“Rreziku nga 4 çështjet në arbitrazh? Jo domosdoshmërisht mund të humben”

“Rreziku nga 4 çështjet në arbitrazh? Jo domosdoshmërisht mund të humben”
Në një letër të publikuar pak ditë më parë në media, ministria e Drejtësisë (në datën 10 prill 2017) e paralajmëronte qeverinë se për 4 çështjet që po ndiqen aktualisht në arbitrazh sipas saj, nëse ato humbeshin, mund t’i kushtonin shtetit shqiptar mbi 2 miliardë euro. Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, Alma Hicka, jep këtë përgjigje posaçërisht për "Albanian Free Press" rreth këtij  pretendimi dhe faktit se a ekziston realisht një rrezik i tillë:

“Së pari, shpreh keqardhjen që një informacion konfidencial si ky qarkullon në media. Së dyti, vlerat e dëmshpërblimeve të kërkuara në forumet e arbitrazheve ndërkombëtare gjithmonë kanë qenë të larta, për një arsye shumë të thjeshtë, parashtrimi i një mosmarrëveshjeje në arbitrazh, në më të shumtën e rasteve përkon me një pikë vdekjeje të marrëdhënies kontraktuale në fjalë dhe pala kërkuese, nëse ka si kërkim të parë dëmshpërblimin financiar për gjithë investimin e saj, kuptohet që vlera e këtij dëmshpërblimi do të jetë e lartë. Por ka edhe raste kur kërkimi i parë i Paditësit është zbatimi i kontratës/detyrimeve kontraktore sipas leximit të Paditësit, dhe vetëm në mënyrë alternative, kërkohet dëmshpërblim financiar, këto raste përfshihen edhe në çështjet e përmendura në shkresën e Ministrisë së Drejtësisë.

Lidhur me ekzistencën e rrezikut për pagesë të pretendimeve financiare në arbitrazhin ndërkombëtar, është mëse e kuptueshme që sado të larta të jenë pretendimet e Paditësit, ato jo domosdoshmërisht karakterizohen nga bazueshmëri e tyre në dhe prova dhe ligjin e zbatueshëm dhe rrjedhimisht jo domosdoshmërisht mund të materializohen në vendim arbitrazhi. Gjithsesi, duke qenë se arbitrazhet e përmendura në shkresën e MD janë ende në proces, është e pamundur të bëhet një vlerësim sot mbi mundësinë apo gjasat e vendimmarrjes së trupave të gjykimit në arbitrazhet ndërkombëtare të investuara për zgjidhje të mosmarrëveshjeve”.

2

Miliardë euro, ose gati gjysma e buxhetit të shtetit, sipas opozitës, është fatura që e kërcënon atë nga katër çështjet që po ndiqen aktualisht në arbitrazh ndërkombëtar nga shteti shqiptar

Shpërndajeni me miqtë tuaj: