SHOKU BE ËSHTË I DEHUR – OPINION NGA FRROK ÇUPI

SHOKU BE ËSHTË I DEHUR – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nuk kam para syve vetëm pamjet e një të dehuri fort, të filmuara nga takimet e nivelit të lartë të presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Junker. Filmimet kanë marrë rrjetet botërore të internetit dhe po zbavitin dynjanë. Presidenti i Komisionit - më i madhi ekzekutiv i “shokut BE”, shfaqet në majë të “piramidës” së vjetër Europiane, duke shkelur mbi qilimin e kuq: Herë e marrin këmbët jashtë qilimit, herë i merr këmbët për nga personalitetet që e presin. Pastaj puth tjetrin në ballë, pastaj i jep një shpullë një kryeministri ose kap në “bel” një kryeministre shumë të shëndoshë ... Zonja Merkel i largohet, sepse ajo e ka zgjedhur dhe e njeh si një pijanec. E vetmja që i shpëton...

Kjo është pamja e presidentit, por nuk e kam fjalën vetëm për këtë dehje...

Një lexues i mediave në gjuhën shqipe, poshtë lajmit për presidentin e dehur, kishte bërë këtë shënim:

“I dehur ishte ky (Junker) edhe kur foli në Bruksel dhe i tha Ramës se do të pranoheni në BE”.

BE-ja e turbull ndaj Shqipërisë

Që ditën kur kryeministri Rama u takua me BE-në (Mogherini, Trajani e Junker), më 18 Dhjetor 2017, ende nuk ka më asnjë sinjal, nëse ekziston apo nuk ekziston Shqipëria. Atë ditë në Bruksel, dhe pastaj në Tiranë, shpërtheu entuziazmi si në avuj alkooli, se, sipas BE-së, Shqipëria do të hapte negociatat në fillim të vitit 2018. Sapo i hodhën fytyrës një grusht me ujë të ftohtë ata në BE, nuk ka më asnjë lajm. As Tirana e cila tashmë e njeh mirë atmosferën e “avujve”, nuk u ndje më mbi “suksesin e negociatave”. Në të gjitha rastet, BE-ja e di se thotë kot se “do të pranoheni”, edhe Tirana e di mirë se ia thotë kot popullit të vet, çfarë premton BE-ja ...

Dje u kujtuan mbi deklaratën e 18 dhjetorit dhe bënë korrigjimin në një “vend neutral”. Komisionari për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn, udhëtoi për në qytetin e lindjes, Vjenë, dhe me që ishte aty, bëri edhe një deklaratë mbi mundësinë e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Ai i çoi fjalë Shqipërisë se, nuk ka shenja zgjerimi deri nga viti 2025.

“Presidenti i Komisionit Europian (Jean- Claude Junker), ka deklaruar për disa kandidatë se, 2025 është data e mundshme për shtim, datë që është realiste, me gjithë ambiciet” - tha Hahn në një intervistë për të përditshmen “Kurir” të Vjenës.

“Po përballemi me rrethanat kur, disa vende, nuk po zbatojnë vendimet e gjykatave dhe shtetit të së drejtës”, - tha Hahn, duke pasur në vëmendje edhe Shqipërinë.

... Lexuesi që përmenda dhe që tha se “Junker ishte i dehur kur premtoi në Bruksel”, vallë, çfarë do të thoshte pasi të dëgjonte edhe zotin Hahn? Me siguri do të bënte pyetje më të ngatërruar: “Ore, cili nga këta është esëll? A mos është esëll Junker dhe Hahn i dehur?” Askush në BE nuk thotë asgjë të qartë ndaj Shqipërisë. Dikush e ka cilësuar qëndrimin e një shqiptari ndaj lëvizjeve të BE-së si një spektator në lojën e pingpongut, ndërsa vetë faqja në internet e “European Western Balkans”, shkruan se qëndrimi i BE-së është një “puzzle” (d.m.th., gjëegjëzë). Vetëm brenda një viti, BE-ja ka thënë pesë herë vendime të ndryshme mbi negociatat dhe pranimin e Shqipërisë. Në korrik, Trieste - Jo. Në gusht, Tiranë - Të shohim, por jo tani. Në shtator, Junker - Jo gjatë këtij mandati (2019). Në 18 dhjetor - Po, pa kushte. Më 27 dhjetor, Hahn - Jo, para 2025.

Ja pse i merren këmbët presidentit Junker dhe vetë shokut BE ...

BE i fshihet vetes

Nuk do të donte gjë tjetër më të mirë, lidershipi i BE-së, veç të mos kishte media. Mirëpo qytetërimi europian i ka themelet pikërisht në lirinë e informimit, etj. Pse nuk i do t’i donte mediat? Që të mos përhapeshin deklarata pa përgjegjësi dhe të pavërteta ... Që të mos përhapeshin filmimet e presidentit të dehur, duke puthur e rrahur personalitetet ... Që të mos dukej kaq qartë se Europës i mungojnë burrat e shtetit... (Po sikur dikush të rrihte me shpullë presidentin De Gol, ose kancelarin Helmut Kohl!?) ... Që nesër kur BE-ja të shfaqet si një Hollivud i skandaleve, të fshiheshin brenda BE-së ...

Përpjekjet për t’u fshehur brenda vetes, janë bërë qesharake.

a.

Përpjekja për të krijuar kolona të paqena në Europë, që do të mbajnë BE-në

BE-ja ka shkruar dhe shkruan se “është fat i madh” që presidenti francez, Macron, është një europianist. Suksesi i dytë - sipas BE-së - është “një koalicion i madh” liberalësh i qeverisë Merkel në Gjermani. Si zoti Macron, edhe zonja Merkel, po humbin përditë popullaritet. Dje, në një nga poll-et e njohura të Reuters, del se 47 për qind e gjermanëve, duan që Merkel të largohet një ditë e më parë, krahasuar me vetëm 36 për qind që e duan në pushtet. Vetë zonja Merkel ka deklaruar se “mund të mos ndërtohet koalicioni me SPD-në dhe të tjerët, në Gjermani ... Ndërsa BE-ja shfaqet “naiv” dhe i paditur, bazohet këtu ku nuk ka baza.

b.

Plani i dytë është “afrikanizimi i Europës”

Europa ka bërë plan për dixhitalizimin e tregjeve, ka lavdëruar politikën e emigrimit masiv, etj. Tani është në duar plani për shtrirjen e marrëdhënieve me Afrikën. BE-ja po deklaron se “eksperienca me refugjatët” na dha mundësi të njohim vlerat e lidhjes me Afrikën ... Edhe pse mbrëmë kanë mbetur në mes borës në Beograd ,mbi 200 refugjatë që i drejtohen Europës, BE-ja e konsideron sukses. BE-ja, pasi ka humbur vendet e Europës, i drejtohet Afrikës dhe Ballkanit, deri në kufi me Rusinë...

c.

BE e konsideron vit “të mirë”, vitin 2019

Kështu janë shprehur si disa teoricienë, ashtu edhe disa “ekspertë” në zyrat e BE-së. Por në fakt, e ardhmja e BE-së vihet në pikëpyetje, pikërisht nga ngjarjet e parashikuara për vitin 2019.

Në 2019, parashikohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në shumicën e vendeve anëtare të BE-së, përfshi edhe vende që janë shfaqur hapur kundër vendimeve të saj, si Hungaria, Çekia, Sllovakia, Letonia, Italia, etj., plus kundërshtimet e Austrisë, Bullgarisë dhe Rumanisë ... Atëherë, pse BE-ja e quan 2019, “vit i mbarë”?

Në vitin 2019, shtrohet dilema e qeverisë Merkel: “To be or not to be!”. Edhe sikur të krijohet koalicioni gjerman, analistët thonë se mund të mos funksionojë. Atëherë pa Merkel, BE-ja gënjen veten.

Në vitin 2019, zhvillohen zgjedhjet për institucionet e BE-së: Parlament, Këshill, Komision ... Kushedi cilët do të jenë në sallën e Parlamentit, në fronin e Junker dhe Trajan ...? Pikëpyetja nuk quhet “vit i mirë”.

Në periudhën 2018- 2019, vjen përsëri fenomeni “Catalonia”. A do të pranohet vota e qytetarëve për pavarësi në Catalonia? BE-ja po deklaron se “vota nuk i zgjidh problemet në themel”. BE-ja po godet demokracinë në favor të pushtetit. Të njëjtën gjë ka shpresë të bëjë me Brexit ... Por, a mund të ekzistojë një BE pa demokraci?

Të gjithë i fshihen vetes.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: