“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Riflet shoqja Nexhmije Hoxha: Shoqja Vito Kapo gënjen, kur thotë që Hysniu ishte besnik

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Riflet shoqja Nexhmije Hoxha: Shoqja Vito Kapo gënjen, kur thotë që Hysniu ishte besnik
Sot, po sjellim vazhdimin e bashkëllafosjes që bëmë me shoqen Nexhmije...

Antena: Po kjo që është varur këtu në mur, në anën tuaj të djathtë, çfarë është? Kjo ku shkruhet, "Vendim". Qenka marrë si vendim në maj të vitit 1958, me sa shoh. Përse bëhet llaf?

Nexhmija: Ai është një vendim i Byrosë Politike. Jo vetëm konservat e mishit të britanikëve gjatë luftës, por edhe ky vendim, ma sëmuri Enverin.

Antena: Me ç'lexoj këtu, shkruaka që, shoku Enver duhet të punojë vetëm prej orës 9-13 të ditës dhe të pushojë jo më pak se tre muaj në vit...!

Nexhmija: Pikërisht, ia bënë për ta rrënuar fizikisht. Nëse do që ta shkatërrosh dikë, lere pa punë. Siç e shikon, idenë për këtë, e ka dhënë armiku Mehmet Shehu. Mehmeti e propozoi, e Hysni Kapoja, me të shpejtë, e ktheu në vendim. Shoqja Vito Kapo gënjen kur thotë që Hysniu ishte besnik. Këtu duket qartë që, Hysniu i ka dashur të keqen Enverit.

Antena: Tre muaj pushim në vit?! Vërtet shumë më duken edhe mua.

Nexhmija: Kur e kujtoj tani, më zënë të dridhurat. Bridhnim nga një kamp pushimi në tjetrin, tre muaj në vit, në ato rrugë të vjetra të bëra që në kohën e austro hungarezëve. Ç'të bënim, duhej zbatuar vendimi i Partisë. Unë e di ç'kam hequr, kur më kthehej më orën 1 të drekës në shtëpi, Enveri im! Kur e kujtoj, më dridhet akoma trupi...

Antena: Keni vuajtur? Përse?!

Nexhmija:  Nuk ka më keq se, të të kthehet burri nga puna shpejt. Të lodh veshët, gërr-vërr, me zënka gjithë kohën në shtëpi.

Antena: Qenka në kornizë edhe ky procesverbali nga mbledhja e Byrosë, për moslejimin e derrave në fshat. Po këtë, përse e mbani?

Nexhmija: E mbaj që ta shikojë mbarë populli, e të kuptojë që idenë për heqjen e derrave, të kafshëve dhe shpendëve shtëpiakë, e dha Enveri im.

Antena: Pse shoku Enver e paska dhënë atë ide?! Unë kujtoja se e kishte dhënë Mehmeti. Kështu thoshin e thonë. Enveri d.m.th. e ...?

Nexhmija: Edhe unë e kam dëgjuar që thonë se e dha Mehmeti. S'është e vërtetë! Atë ide,

e dha udhëheqësi i lavdishëm. E dha, sepse derrat dhe shpendët janë burim sëmundjesh.

Edhe tani pas dhjetëra vjetësh, Gripi i Derrave dhe i Shpendëve, po bën kërdinë te njerëzit.

E si mund të mos mendonte shoku Enver, për fshatarët tanë! Pak se mezi ushqeheshin me 30 lekë në ditë në kooperativë, por edhe gripërat ju duheshin!

Tani, më falni se më duhet të shkoj te Enveri. Do të shkoj të fle. Foton e tij e mbaj nën jastëk, e ndaj më duket se fle me Enverin tim...

Antena: Nuk jeni vetëm ju që e mbani, shoqja Nexhmije. Flm, për bashkëllafosjen ...!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: