“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Shoku Dritan Leli shpërthen kundër shokut Erion Veliaj: Ai është një mashtrues...!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Shoku Dritan Leli shpërthen kundër shokut Erion Veliaj: Ai është një mashtrues...!
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" hapet me një lajm tepër të mirë, për banorët tiranas në përgjithësi, e për gjithë shqiptarët në veçanti. Para disa ditësh, u miratua për t'u ndërtuar një godine e lartë, afër Bankës.

Objekti do të quhet, "Sytë e Tiranës". Shprehim kënaqësinë për këtë vepër që do i shtohet qiellit tonë të kryeqytetit. Na vjen mirë që, kjo ndërtesë është nga të vetmet që mban një emër kaq domethënës, në gjuhën e bukur shqipe.

Të gjithë ata që e kundërshtojnë ndërtimin e saj, e kanë nga zilia. Siç do thoshte populli ynë: E kanë halë në sy! I plaçin sytë, kush nuk e do ndërtesën "Sytë e Tiranës"!

Kur të mbarojë kjo godinë, nuk do ketë sy e faqe, asnjë i varfër i Tiranës, të ankohet. Madje as ata që dalin e kërkojnë punë te Partizani i Panjohur, s'do kenë gojë të flasin.

Le të hipin në majë të godinës së re, e të shikojnë nga lart makinat e Bankës.

E nëse nuk shikojnë lekë edhe nga aty lart, s'ua ka fajin qeveria, por qorrëllia e tyre. Ti plasin sytë mirë! - siç i thonë vlonjatët. E meqë ra llafi te Vlora. Rubrika jonë ka mësuar se, përzgjedhja e shokut Erion Veliaj si një nga tre Kryebashkiakët Inovativë në fushën e Teknologjisë së Informacionit ka bërë që Kryebashkiaku i Vlorës të ndihet keq, e të kundërveprojë ashpër.

Së pari, ju shpjegojmë fjalën, "inovative". Kjo do të thotë që, Kryebashkiaku i Tiranës ka bërë ndryshim cilësor, ka sjellë gjëra të reja në atë fushë.

E përkthyem, jo se ju nuk e dini se ç'ka bërë shoku Erion Veliaj, por thjesht sepse, neve si rubrikë, nuk dëshirojmë të përdorim shumë fjalë të huaja.

Kthehemi te Kryebashkiaku i Vlorës, shoku Dritan Leli. Nëpërmjet disa spiunëve tanë, morëm vesh se, ai ju kishte thënë disa miqve të tij, se do t'i thyente "stolat inteligjentë", të cilat i vendosi në shëtitoren buzë detit, apo siç i thonë në shqip, në Lungomare.

Ne e telefonuam dhe kryem me të këtë bashkëbisedim, në dialektin lab.

Ja bashkëllafosja e çiltër, bërë me të:

Antena: Përshëndetje, shoku Dritan! Morëm vesh që keni qënë i mërzitur shumë dhe keni dashur të thyenit stolat që keni vëndosur në...

Dritan Leli: E vërtetë është. U bëra keq kur e mora vesh. Mos gjetsha njeri në Bashki, nëse të gënjej. Edhe nashti ashtu jam.

Antena: Përse u ndjetë keq? A mund të na i shpjeg...?

Dritan Leli: Si përse, o vëlla! Ai i pari i Ankarasë, nuk më dha çmim mua, e i dha Erionit. Ç'ka bërë Erioni në Tiranë për teknologjinë, di gjë zotrote? Një vërë në ujë ka bërë! Unë vendosa alamet stolash, që ngarkohen me energji nga dielli...

Antena: Ne si rubrikë, kemi folur për ato stola dhe për...

Dritan Leli: Eeee, keni folur ju, por s'kanë folur të tjerët për ato të Erionit. Nuk i thotë tamam gjërat "Media e Kazanit", se ja u gufosë gojën me lekë ai, ndaj.

Antena: Cilat gjëra p.sh.? A mund ta dimë ne, e t'ia themi lexuesit...?

Dritan Leli: Ai premtoi para 10 muajve, në muajin shkurt, që brenda vitit do të vendoste bileta elektronike, për autobusët urbanë. Hë, e mban mend zotrote? Nëntë muaj i duhen fëmijës të dalë mjekësisht. 10 muaj, nuk i dolën Erionit për të nxjerrë biletë elektronikisht.

Antena: Nuk i ka bërë?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Unë mendoja se ai i kishte vendosur. Ju si me...?

Dritan Leli: I vendosi, lesh! Shko nëpër autobusë, o vëlla, e do i shikoshë. Ai të gënjen të shuan. Ai po më bën edhe mua si vetja e tij.

Antena: Atëherë, përse ai Kryebashkiaku i Ankarasë, çmimin ja dha Erionit dhe e nuk ja u dha juve?!

Dritan Leli: Ja ta thom unë, se përse! Ankarasit i kanë inat stambollasit dhe vlonjatët, o vëlla.

Antena: E di që jam aguridhe e nuk i kuptoj këto gjërat politike. E përse ankarasit, d.m.th. banorët e Ankarasë, i kanë inat...?

Dritan Leli: Na kanë inat, o vëlla, meqë Stambolli dhe Vlora kanë qënë kryeqytete, përpara se të bëhej kryeqytet Ankaraja. Nëse çmimin do e jepte i pari i Stambollit, jam i sigurtë që do ma jepte mua. Ne vlonjatët kemi patur lidhje të vjetra me Stambollin, por jo me Ankaranë.

Stambollasit më kanë qejf mua. Ankarasit kanë qejf Erionin...

Shpërndajeni me miqtë tuaj: