PSE PO E KËRCËNON EDI RAMA BASHKIMIN EVROPIAN? - ANALIZË NGA VIRGINIA HALL

PSE PO E KËRCËNON EDI RAMA BASHKIMIN EVROPIAN? - ANALIZË NGA VIRGINIA HALL
Nga Virginia Hall

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në një konferencë të mbajtur nga forumi “Miqtë e Evropës” në fillim të Nëntorit në Bruksel, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama lëshoi një ultimatum me anë të të cilit sugjeronte se “Shqipërisë po i soset durimi me ngecjen e procesit të integrimit nga ana e Bashkimit Evropian”. Dhe Rama vazhdoi deklaratën e tij duke vendosur një afat e duke aluduar se nëse Shqipëria nuk i fillon bisedimet e procesit të integrimit deri në korrik 2018, atëherë Tirana do t’i rishqyrtojë përparësitë e saj politike dhe do të fillojë të punojë fort me aktorë të tjerë ndërkombëtarë. Analistët e kanë interpretuar këtë si një qëllim për t’u dhënë përparësi marrëdhënieve me Rusinë, Kinën dhe Turqinë.

“BE-ja ka ofruar një plan për reformat dhe ka shërbyer si një forcë ndryshimi në Ballkanin Perëndimor. Kështu, ne jemi të vendosur që të jemi pjesë e familjes evropiane. Megjithatë, unë nuk i kuptoj disa politikanë që nga njëra anë mbështesin ‘Evropën e bashkuar’ dhe nga ana tjetër na kërkojnë që të presim derisa të zgjidhen problemet e brendshme. Nëse është kështu, atëherë ne do ta hedhim vështrimin nga Kina, Rusia dhe Turqia për një alternativë”, tha Rama.

Një nga arsyet pse Rama flet me këtë gjuhë, lidhet me faktin se bisedimet e integrimit do të shërbenin si një shmangie e vëmendjes nga skandalet e korrupsionit dhe të drogës që kanë si protagonist kryesor ish-ministrin e Brendshëm të qeverisë së tij, Saimir Tahiri. Tahiri dhe kushërinjtë e tij, vëllezërit Habilaj, janë nën hetim si nga drejtësia italiane, ashtu dhe nga ajo shqiptare. Autoritetet shqiptare kanë lëshuar një urdhër arresti, ndërkohë që prokuroria e Katanias, në Itali, po ngre akuza të reja për veprën e falsifikimit.

Sipas një deputeti shqiptar, i cili donte të mbetej anonim, “ditët e Tahirit jashtë burgut janë të numëruara, por çështja më e rëndësishme lidhet me faktin se kë do të tërheqë ai me vete. Tahiri po i bën shantazh qeverisë”. Tahiri përballet me akuza për përfshirje në manipulimin e zgjedhjeve të qershorit 2017. Nëse kjo rezulton të jetë e vërtetë dhe ai thirret për të dëshmuar, atëherë dëshmia e tij mund të jetë mjaft e rëndësishme për qëndrueshmërinë e qeverisë.

“Armët më të forta të Edi Ramës janë mashtrimi dhe propaganda”, thotë kryetari i opozitës, Lulzim Basha. Ai shpjegon se kryeministri e di që perspektiva e anëtarësimit në BE mund të përdoret për ta shmangur vëmendjen nga një skandal në vend. Nëse Shqipëria do t’i hapte bisedimet në qershor 2018, opinioni publik do ta linte mënjanë çështjen Tahiri.

Megjithatë, media shqiptare është e bindur se skandali Tahiri është vetëm maja e ajsbergut.

Prokurorë në Katania, Itali dhe Shqipëri duken të vendosur për ta çuar përpara çështjen Tahiri. Kohët e fundit, policia shqiptare arrestoi një 25-vjeçar dhe biznesmen me emrin Orest Sota. Sota u kap me një shumë prej 863.000 eurosh në automjetin e tij dhe me dy licenca lundrimi në emrin e ish- ministrit Saimir Tahiri.

Nëse ai do të zhdukej, bashkë me të do të zhdukej edhe një problem i madh i qeverisë shqiptare. Por në këtë rast, kur policia konfiskoi edhe celularin e Sotës, ajo zbuloi mesazhe të shkëmbyera mes tij dhe gruas së Tahirit, ku diskutoheshin marrëveshje dhe tendera.

Regjistrime të fundit mes vëllezërve Habilaj sugjerojnë se ata kanë blerë stoli të kushtueshme diamanti si dhuratë për gruan dhe nënën e Tahirit. Shumë shpejt, pritet të bëhen publike dëshmi të reja. Krahas kësaj, qeveria e Ramës po përpiqet që ta zbutë çështjen e Klement Balilit. Burime qeveritare në Athinë thonë se Balili, kreu i trafikut të drogës në Shqipëri, për shumë vite ka arritur t’i shpëtojë arrestimit, pjesërisht falë mbështetjes politike që gëzon në vend.

“E gjithë policia e shtetit është e korruptuar”, është akuza që ngre ish-kryeministri Sali Berisha. Disa javë më parë, prokuroria shqiptare lëshoi urdhër arreste për tre ish-drejtues policie: Sokol Bode, Jaeld Çela dhe Gjergji Kohila. Këta persona akuzohen për trafik droge. Që të tre drejtuesit e policisë ishin emëruar nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Por, ata janë arratisur nga vendi para se të ekzekutohej urdhri i arrestit. Berisha deklaroi se “vetë kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj bashkë me drejtorin e përgjithshëm të policisë, Haki Çako, po ofrojnë mbrojtje për baronët e drogës të veshur me uniforma, si Kohela, Bode dhe Çela”.

Pas arrestimit të Orest Sotës, u gjetën një sërë mesazhesh të shkëmbyera mes tij dhe Jaeld Çelës, ku demaskohej rrjeti i komunikimit mes Tahirit, Sotës dhe Çelës.

Qeveria Rama përballet me shumë skandale. Me një situatë kriminaliteti që ka arritur kulmin dhe me mjete lundruese të ngarkuara me tonelata kanabis shqiptar, që kapen në vendet fqinje, autoritetet greke dhe italiane janë të alarmuara. Kufijtë shqiptarë kanë një nivel më të ulët sigurie sesa niveli i sigurisë që pritet nga një vend anëtar i NATO-s dhe bashkëpunimi kundër trafikut të drogës është më i ulët se ç‘duhet. Në raportin e dhjetorit 2017, Europol-i doli në përfundimin se: “Shqipëria mbetet një burim i barit të kanabisit që trafikohet për në BE”.

Sipas disa përllogaritjeve, xhiroja e drogës në Shqipëri kap shifra prej 5 miliardë eurosh, apo afro 50% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Ndërkohë që FBI-ja po heton raste të pastrimit të parave në Shqipëri, vendi vazhdon të mbetet si një ndër më të varfrit në Evropë.

Gjashtë muajt në vijim janë vendimtarë për kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Sipas burimeve brenda Partisë Socialiste, nëse bisedimet për integrimin nuk fillojnë në qershor të vitit 2018, ai nuk do të jetë në gjendje që të kontrollojë katër skandale të tjera ministrore. Janë të pakta gjasat që spekulimet gjeopolitike t’u shërbejnë interesave të Shqipërisë, por Tirana do medoemos të fitojë besim dhe legjitimitet nëpërmjet nismave të guximshme që burojnë nga politikat e jashtme. Kjo nuk është hera e parë që Brukseli përballet me këtë dukuri në Evropën Juglindore.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: