PS mbledh firmat, vetëm dy kandidatë për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm

PS mbledh firmat, vetëm dy kandidatë për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm
Partia Socialiste do t’i propozojë Parlamentit vetëm dy nga tre kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm. Kujtojmë se procesi i përzgjedhjes së një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm, në kushtet kur mandati i Adriatik Llallës përfundoi më 7 dhjetor, ka marrë mbështetjen edhe të dy misioneve që asistojnë Shqipërinë, OPDAT-i i Shteteve të Bashkuara dhe EURALIUS-i i Bashkimit Europian.

Burime pranë maxhorancës kanë konfirmuar për gazetën “Panorama” se deputetët e Grupit Parlamentar të PS-së kanë hedhur firmat për të mbështetur vetëm nga dy mes kandidatëve Arta Marku, Ferdinand Elezi dhe Ermira Tafani.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi, shpjegoi se në nenin 111 të rregullores së Kuvendit është parashikuar vendimmarrja që kërkon mbledhjen e të paktën 28 firmave për kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm. “Rregullat e lojës nuk kanë ndryshuar në mes të procesit, por aty kanë qenë dhe janë ende.”-u shpreh Hysi.

Rregulli për të paktën 28 firma për të mbështetur një kandidaturë parashikohet në nenin 111 të Rregullores së Kuvendit dhe është parashikuar edhe në vendimin e miratuar të Komisionit të Ligjeve.

PS ka në total 74 mandate dhe në këtë mënyrë është vendosur të mbështeten vetëm dy nga tre kandidatët që kaluan filtrin e Komisionit të Ligjeve, duke e eliminuar automatikisht një nga emrat. Nisur nga mungesa e numrave, përmes një vendimi politik, PS do të mbështesë vetëm dy emra për të sjellë në seancë dhe do të votojë vetëm një kandidat për të qenë Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm.

Deputetët e Grupit Parlamentar socialist kanë mundësinë të zgjedhin vetëm një herë për emrin që do të mbështesin për të sjellë në seancë plenare. Sipas Hysit, procedura që kërkon mbështetjen me 28 firma të një kandidati për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm nuk është e vetmja. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve ka shpjeguar se 28 firma kërkohen edhe për drejtuesit e tjerë të institucioneve kushtetuese ose të krijuara me ligj.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: