Rumania përcjell ish-Mbretin me funeral shtetëror, të pranishëm monarkët e Europës

Rumania përcjell ish-Mbretin me funeral shtetëror, të pranishëm monarkët e Europës
Një funeral shtetëror është organizuar në Rumani për të përcjellë drejt banesës së fundit ish-monarkun Michael.

Ish-Mbreti ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare, më 5 dhjetorin e kaluar.

Më shumë se 20 mijë njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit të vendit, Bukuresht.

Në funeral kanë marrë pjesë monarkë dhe ish-monarkë nga gjithë Europa, duke përfshirë edhe ish-Mbretin e Spanjës, Juan Carlos, Mbretin Carl Gustaf të Suedisë dhe Princin Charles.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Rumania u rendit përkrah Gjermanisë. Për shumicën e luftës, Mbreti Michael ishte kryesisht një figurë e përbuzur nga diktatori fashist i Rumanisë, Ion Antonesku, gjatë aleancës katërvjeçare me Hitlerin.

Mbreti Michael mori pjesë në një grusht shteti në moshën 22-vjeçare duke urdhëruar arrestimin e Antoneskut më 23 gusht 1944. Kështu, ai e zhvendosi vendin përkrah aleatëve në gusht të vitit 1944, një vit pas kapitullimit të Italisë, ndërsa po mbaronte lufta.

I detyruar të abdikonte nga udhëheqësit komunistë të Rumanisë në fund të vitit 1947, ai jetoi shumicën e jetës së tij në mërgim, në Zvicër.

Ai nuk u kthye deri në vitin 1990, pas rënies së diktatorit komunist Nicolae Ceausescu.

Pas revolucionit rumun në vitin 1989, ai kishte një marrëdhënie të vështirë me drejtuesit e rinj politikë të vendit, të cilët kishin frikë se ish-Mbreti do të kërkonte fronin e tij.

Michael ndihmoi në negociimin e anëtarësimit të Rumanisë në BE dhe NATO.

Arkivoli do të transportohet nëpërmjet linjës hekurudhore të ndërtuar nga gjyshi i tij, Carol I, që lidh Bukureshtin me nekropolin mbretëror në Curtea de Arges, në veri të kryeqytetit. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: