“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Riflet shoku Anastas Angjeli: Si më morën peng piratët, me gjithë banane

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Riflet shoku Anastas Angjeli: Si më morën peng piratët, me gjithë banane
"Antena Jashtë Familjes" vjen sot me vazhdimin e bashkëllafosjes që bëmë në telefon, me shokun Anastas Angjeli, teksa ai ishte për një vizitë punë në SHBA.

Anastas Angjeli: Aty jeni? Më falni që ju bëra të prisni, por isha në ceremoninë e dorëzimit të një dhurate mjaft të çmuar, posaçërisht për mua!

Antena: A mund ta dimë se çfarë është, shoku Caci?

Anastas Angjeli: Një gjë simbolike dhe mjaft e bukur. Ma dhuruan kur ju thashë që të vinin të bënin investime në Shqipëri, pasi Beni Ahmetaj ka krijuar klimë shumë të favorshme. Është një anije bananeje, e bërë shumë bukur.

Antena: Anije me banane?! Po shumë mirë. Do i sillni në...?

Anastas Angjeli: Jo mo, gjigand, jo! Thashë anije bananeje, jo anije me banane. Anijen me banane do e sjell më vonë, në atdhe. Kush të fal një anije me banane, mo gjigand?! Ja të ta dërgoj foton e kësaj anijeje. Kur të mbrij në Shqipëri, do shkoj të takoj zgjedhësit e mij të zonës, e do ja u dhuroj bananen atyre. Duhet bërë për popullin. Ne të majtët sidomos, e kemi parim këtë gjë. Duhet sakrifikuar. E di ti ç'kam bërë unë mo, meqë ra llafi te sakrifica?

Antena: Jo shoku Caci, nga ta di unë. Ma thoni, e po mbusha që ta kuptoj, do e di...

Anastas Angjeli: Erdha në Amerika mo, e nuk shkova të shikoja shtëpinë që kam blerë në Boston. E kush e bën këtë gjë, që të rrijë pa shkuar në shtëpi.

Antena: Nuk shkuat në shtëpi? Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Shumë gabim keni bërë, shoku Caci! Të shkonit dhe me avion madje, të paguar nga qeveria.

Anastas Angjeli: S'më lanë takimet që kryem, mo. Së bashku me Gramozin dhe Taulantin mund të kemi takuar e pakta, 100 amerikanë me pushtet. E të gjithë më lëshoheshin mua, e më puthnin. Kush e kush të më puthte më shumë. Sa puthje kam marrë këto dy ditë, nuk ka dhënë Erion Veliaj për 15 vjetë...

Antena: Përse ju puthnin, shoku Caci?

Anastas Angjeli: E o mirë, se edhe ty të puthnin o Lanti. Kam Taulantin këtu. I mberi hatri që thashë, që më puthnin vetëm mua. Si përse, o gjigant! Po e kishin marrë vesh që unë kam hapur një universitet, ndaj. Amerikanët i adhurojnë njerëzit që hapin universitete dhe nuk nxjerrin asnjë fitim. Se universitetet këtu nuk janë biznes. Kupton?

Antena: Ju kuptoj, po. Desha t'ju pyes për atë çështjen që na i thatë dje, të piratëve somalezë, që ju morrën peng. A mund të na thoni si ndodhi?

Anastas Angjeli: A, po! Edhe tani kur e kujtoj, llahtarisem! Më kapën me të pabesë. Isha te anija që po sillte bananet. Ishte natë. S'i dalluam fare kur hypën në anije. Unë kisha dalë në kuvertë e po mendoja për investimet në vend, kur më hidhen përsipër disa vetë e më plasën në vend. Në fillim kujtova se ranë arkat me banane. Mos, thashë, po bien arkat në det, e nuk do kenë ç'të hanë shqiptarët e mi. Direkt e te populli më shkoi mendja. Më lidhëm e më kërkuan pará, piratët e poshtër.

Antena: Sa ju kërkuan?

Anastas Angjeli: 10% donin. "Kaq ryshfet marrin në vendin tuaj edhe zyrtarët. Mendoni sikur po ja paguani doganës", - më thanë.

Antena:  E çuditshme! Po ata nga e dinin këtë gjë?

Anastas Angjeli” Teksa prisnin që të kalonte ndonjë anije, që ta sulmonin, lexonin lajme ndërkombëtare. Donin të njihnin situatën, me sa duket. Kishin në xhep p.sh., raportet e Bankës Botërore. Se mos kanë pune tjetër për të bërë ata.

- Po ç'lekë zeza doni nga unë, - i thashë atyre të zinjve. Unë i ziu jam me kredi nëpër banka. Dhe ju tregova letrat e kredive, që kam për të paguar.

Ju iku mendja kur panë sa kredi paguaj unë. Po ky mavriu qenka më keq se ne, tha kryepirati. Paska 90 mijë euro për të paguar kredi, për makinën. - Po ku të bën banania të pasur, o gjigand, i thashë unë.

- Ashtu është. Po të qe ndryshe, do ishim neve te pasur që jemi rritur nën banane, tha një pirat tjetër. E më lëshuan pas dy orësh. Nuk shkoj më të marr banane në Afrikë. Fola me disa këtu në Amerikë, që të marr banane në Peru, e t'i kaloj nga Kanali i Panamasë. Ata piratët pastaj, mo gjigand, jo vetëm që më lëshuan, por edhe qanin, kur panë kreditë e mia. Mos qani ju thashë mo, mos qani! Po ku dëgjonin ata, mo.

Antena: Edhe në atë situatë, menduat për tjetrin. Bravo!

Anastas Angjeli: S'doja të qanin mo, gjigand, se kisha merak se mos më kripeshin bananet, nga lotët e tyre.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: