“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Pse nuk u dhanë shifra për ndihmat që shpërndau bashkia e Tiranës? Për të mos bërë xhelozë...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Pse nuk u dhanë shifra për ndihmat që shpërndau bashkia e Tiranës? Për të mos bërë xhelozë...
Satirë

Siç e vutë re, në lajmin e shpërndarë për median nga ana e bashkisë së Tiranës, lajm që lidhej me përmbytjet, nuk kishte asnjë shifër.

E kemi llafin që nuk pati asnjë të dhënë se sa batanije për njerëzit, apo qentë u shpërndanë. Sasia e miellit, as nuk u bë fare publike. (Ato nuk bëhen publike kur shpërndahet për zgjedhje, e jo më tani që gjysmën e miellit në thes, e merr uji, tha një çupë e redaksisë.)

Sasia e shpërndarë e sheqerit, jo e jo. Ndoshta ky si asortiment, nuk është shpërndarë fare, pasi është marrë vesh se, të përmbyturit e pinë kafen shqeto, pa të.

As sasia e kripës, madje, nuk u tha. Ndoshta ky artikull nuk ju është shpërndarë të përmbyturve, pasi do ua merrte lumi, e do ta çonte prapë në detin e Greqisë, nga e cila na vjen direkt e në tryezat tona të mbushura plot pjata kineze.

Nuk po zgjatemi me artikujt e tjerë, si vaji i palmës meksikan, i kikirikut, apo i ullirit maroken.

Ne si redaksi zbuluam arsyen e mosdeklarimit të sasisë së ndihmave, që iu dërguan të përmbyturve në zonën që përmbledh bashkia e Tiranës

Mosdeklarimi nuk është bërë, sepse bashkia është jo transparente. Nuk është aspak kështu, siç mendojnë disa. Po të mos ishte jo transparente, ajo nuk do kishte marrë çmimin, nga organizata që vëzhgon dhe mban vesh këtë gjë.

Mosshpallja, apo siç thuhet në gazetari, mosdeklarimi, është bërë që mos të ndihen keq dhe xhelozë, banorët e përmbytur të bashkive të tjera të vendit.

Ja pra, këtu shfaqet edhe një element që tregon se shoku Erion Veliaj, mendon jo vetëm për banorët e qytetit që ka për detyrë, por edhe për banorët e vendit.

E nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Një ditë, ai do jetë Kryeministër...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: