Qaka pëlqehet nga Sampdoria, Skënderbeu ndjek me interes divorcin Kaçe-Paok

Qaka pëlqehet nga Sampdoria, Skënderbeu ndjek me interes divorcin Kaçe-Paok
Disa futbollistë të kombëtares, të detyruar të ndryshojnë ekip në janar. Kamer Qaka drejt Seria A, Ledian Memushaj kërkohet nga Frosinone, Ergys Kaçen që ikën nga Paok, e do edhe Skënderbeu  

Aranit Muraçi

Sampdoria interesohet për futbollistin e Kombëtares shqiptare, Kamer Qaka, i cili u afrua nga Christian Panucci pak kohë më parë, në kampin kuqezi.

“Seria A më pëlqen,” – u shpreh Qaka mbi interesimin për mediat italiane, por pa dhënë detaje mbi ekipin e interesuar. Megjithatë mediat italiane kanë zbuluar interesimin e klubit të Seria A.  Kamer Qaka, mesfushor i Politehnica Lasi në Rumani, ishte folur më herët edhe nga presidenti i klubit rumun, mbi largimin e mundshëm në muajin janar. Por ai shtoi se Qaka nuk do të largohet pa 1 mln euro, çka do të thotë se për një klub të Seria A, kjo shumë është e përballueshme. Mediat pranë Sampdorias raportojnë se skautët i kanë sugjeruar emrin e Qakës këtij klubi, si përforcimin e parë të muajit janar.

Por muaji janar pritet të sjellë ndryshime për disa lojtarë të tjerë të kombëtares sonë. Ledian Memushaj dhe Berat Djimshiti, pjesë të skuadrës së Benevento, janë drejt largimit. Skuadra e tyre e Seria A, me një pikë të vetme në mbyllje të pjesës së parë të këtij sezoni, pret zbritjen në një kategori më poshtë. Pa nisur ende merkatoja e janarit, Memushaj kërkohet nga dy klube të tjera italiane, Frosinone e Kievo. Skuadra më e interesuar për të, është Frosinone, sipas medieve të specializuara të merkatos. Naser Aliji pa ekip, pret gjithashtu të ndryshojë mjedis, sikurse edhe Burim Kukeli te Sion.

Por me më shumë interes pritet të mësohet e ardhmja e mbrojtësit të Paok, Ergys Kaçe. Pasi humbi vendin në kombëtare, Kaçe është në kërkim të një skuadre te re. Ai ka luajtur për herë të fundit me Paok në fund të muajit nëntor në një ndeshje kupe, duke shprehur pakënaqësi mbi aktivizimin e paktë. Bashkë me menaxherin, Kaça gjatë muajit dhjetor ka qenë i fokusuar më tepër mbi të ardhmen që e pret, ku dëshiron një ligë më të fortë në Europë. Gjithsesi, nga kjo situatë mund të përfitojë Skënderbeu, që mësohet se i ka bërë një ofertë të majme, nëse gjatë janarit mbrojtësi nuk gjen klubin që ai dëshiron. Ashtu siç veproi me Kristi Vangjelin, Skënderbeu e sheh Kaçen pjesë të projektit të vitit të ardhshëm, për fazën e grupeve të Champions League. Te Skënderbeu, Kaçe realizon edhe synimin e tij të dytë, që është rikthimi në kombëtare. Ecuria e mirë e Skënderbeut në kampionat dhe e ardhmja premtuese në Europë, i kanë hapur rrugë dy lojtarëve të tjerë të ekipit korçar, për të qenë pjesë e formacionit kuqezi, Orges Shehit e Sabjen Lilajt.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: