqiptarë
Demografia e popullatës shqiptare sa vjen dhe përkeqësohet. Shifra alarmuese të shtesës së saj natyrore, që pakësohet nga viti në vit

Nga viti në vit, po lindin gjithmonë e më pak shqiptarë, duke bërë kështu që demografia e popullatës së këtij vendi, të përkeqësohet gjithmonë e më tepër. Për të mos qenë më një lavdi si dikur, mes vendeve të tjera të botës, teksa bëhej fjalë për shtimin me ritme të shpejta të numrit të shqiptarëve. Një dukuri negative kjo, e cila e ka shoqëruar atë në vazhdimësi gjatë 27 viteve të fundit e që vërtetohet edhe nga të dhënat e fundit të referuara nga institucionet përkatëse. Kështu, sipas Institutit të Statistikave, shtesa natyrore e popullsisë shqiptar edhe për tremujorin e tretë të këtij viti ka qenë negative, saktësisht me një nivel rënës prej -46.7%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke folur kështu qartë për vazhdimësinë e trendit të pakësimit të lindjeve, kundrejt vdekjeve, i cili po çon në një “hendek” të thellë shtesën natyrore të shqiptarëve. Kësisoj, Shqipëria nga një vend me lindshmëri mjaft të lartë në Europë që është konsideruar deri para viteve ’90, sipas ekspertëve, po kthehet në një vend që po i afrohet nivelit evropian për këtë tregues. Madje, me një shifër aktuale prej rreth 1.67 fëmijësh për çdo grua, Shqipëria raportohet madje se vitet e fundit ka zbritur edhe nga 10 vendet e para për lindshmërinë në Evropë, teksa rezultojnë vetëm tre të tilla që kanë më shumë se 2 fëmijë për grua: Irlanda, Islanda dhe Franca. Ndërsa mesatarja evropiane për një tregues të tillë është rreth 1.52 fëmijë për çdo grua, nivel ky që me ritmet aktuale rënëse që po njohin nga viti në vit lindjet tek ne, ka shumë gjasa që të arrihet shumë shpejt prej Shqipërisë. Për t’u tejkaluar kështu edhe nga të gjitha vendet e rajonit ku ajo bën pjesë, konkretisht, nga Mali i Zi i cili e ka këtë tregues në nivelet rreth 1.65 apo Kosova në 1.98 etj.

 

Në Gjirokastër, Vlorë edhe Korçë, më shumë njerëz vdesin, se lindin

Ka tre rajone kyçe në Shqipëri, ku më shumë njerëz po vdesin sesa lindin. Duke mos mundësuar dot kështu vënien në zbatim të ‘teorisë së zëvendësimit’ dhe duke bërë që popullsia e tyre të shkojë gjithmonë drejt rënies. Kjo konfirmohet nga vetë ekspertët e statistikave në vend, sipas të cilëve teksa në tremujorin e tretë të këtij viti, shtesa natyrore e popullsisë regjistron normën më të lartë të saj në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 1.068 numrin e vdekjeve, ajo regjistron vlerë negative në tre qarqe të vendit: Gjirokastër, Vlorë dhe Korçë. “Vlera më e ulët është regjistruar në qarkun e Gjirokastrës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 56 numrin e lindjeve”, saktësojnë ata. Duke pranuar në këtë mënyrë dukurinë e përkeqësimit nga viti në vit të raportit mes lindjeve dhe vdekjeve në vend. Sikundër, shtojnë edhe faktin se është pikërisht qarku i Gjirokastrës ai që ka shënuar edhe

numrin më të ulët të lindjeve gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, deri në nivelin negativ prej -42.3%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një dukuri kjo që sipas ekspertëve shpjegohet me nivelin e lartë të emigracionit që ka ky qark, rrjedhimisht edhe të martesave. “Numri i lindjeve për tremujorin e tretë të vitit 2017 ka qenë në total 7.203, duke shënuar një rënie prej -20.7%, në krahasim me tremujorin e dytë të vitit të kaluar 2016. Numri më i ulët i lindjeve regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, me vetëm 112 lindje, me një rënie në nivelin prej -42.3%, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2016”, citojnë saktësisht ekspertët e INSTAT-it.

 

Horizonte të reja demografike, ekspertët konfirmojnë dukurinë

Që Shqipëria po përjeton horizonte të reja demografike, këtë e konfirmojnë vetë ekspertët në një studim të posaçëm, publikuar para pak vitesh, i cili mban të njëjtin emër. Sipas tij, dekada e fundit ndërmjet censuseve të vitit 2001 dhe atij të vitit 2011 ka qenë një periudhë historike nga këndvështrimi demografik. “Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ishte vendi i fundit në Evropë, i cili ka përfunduar tranzicionin e parë demografik, duke humbur një numër të paprecedent të popullsisë dhe e rimodeluar përbërjen e saj demografike”, cilësojnë ata. Për të shtuar më tej faktin se “popullsia banuese Shqiptare ka pësuar rënie me nivelin prej -8.8% që nga censusi i mëparshëm në vitin 2001 dhe madje me nivelin prej -12% që nga censusi i vitit 1989”. Vetëm gjatë vitit të kaluar, raportohet se popullata e Shqipërisë në tërësinë e saj ka qenë në nivelin prej 2.886.026 banorësh, duke pësuar një rënie prej 6.276 të tillë, krahasuar me një vit më parë. “Numri i lindjeve ka pësuar një rënie prej 2.539 lindje ndërkohë numri i vdekjeve është rritur me rreth 1700 persona krahasuar me vitin e mëparshëm”, raportojnë gjithashtu ekspertët. Për të dhënë kështu një panoramë të shfrenuar të treguesve demografikë, që sa vijnë dhe përkeqësohen lidhur me raportin lindje-vdekje në vendin tonë. “Reduktimi i përmasave të familjes ka vazhduar në dekadën e fundit ndërmjet censuseve deri në 3.9 pjesëtarë mesatarisht. Ky reduktim mund t’i atribuohet rënies së lindshmërisë, por krahas kësaj gjithashtu edhe reduktimit të familjeve të përbëra me më shumë se një bërthamë familjare”, saktësojnë ekspertët.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: