PRESIDENTI, ILIR META, PËRMES CA RRËFENJASH TË SHKURTRA DHJETORI – KOMENT NGA ALFRED PEZA

PRESIDENTI, ILIR META, PËRMES CA RRËFENJASH TË SHKURTRA DHJETORI – KOMENT NGA ALFRED PEZA
Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Presidenti, Ilir Meta, megjithëse me një barrë goxha të madhe përvoje politike mbi supe dhe një karrierë të jashtëzakonshme për moshën, duket se ende nuk ndihet plotësisht i sigurt, në pistën e re të vrapimit të 5 viteve të ardhshme. Po të ishte thjesht dhe vetë për të personalisht, shumëkush do të kishte firmosur që tani për realizimin nga ana e tij, të mandatit më të suksesshëm që ndonjë President i Shqipërisë ka interpretuar qysh nga rrëzimi i komunizmit në Shqipëri. Asgjë nuk i mungon për këtë. As njohja e politikës së brendshme, sistemit dhe mentalitetit të elitave. As njohja e institucioneve, e shtetit dhe e raporteve rajonale dhe ndërkombëtare.

Por, me sa duket, as të gjitha këto nuk mjaftojnë, sepse jetojmë në një vend, ku pikërisht atëherë kur mendon se i ke dhe i ke arritur të gjitha, nis e kupton se të paska zënë ndoshta edhe halli më i madh. Kjo qasje nuk ka të bëjë me atë që Nënë Tereza thotë në poemën e saj të njohur, se sa më lart ngjitesh, aq më shumë miq të rremë e armiq të egër, do të fitosh në jetë. Jo. Sepse Meta i ka patur herët dhe me siguri që do t’i ketë me tepri, gjatë gjithë jetës, si miqtë ashtu edhe armiqtë. Nuk është thjesht diçka e investuar për arsye personale. Por sepse, me sa duket, kështu funksionon politika në Ballkan dhe në Shqipëri, sigurisht.

Ngërçi, vështirësia dhe të gjitha gjërat e tjera që me sa duket i ushqejnë dhe i mbajnë gjallë pasiguritë e Ilir Metës, nuk kanë të bëjnë as me të shkuarën dhe as me të ardhmen e tij, por me të tashmen. Veç të tjerash, ajo me sa duket ndikohet nga raporti që Presidenti i një Republike Parlamentare si ai, ka me partinë e dytë më të madhe opozitare në Shqipëri, LSI-në. Një parti që ai e krijoi, e rriti dhe e lartësoi, e cila tani udhëhiqet nga bashkëshortja e tij.

Nga ana kushtetuese, ai përfaqëson unitetin e popullit dhe nuk mund të jetë as anëtar partie dhe as të kryejë ndonjë veprimtari tjetër private. Ndërsa, nga ana njerëzore, ai gëzon të gjitha të drejtat natyrore e të ligjshme, si çdo qytetar tjetër i thjeshtë i kësaj Republike. Pikërisht, atje ku deri dje qëndronte forca e tij, sot buron pasiguria e tij për të ardhmen.

Për ta kuptuar më mirë idenë e parashtruar në këtë tekst, do mundohem të sjell vetëm dy-tri shembuj të konsumuar përgjatë këtyre ditëve të këtij muaji, të cilat ilustrojnë, më së miri, edhe "ngërçet" e kreut të shtetit.

E para, në lidhje me seancën e votimit të Kryeprokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm më 18 dhjetor, ku ndodhi përplasja e fortë verbale, fizike dhe politike, mes shumicës dhe opozitës, si brenda ashtu edhe jashtë sallës së Kuvendit. Para, por sidomos pas kësaj ngjarje, çdo aktor dhe faktor i jetës së këtij vendi dhe çdo ndërkombëtar i interesuar, foli për këtë. Mbajti qëndrimin e vet. Pak rëndësi ka nëse mbajti anën e njërit apo tjetrit, të njërës apo tjetrës palë. E rëndësishme është që u shprehën dhe u artikuluan publikisht, pozicionet e tyre të qarta në këtë histori. I vetmi që nuk foli dhe ende nuk e ka thënë fjalën e tij për këtë çështje, është Presidenti i Republikës.

E dyta, pak ditë pas votimit të Kryeprokurorit të ri në Nju Jork, Shqipëria ishte në listën e 128 shteteve të tjera të botës, që votuan pro një rezolute që i njeh qytetit të shenjtë të Jeruzalemit, të drejtën që të vijojë të ruaj të njëjtin status që ka mbajtur historikisht, përkundër qëndrimit të SHBA-së dhe 8 shteteve të tjera, për ta "emëruar" atë si kryeqytetin e Izraelit.

Përkundër çdo praktike të mëparshme të institucionit që drejton, z. Meta i dërgoi një letër Presidentit amerikan, Donald Trump, ku mes të tjerash, deklaron se ai personalisht nuk ka qenë i informuar dhe i konsultuar për këtë vendim të Shqipërisë. Një hap ky që ka marrë kritika mjaft të forta nga zëra seriozë publikë, deri edhe nga ish-ministra të rëndësishëm të LSI-së, të kohës kur ai vetë e drejtonte këtë parti.

E treta, lidhet me firmosjen e dekretit për dhënien e shtetësisë, kreut të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, pas 25 vvitesh pritje dhe aktiviteti të tij në Shqipëri. Një akt sigurisht i fortë politik, që vetëm drejtues shteti me profilin e tij, mund ta marrin. Nga njëra anë, me siguri që ishte një mundësi për të kontribuuar në relaksimin edhe më shumë të marrëdhënieve të krijuara së fundi mes Tiranës dhe Athinës. Nga ana tjetër, edhe si një gjest simbolik për tërheqjen e vëmendjes së publikut, politikës dhe ndërkombëtarëve. Një akt nëpërmjet të cilit, me siguri është dashur të jepet një mesazh i caktuar, në lidhje me çështjet e zhvillimeve të brendshme të vendit.

Kaq mjafton për të kuptuar disi, natyrën e "ngërçeve" që ia prishin me sa duket qetësinë, humorin, ekuilibrat, rrjedhën normale dhe natyralitetin e ushtrimit të detyrës. Për të shijuar në këtë mënyrë me dashurinë e duhur, "luksin" që të ofron detyra dhe posti i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në një situatë dhe rrethana të tjera, nga këto ku ndodhet Ilir Meta sot.

Megjithatë, ai ka fituar shumë sfida gjatë këtyre 27 viteve jetë aktive politike. Madje, edhe atëherë kur i kishte të gjithë kundër dhe dukej se ishte i vetëm. Sikundër ka fituar edhe përballë shumë armiqve të mëdhenj e të egër. Tashmë kur duket se i ka arritur të gjitha, i mbetet të fitojë në fakt, atë më të vështirën. Të fitojë atë më të pakuptueshmen dhe më të papërballueshmen luftë, që njeriut i bie të bëjë në jetë, luftën me vetveten. A do t’ia dalë dot? Kjo është çështja!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: