Rrëfimi: Sa e vështirë është të jetosh me HIV në Shqipëri

Rrëfimi: Sa e vështirë është të jetosh me HIV në Shqipëri
Gjatë këtij viti, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik rezulton se janë zbuluar 81  raste të reja me HIV- AIDS. Më konkretisht përgjatë këtij viti janë prekur nga Hiv/ AIDS 56 meshkuj dhe 25 femra, mes të cilëve një është fëmijë

Sonila Isaku

Plot 3 vjet më parë një vizitë tek mjeku dermatolog  dhe më pas tek ata infeksionistë do të bënte që 28 vjeçari nga kryeqyteti të mësonte se ishte i infektuar ne HIV. Momentet e para për të kanë qenë tronditëse, aq sa nuk mund të mendonte dot se nga ishte infektuar. Edhe sot ai nuk di se ku e ka marrë sëmundjen ndërsa dyshin se dy mund të jenë rrugët ajo seksuale ose ndonjë transfuzion.  Personazhi 28 vjeçar, i cili nuk pranon të identifikohet pasi familjarët e tij nuk janë në djeni të sëmundjes, preferon ta quajmë Ani. “Të jetosh me HIV- thotë Ani- sot është mëse normale. Prania e HIV nuk më privon nga asnjë gjë, përveçse duhet të bëj një jetesë të rregullt dhe të ruhen qoftë edhe prej sëmundjeve më  lehta siç janë virozat apo gripi” pohon 28 vjeçari.

Gjatë këtyre 3 viteve i është dashur të përballet i vetëm më sëmundjen pasi askush nga familjarët e tij nuk është në djeni. Ai ka zgjedhur që “sekretin” e tij ta ndajë vetëm me partneren e tij. “Aktualisht bashkëjetoj. Partnerja ime e ka ditur problemin tim që në momentin që ne jemi lidhur dhe e kemi pranuar të dy, asgjë nuk ka pengon” tregon Ani.  Sa i përket diskriminimit, Ani nuk e ka hasur atë deri më tani për vetë faktin se ai e ka mbajtur të fshehtë  sëmundjen e tij, dhe po ashtu dëshiron ta mbajë edhe në të ardhmen. “Ekziston një lloj paragjykimi dhe stigmatizimi që njerëzit mendojnë për këtë lloj virusi, nuk kanë informacion të detajuar dhe është akoma tabu. Për këtë arsye, duke dashur të mbaj edhe pjesën time private jam munduar që të mos ta flas me persona të tjerë” tregon 28 vjeçari.

Rastet

Gjatë këtij viti, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik rezulton se janë zbuluar 81  raste të reja me HIV- AIDS. Më konkretisht përgjatë këtij viti janë prekur nga Hiv/ AIDS 56 meshkuj dhe 25 femra, mes të cilëve një është fëmijë. Ndërsa mësohet se numri total i të prekurve në vendin tonë është 1090 raste. Dita Botërore e Sensibilizimit kundër HIV dhe AIDS organizohet çdo vit më 1 dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV dhe AIDS dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie. Kjo ditë është një mundësi për të shpërndarë informacion lidhur me situatën e kësaj pandemie dhe për të inkurajuar përparimin në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin për HIV dhe AIDS në të gjithë botën, veçanërisht në vendet me prevalencë të lartë. Sipas të dhënave, meshkujt zënë numrin më të lartë të të prekurve. Grupmoshat më të prekura janë 35-44 vjeç, që zënë 30% të rasteve. Përqindjen më të ulët e zënë moshat mbi 65 vjeç me vetëm 2%. Sa i përket shpërndarjes gjeografike në vend, numrin më të larte të të prekurve nga virusi e mban Tirana, ndërsa numrin më të vogël Tepelena dhe Gramshi.

Dita ndërkombëtare kundër HIV-AIDS

Më 1 dhjetor, Ditën Botërore kundër HIV-AIDS (SIDA), Shqipëria u bashkohet vendeve të mbarë botës, për të luftuar “Sëmundjen e shekullit”. E vendosur që në vitin 1988, 1 dhjetori i çdo viti është një ditë reflektimi dhe përpjekjesh, jo vetëm për të ndihmuar njerëzit e prekur nga virusi HIV, por edhe për t’u angazhuar në luftën kundër përhapjes së mëtejshme të këtij virusi vdekjeprurës. Në Shqipëri, i sëmuri i parë me SIDA është konstatuar në vitin 1993. Që nga ajo kohë e deri tani janë regjistruar afro 1090 persona, mbi 140 e të cilëve kanë humbur jetën. Ekspertë të sëmundjeve infektive vlerësojnë se ndonëse gjatë 5 viteve të fundit është vënë re një tendencë për rritje të numrit të rasteve, falë trajtimit mjekësor është bërë e mundur që të ulet vdekshmëria e të sëmurëve. Ata vazhdojnë të bëjnë thirrje për rritjen e kujdesit shëndetësor si dhe testimit vullnetar. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 35 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me virusin HIV, ndërsa 1.5 milion kanë humbur jetën për shkak të sëmundjeve që lidhen me të.

 

 

 Prindër me HIV, lind fëmija i 8 i painfektuar në Shqipëri

Nga janari testi i HIV për gratë shtatzëna do ofrohet falas në këshillimoret e nënës dhe fëmijës

Në Shqipëri ka lindur fëmija i 8 i painfektuar nga virusi HIV dhe pse prindërit kanë qenë pozitiv. Për drejtuesen e Shoqatës së Personave që Jetojnë me HIV/AIDS, Olimbi Hoxhaj, kjo është një histori suksesi për vendin tonë, sa i takon parandalimit nga nëna te fëmija. “Nuk ka raste të lindur ose të infektuar nga nëna pozitive në këtë vit. Ajo që mund të përmendim këtë vit është që kemi lindjen e bebit të 8 që është negativ nga prindër pozitiv dhe kjo është ndër historitë e suksesit në Shqipëri, në kuadrin e programit të parandalimit nga nëna te fëmija” ka pohuar Hoxhaj.

Nga ana tjetër drejtuesja e shoqatës së të sëmurëve me HIV/AIDS bën me dije se nga viti i ardhshëm, për herë të parë në Shqipëri, testi i HIV për gratë shtatzëna do të ofrohet falas.  “Vitin tjetër pas janarit do të pilotohet vitin e parë me mbështetjen e Fondit Global dhe pastaj do të futet si një testim rutinë dhe do të ofrohet aty ku janë nevojat, në këshillimoret e nënës dhe fëmijës”  pohoi ajo.  Aktualisht në vendin tonë, për këtë vit janë regjistruar 81 raste të reja të diagnostikuar me HIV. Hoxhaj pohon se shqetësues është numri në rritje i rasteve me vdekje, konkretisht 15 raste vdekjesh, nga të cilat 3 janë nga rastet e diagnostikuara këtë vit. Faktorët kryesorë kanë të bëjnë me diagnozën e vonë, në përgjithësi 70% e rasteve hyjnë në terapi në një diagnozë të vonë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: