"POLI I 3-TË" DO T'I NDRYSHONTE BALANCAT ELEKTORALE – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA

"POLI I 3-TË" DO T'I NDRYSHONTE BALANCAT ELEKTORALE – OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA

Nga Eduard Zaloshnja

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Para disa ditësh, Agron Duka postoi në rrjetet sociale, një fotografi në të cilën shiheshin të mbledhur në një tryezë, ai vetë, Ben Blushi, Bamir Topi, Dashamir Shehi, Vangjel Dule e Nard Ndoka. Ajo fotografi bëri xhiron e mediave online në Shqipëri, të cilat aludonin për krijimin e një poli të tretë politik, që do të bashkonte në një front të vetëm rreth 10 parti të vogla parlamentare e jo parlamentare (ku mund të përfshihen PAA, LIBRA, FRD, LZHK, PBDNJ, PDK, SFIDA, PDS, AKZ, etj.).

Në këto kushte, në sondazhin elektronik të këtij muaji (në serinë e sondazheve që kam zhvilluar muajt e fundit, për një revistë që botohet këtu në anglisht), partitë e mësipërme i testova si një pol më vete. Konkretisht, të anketuarit iu përgjigjën (përmes klikimit), këtyre dy pyetjeve:

Për kë do të votonit, nëse do të zhvilloheshin zgjedhjet sot?

1-      PS/PDIU/PSD;

2-      PD/LSI/PR;

3-      PAA/LZHK/PBDNJ/PDK/LIBRA/FRD/SFIDA/PDS/AKZ/etj.;

4-      S'e di/S'votoj

Për kë votuat në 25 qershor?

1-      PS/PDIU/PSD;

2-      PD/LSI/PR;

3-      LIBRA/FRD/SFIDA/PDS/AKZ/etj.;

4-      S'votova

Sondazhi u krye me 2100 të anketuar në rang kombëtar (në shkallën 1/1000). Kampioni u ripeshua, për ta përfaqësuar elektoratin shqiptar sa më mirë, demografikisht dhe politikisht. Maksimumi i marzhit të gabimit për këtë sondazh, ishte plus/minus 2.5%.

Duke i përkthyer shifrat e sondazhit në numër votash (shihni grafikun 1), rezulton se koalicioni mazhoritar (PS+PDIU+PSD), do të merrte sot rreth 750 mijë vota; koalicioni opozitar do të merrte rreth 680 mijë vota, dhe "Poli i 3-të" (PAA/LIBRA/FRD/LZHK/PBDNJ/PDK/SFIDA/PDS/AKZ/etj.), do të merrte rreth 70 mijë vota. (Rreth 600 mijë votues janë të pavendosur për të marrë pjesë në zgjedhje, ose janë të vendosur për të mos marrë pjesë në to).

Në qoftë se krahasojmë votat e sotme me të 25 qershorit (shihni grafikun 2), vërejmë se shumica (PS+PDIU+PSD), ka një rënie prej rreth 80 mijë votash, ndërsa opozita ka të njëjtin numër votash që kishte në 25 qershor. Kësaj të fundit i janë shtuar një numër votuesish (nga ata që nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 25 qershorit), ndërkohë që i kanë ikur drejt Polit të 3-të, po aq votues sa ç'i janë shtuar (duke mbetur kështu në të njëjtat kuota si në 25 qershor).

Këto rezultate tregojnë qartë që, nëse "Poli i 3-të" i bashkohet koalicionit PD+LSI+PR, krijohet një barazi statistikore mes shumicës dhe opozitës. Një dalje më vetë e këtij poli, do ta ndryshonte ndjeshëm këtë balance, në disfavor të opozitës PD+LSI+PR.

Kuptohet që një "Pol i 3-të", është ende hipotetik. Në qoftë se ky pol do të zyrtarizohet, ta do mendja se drejtuesit e tij do të bëjnë një fushatë mediatike, në të cilën do të shpalosin programin e tyre politik, si dhe çështjet ku do të përqendrohen më shumë. Si rezultat, elektorati i tyre mund të zgjerohet, në vartësi të ndjeshmërisë së elektoratit ndaj këtyre çështjeve, si dhe të besueshmërisë që do të jenë në gjendje të krijojnë drejtuesit e "Polit të 3-të".

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: