Shi bie në Tiranë!

Shi bie në Tiranë!
Nga Juela Meçani

Shiu i Tiranës është nga ata të këqijtë, që të bën baltë e pikla, sado që të ruhesh. Është nga ato shirat që pavarësisht ombrellës ose makinës, është i pjerrët e tinëzar. Por mbi të gjitha, ky shiu i rrëmbyer i kryeqytetit, nxjerr në pah edhe se sa të stresuar, halldupë, pak qytetarë e egoistë janë njerëzit në ditë si këto.

Do të mendoni ndoshta se çfarë lidhje ka shiu këtu? Ka shumë, sepse pikat e para kur nisin, një rrymë njerëzish vrapojnë të marrin makinat e befas, si në një film vizatimor japonez, çdo njeri bëhet me nga tre makina, edhe katër, po të mendosh se ca nga ne edhe nuk kanë makinë. Rrugët mbushen plot, trafiku bëhet breshkaxhi, e shoferët ose shoferet, tërë nerva, nuk mungojnë të shajnë rëndshëm çdo kalimtar që ngadalëson edhe më shumë misionin e tyre të pamundur për të mbërritur në destinacion.

Në trotuare, kur je me fat që ka të tilla, njerëzit bëhen si bletët kur u kanë hedhur tym hutues, ecin me zigzage, përplasen me këdo, shtyjnë e pështyjnë. Pa le kur janë bashkë familjarisht, trotuari bllokohet plotësisht e të arrish të çash shtetrrethimin, është art lufte më vete. Me çadrat në duar, njerëzit e lodhur që në mëngjes të këtij metropoli, harrojnë se nuk janë vetëm në këtë botë, e mund të gjendesh në urgjencë me ndonjë sy a vetull të lënduar nga telat e ndonjë ombrelle që të është përplasur përballë nga një kalimtar që izolohet nga dynjaja.

Makinat e panumërta të shumëfishuara nëpër rrugë mbartin udhëheqës nga më të paedukuarit e globit, sepse sa më i madh të jetë pellgu, sa më shumë të jetë mbushur rruga me baltë e ujë, aq më me qejf e argëtim e kanë të fusin marrshin më të lartë e të qelbin mirë e mirë këmbësorët që presin të kalojnë rrugën. Indiferencë totale ndaj kujtdo që shiun e pret pa mjet motorik, a thua se të tërë kanë lindur mbi veturë.

Ah po, ke një takim pune ose do të shmangësh pikërisht ndonjë përplasje kokë më kokë në rrugë? Merr taksi por i bindur të jesh që do paguash edhe dyfishin e çmimit për të njëjtën rrugë. Pse? Sepse ky shfrytëzimi i paskrupullt i situatave, me taksitë, në ditë shiu, merr përmasa vjedhjeje të frikshme.

Në autobus edhe mund të arrish të ngjitesh, por kujdes, mund edhe të mos zbresësh dot sepse, ata që kanë pritur gjysmë ore në stacion në shi sa të vijë autobusi, kur vjen, nuk kanë durim të presin edhe ato 5 sekonda, që të zbresin të tjerët por turren e të vënë përpara.

Plehrat? Joooo, ti mund të lagesh, ndaj plehrat mund edhe ti flakësh jashtë koshit ose tek oborri i pallatit, se helbete, bie shi i rrëmbyer, e tha edhe televizori, ndaj je i legjitimuar të ndotësh vendin ku jeton edhe vetë.

Në këtë Tironën tonë të globalizuar evropiane, Emergjencat Civile duhet të ndiqet nga “emergjenca qytetare”, në ditë si këto me shira që nuk ndalen. Sepse e vërtetë është që shirat kanë rreziqe e përmbytje, por e vërtetë është edhe që duke qenë se jeta nuk mund të paralizohet, njerëzit e nxituar shpalosin mungesën e tyre të qytetërimit dhe edukatës, duke menduar se ombrella fsheh edhe karakterin e tyre e se mushamaja vesh edhe harbutërinë dhe egoizmin.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: