Shorti për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KED, kryeprokurori Llalla edhe sot në detyrë

Shorti për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KED, kryeprokurori Llalla edhe sot në detyrë
Në Kryesinë e Kuvendit do të hidhet paraditen e sotme shorti për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Hedhja e shortit do të drejtohet nga nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi, e cila është edhe një nga anëtarët e Komisionit, që përgatiti paketën ligjore të Reformës në Drejtësi.

Shorti do të zhvillohet në prani të përfaqësuesve nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Në garë për t’u përzgjedhur si anëtare të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi janë më shumë se 100 kandidatë. Prej tyre do të përzgjidhen vetëm 9 gjyqtarë ose prokurorë.

Listat me kandidatë i janë paraqitur kuvendit dhe pas disa minutash, do t’i nështrohen përzgjedhjes së shortit të rastësishëm. Kjo është hera e dytë që parlamenti hedh shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Shorti i parë u hodh në 27 janar të këtij viti, në drejtimin e ish kreut të Parlamentit, Presidentit aktual Ilir Meta.

Ndërkohë po sot është dita e fundit e mandatit të kryeprokurorit për Adriatik Llallën.

Kryeprokurori megjithatë edhe sot ka vijuar qetësisht punën në zyrën e tij.  Në orët e para të mëngjesit informohet se Llalla ka zhvilluar takimin me stafin e punës ku ka ndarë punët dhe se do të vazhdojë të qëndrojë në zyrë deri në një vendim të Kuvendit.

Komisioni i Ligjeve shqyrton sot në 11:30 memon për miratimin e procedurës së caktimit të përkohshëm të Prokurorit të Përgjithshëm. Ndërkohë kryeministri Edi Rama ftoi kreun eopozitës Lulzim Basha për dialog lidhur me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të vendit.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: