“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Prokurori i Përgjithshëm, edhe po s'qe, do jetë i Përkohshëm...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Prokurori i Përgjithshëm, edhe po s'qe, do jetë i Përkohshëm...
Satirë

E meqë ra llafi te Prokuroria. Ne po ju shpjegojmë se, përse ne si rubrikë, nuk u morëm fare me problemin e zgjedhjes së atij, apo asaj që quhet Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm.

E para e punës, ne nuk na pëlqen përcaktimi "i Përkohshëm". Ja shpjegimi;

Gjithkush në këtë botë, është i përkohshëm. Edhe yjet madje që jetojnë miliarda vjet, një ditë shuhen. Pra, edhe ata janë të përkohshëm.

Të tillë janë edhe njerëzit, e për më tepër ata që rrinë dhe marrin rrogën në një vend pune, apo edhe në disa vend, si pjesë të disa bordeve.

Le të marrim për konkretizim, shokun Aranit Çela, p.sh. Ai qëndroi si Prokuror i Përgjithshëm, për dhjetëra vjet. Ama, fakti që edhe ai iku një natë nga detyra, e bën edhe atë t'i themi "Prokuror i Përkohshëm"

Përcaktimi më i drejtë mendojmë ne, do të ishte "Prokurori i Emergjencës", apo "i Urgjencës". Vini re, ju lutem, këtë përcaktim!

I Urgjencës! Pra, një gjë që ka për karakteristikë se është bërë me nxitim.

Siç e shihni, jo më kot prokurori që duan të vendosin, nuk e quajnë ashtu siç në të vërtetë duhet të quhet, pra, "Prokurori i Urgjencës"

Në ngjarjet e këtyre 27 viteve, është parë qartë se në ç'gjendje katastrofale është Urgjenca. Ne, para disa ditësh, sollëm edhe trajtimin e lajmit të Urgjencës Mjekësore të Tiranës, ku disa mjekë atje, e lanë punën fare.

Le te marrim e shikojmë nëse doni, një Emergjencë tjetërm p.sh., si Fondi i Emergjencave.  Përmbytjet e ndodhura gjatë gjithë këtyre viteve kanë treguar si ajo është copë-copë. Mezi gjen dy kile miell për t'ju shpërndarë fatkeqëve.

Ndaj nuk përdoret përcaktimi "Prokuror i Urgjencës", apo "Prokuror i Emergjencës", pasi,  që në emër, do merret me mend se si do jetë ky prokuror. Nëse nuk besoni, shikojeni pasi të zgjidhet. Do jetë njëlloj si ky që iku.

Problemi i Prokurorit të Përgjithshëm qëndron te fakti se ai e ndjen veten të Përkohshëm, prej momentit që shkon në atë vend pune. Pra, e di që nuk e ka të gjatë. Kështu, duke e ndjerë veten të tillë, mendon që, të kap sa të kap, e të bëj ca valixhe me pará, se s'do ketë shumë kohë...

Çështja, pra, shtrohet jo te përkohshmëria e tij, por te ajo se sa pushtet i lihet atij, që të bëjë atë që ia kërkon detyra. Mirëpo, edhe Prokurori shqiptar është. Mos mendoni se do bëjë namin edhe ky që do vijë tani. Siç edhe e shkruajtën dje kolegët tanë, shqiptarët kanë efikasitetin më të ulët në punë, krahasuar me çdo vend tjetër. Madje, edhe me Kosovën.

E kur gjithë shqiptarët janë të tillë, si mund të presësh nga një Prokuror i Përgjithshëm që të jetë ndryshe! Nuk kemi ne, sy e faqe, që t'i themi, puno e bëj namin, kur vetë rrimë!

Është si ajo ngjarja me pulën në kohën e monizmit. U rrit çmimi i vezës nga 8 lekë, në 10 lekë. I tha një punonjës pulës: Forca nashti, nxirr më shumë vezë! –“Nuk shqyej menderen unë për 2 lekë më shumë”, - iu përgjigj pula.

E kështu, edhe me Prokurorin. S'ka përse "shqyhet" e të arrestojë çdokënd që ka bërë lekë me thasë. Ndryshe klasa politike bëhet bashkë dhe e heqin që të nesërmen nga detyra. Dy duar për një kokë janë. Dhe çdokush nga politika, duart i ka. Kokën po ashtu...

Ka vetëm një zgjidhje. Kur të rritet efikasiteti i shqiptarëve në punë, do rritet edhe i Prokurorit të Përgjithshëm.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: