Shafran dhe jo grurë... Trendet e reja të bujqësisë shqiptare

Shafran dhe jo grurë... Trendet e reja të bujqësisë shqiptare
Eglantina Nasi

“Pse kemi mbjellë shafran dhe jo grurë? Sepse është një bimë që ka një çmim të mirë në treg...”. Ka qenë kjo frazë e sinqertë e Reald Ruçit, nga Zhitomi i Beratit, që duket se i ka dhënë përgjigjen më të mirë faktit përse ai prej tre vjetësh ka zgjedhur të kultivojë pikërisht njërën nga erëzat më të shtrenjta në botë, në jugun e Shqipërisë. Aty ku deri dje sipas tij, tokat i kishte lënë të pashfrytëzuara dhe nuk mbillte asgjë. “Është çështje leverdie, por mbi të gjitha, sepse shafrani është i përshtatshëm edhe për klimën dhe  që nuk kërkon shumë tokë”, shpjegon më tej ai, i pyetur nga “Albanian Free Press” se përse ka bërë pikërisht një zgjedhje të tillë: Të mbjellë shafran dhe jo drithëra si dikur.

“Si rashë në kontakt me shafranin? Më shumë në internet, duke parë sa andej-këtej. Pastaj kemi shfrytëzuar edhe kontaktet me të huajt”, rrëfen ai më tej. Për të vërtetuar akoma më shumë faktin se kemi të bëjmë me një zgjedhje komerciale, ose siç shprehet thjesht populli “që ka leverdi”, sesa të të menduarit më thellë për nevojat që ka realisht vendi në kultivimin e prodhimeve të caktuara bujqësore.

Për të, rëndësi ka më tepër biznesi si i tillë dhe asgjë përtej kësaj. “Kemi tre vjet në këtë biznes dhe ka ecur mirë. Më shumë kemi luftuar për pjesën e cilësisë së produktit, sepse duhet të zotërojnë standardet, pasi synojmë tregjet e huaja. E çojmë kryesisht në Itali”, jep ai detaje të mëtejshme rreth aktivitetit, i cili duhet pranuar se përbën një trend të ri për bujqësinë shqiptare si të tillë. Pikërisht, atë të një orientimi më tepër drejt kulturave bujqësore që sigurojnë një normë të lartë fitimi, sesa i atyre që synojnë, të paktën si dikur, që të përmbushin nevojat për ushqim të popullatës shqiptare.

Dukuri kjo e konfirmuar edhe nga të dhënat më të reja të Institutit të Statistikave, sipas të cilave rezulton se këto të fundit janë gjithmonë e në rënie.

Konkretisht, INSTAT tregon se prodhimi i drithërave në vitin e kaluar, 2016, ka qenë në total rreth 698.400 ton, duke shënuar një rritje me vetëm 0.4%, në krahasim me një vit më parë. Një nivel ky mjaft i ulët ky po ta krahasosh edhe me të dhënat e dy viteve më parë, 2014-2015, kur prodhimi i drithërave arriti deri në sasinë prej 700 mijë tonësh. Teksa në rënie, paraqitet gjithashtu edhe prodhimi i fasuleve apo i patateve, respektivisht me vetëm 25 mijë ton dhe 238 mijë ton, nga 28 dhe 240 të tilla në vitin pararendës, 2015.

Nga ana tjetër, duket se shqiptarët po paraqesin një interes të shtuar edhe për kultivimin e pemëve frutore, apo ullinjve, edhe këto të destinuara kryesisht për eksport. E kësisoj, duke vërtetuar teorinë se ata tashmë janë më pragmatistë se më parë, kur vendosin të mbjellin diçka: Më shumë se për efektin ndaj bujqësisë si e tillë, mendojnë për leverdinë financiare që do të kenë nga kulturat e caktuara të tokës së tyre.

“Numri i rrënjëve të pemëve frutore në prodhim në vitin 2016 është 10.575.000, duke pësuar një rritje me 3.8%, në krahasim me vitin 2015”, cilëson INSTAT-i, lidhur me një fakt të tillë. Duke shtuar nga ana tjetër se numri i rrënjëve të ullinjve, për të njëjtën periudhë në fjalë ka qenë 6.643.000 dhe ka pësuar një rritje në nivelin prej 4.9%, në krahasim me vitin 2015. Por gjithashtu, edhe agrumet e vreshtat duhet thënë se po pësojnë një rritje nga viti në vit, sa i përket kultivimit të tyre, respektivisht me nivelin prej 9.8% dhe 1.2%.

QËNDRIMI

 Kreu i Shoqatës së Bimëve Medicinale: “Sherebela shqiptare, në 75% të tregut amerikan”

 Shqiptarët kultivojnë bimë medicinale, që janë të destinuara kryesisht për tregun amerikan. Ky fakt konfirmohet posaçërisht për “Albanian Free Pess” nga kreu i Shoqatës së Bimëve Medicinale, Filip Gjoka.

“Ne eksportojmë kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sherebela është bima kryesore, e cila në sasi dhe vlerë që ne eksportojmë shkon pikërisht drejt saj. Aktualisht, ne zotërojmë mbi 75% të tregut amerikan të sherbelës”, cilëson ai. “Nga ana tjetër, është rritur eksporti drejt SHBA-ve edhe me erëzat tipike nga Shqipëria, të tilla si rigoni, trumza etj”, shton ai. Për të pohuar gjithashtu se shumë bimë medicinale shqiptare shkojnë edhe drejt Gjermanisë, e cila sipas tij është blerësja e dytë e tyre.

“Pastaj vjen Franca, Italia, Kanadaja, sikundër ka edhe eksportues që shkojnë deri në Australi me bimët tona”, konfirmon Gjoka. Nga ana tjetër, ai sqaron se rreth 27% e bimëve medicinave në Shqipëri janë të kultivuara, kurse pjesa tjetër janë të rritura në gjendje të egër. “Këto që janë të kultivuara janë sipas kërkesave të tregut, ku përmendim këtu për shembull çajin e malit, i cili thuajse është “shfarosur” nga malet e Shqipërisë dhe tani po kultivohet, ose mëllaga e bardhë etj, të cilat janë bimë tradicionale të vendit tonë, ose të kultivuara në sistemin e Hoxhës, bimë etero-vajore”, përfundon përfaqësuesi i kompanive që eksportojnë bimët medicinale shqiptare.

***

INTERVISTA/ Flet për “Albanian Free Press”, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj

Z.Rrapaj, cila është sipas jush situata aktuale e bujqësisë në vendin tonë, teksa shifrat e fundit të INSTAT-it paraqiteshin dekurajuese për ecurinë e saj, por edhe të prodhimeve bujqësore në tërësi?

Po, është fakt se ka një rënie të prodhimit bujqësor në vend. Sivjet, kjo si rezultat i ngricave dhe përmbytjeve që kanë ndodhur në bujqësi dhe veçanërisht në agrume e perime. Ka gjithashtu një rënie edhe në sektorin e blegtorisë dhe të prodhimtarisë për arsye të sëmundjeve, sidomos atyre në gjedhë. Sikundër, kanë rënë prodhimet e drithërave për arsye të konkurrencës që vjen tashmë nga mielli me çmim të lirë, i cili vjen nën standarde, nga Serbia kryesisht.

Kjo është arsyeja kryesore që shqiptarët nuk kultivojnë më drithëra si më parë?

Po. Kjo kuptohet. Fermerët që kultivojnë drithëra, tashmë janë mjaft të konkurrueshëm. Dhe problemi më i madh është konkurrenca e pandershme përmes subvencionit të të njëjtit produkt në vendet e rajonit, kurse në Shqipëri nuk ka aspak një të tillë. Konkretisht, Maqedonia dhe Serbia janë dy vendet që kanë subvencionet më të mëdha, por edhe Kosova i ka shumë herë më të mëdha sesa ne, për të njëjtat produkte.

Ndërkaq, është fakt se paraqitet në rritje tendenca e kultivimit të bimëve bujqësore që janë të destinuara më shumë për eksport...

Po. Eksporti është në rritje, më shumë në sasi, për arsye të faktit se ndikon edhe çështja e monedhës, prandaj ai rritet edhe në sasi. Vendet që importojnë, tashmë janë më të interesuara për të tërhequr produktet shqiptare, pra është çështja e konjukturës së monedhës.

Po për institucionet që deri dje shteti i ka patur në varësi, pikërisht për të mbikëqyrur sektorin e bujqësisë dhe tani nuk ekzistojnë më, cili është mendimi juaj? Kujtojmë këtu që kemi patur deri edhe një Institut të Qepës dhe Patates...

Ne kemi një vërejtje, sidomos për Inspektoriatin e Ruajtjes së Tokës, i cili tashmë është hequr fare. Dhe jemi të mendimit se ai duhet të rivendoset, pasi është një gabim shumë i madh shkrirja e këtij institucioni.

A ka ndonjë faktor tjetër që donit të përmendnit si shkak për dobësimin e sektorit të bujqësisë?

Po. problemi i dytë ka të bëjë më rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Në sektorin e bujqësisë ai ende nuk po gjen stabilizim dhe informaliteti është akoma edhe më i madh, gjë e cila po çon në dobësimin e sektorit të bujqësisë. Edhe kur rimbursohet, duhet thënë se TVSH-në nuk e merr prodhuesi, por e merr grumbulluesi. Dhe ne mendojmë se duhet të formalizohet sektori, në mënyrë që TVSH-në ta marrë prodhuesi dhe jo grumbulluesi. Gjithashtu, ne nga ana jonë kemi kërkuar kartën elektronike, regjistrin elektronik dhe Qendrën Kombëtare të Agrobiznesit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: