“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Prishja e laboratorit të patates, gjesti më i madh demokratik...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Prishja e laboratorit të patates, gjesti më i madh demokratik...
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot me një lajm të mirë, që në fakt e solli dje gazetarja simpatike Eglantina. Ajo na bëri të ditur që Instituti i Patates dhe Qepës, ka vite që është mbyllur.

Themi "lajm të mirë", pasi mendojmë se, prishja e një Instituti që merrej me pataten, përbën një veprim demokratik. E themi këtë gjë, pasi dihet dashuria e madhe e shokut Enver për pataten. Janë emblematike fjalët e tij: "Patatja është edhe bukë, por edhe gjellë..."

Duke u distancuar nga enverizmi, nuk kishim përse tani të mbanim një Institut, i cili kujdesej për pataten, si perime që donte të hante udhëheqësi, por që më shumë se ai, "pataten e hëngri" populli.

Duke qëndruar te problemet e bujqësisë. Dje, mësuam se laboratori ku bëheshin analizat e tokës, u përmbyt nga shiu i rënë ditët e fundit.

Ne, si redaksi e Antenës, i bëjmë thirrje qeverisë, të mos investojë në ringritjen e këtij laboratori. Neve e dimë edhe pa bërë analizat se, cilësia e tokës sonë, është nga më të këqijat. Këtë e tregon fakti që, me mijëra vetë largohen çdo vit nga Shqipëria.

Nëse cilësia e tokës sonë do ishte e mirë, nuk kishte përse njerëzit të largoheshin.

Një argument tjetër që do të jepnim për cilësinë e tokës, është klasa politike. Është kjo tokë që ka lindur këtë klasë.

E meqë ra llafi te lindja: E kupton që vendi po shkon drejt Perëndimit, kur merr vesh p.sh.,

se në Gjirokastër janë bërë koprracë edhe me numrin e lindjeve.

Një qytet me arkitekture otomane, nuk meriton të rritet, tani që po shkohet në Europë.

Gazeta jonë pardje dhe dje, pasqyroi marshimin drejt Tiranës, që bënë punëtorët e rafinerisë së Fierit. Mirëpo, ne si redaksi, vumë re diçka:

Rafineruesit e naftës në Fier, paskan qënë njerëz të rafinuar, sa nuk e kanë shokun. Ata e nisën marshimin në këmbë dhe pastaj hipën në autobusë. Marrë shkas nga ky veprim, redaksia e Antenës, ngre dyshimin te protesta e tyre. Ne nuk mendojmë se qeveria, e cila e kap shkelësin e ligjit qoftë edhe me qoshe rrugice duke shitur qepë, nuk ka bërë punën në rastin e këtyre rafineruesve të rafinuar.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: