“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Shoku Edi Rama i futi vetë të rinjtë, që e fishkëllyen...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Shoku Edi Rama i futi vetë të rinjtë, që e fishkëllyen...
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot, së pari, me lajmin që, disa të rinj fishkëllyen Kryeministrin Rama, teksa ai po u llafoste atyre për jetën e lumtur që do kenë, nëse lënë qytetin dhe shkojnë jashtë saj, që të merren me "sportet e aventurës".

Në fakt, edhe tani, të rinjtë po merren me të tilla sporte, sepse ata bredhin për të gjetur brenda qytetit, ndonjë copë fushë, ku mund të luajnë. A nuk është aventurë, kjo?

A futet te "sportet e aventurës", kërkimi i një fushe? Siç duket, jo.

Ngjarja që thamë, ka ndodhur pranë Liqenit Artificial, në një godinë sportive aty afër.

Kryeministri, siç edhe u detyrua ta pasqyrojë edhe Media e Kazanit, ruajti gjakftohtësinë, apo siç i thotë populli ynë, "nuk ia fishkëlleu fare" atyre.

Qetësisht, iu përgjigj fishkëllyesve, që të shkonin e ta bënin atë gjë, në pyllin aty afër.

Rubrika jonë ka mësuar se, gjithçka ishte e krijuar që më parë, apo siç i themi ne në gazetari, e inskenuar. Jo më kot, ky takim u bë në atë godinë sportive që është pranë pyllit.

Ky element u përzgjodh me kujdes nga stafi i Kryeministrit, për të dhënë idenë që, në Tiranë ka mbetur akoma një copë pyll, ku mund të shkohet për qetësim, e madje edhe këngë.

Imagjinoni p.sh., sikur ky takim të bëhej në zonë tjetër të kryeqytetit.

Ta zëmë, për një çast, se do bëhej në Laprakë. Çfarë mund t'ju thoshte Rama? Në ç'pyll të afërt mund të shkonin të rinjtë? Apo, se do bëhej në lagjen Kombinat...

Rubrika jonë shpreh falënderimin e saj të pamatë për Kryeministrin, i cili takimin me të rinjtë, e bëri pranë zonës së vetme me pemë të kryeqytetit, e kështu na kujtoi se, kur ka qenë kryebashkiak, na la ca pemë pa prerë.

Faleminderit, shoku Kryeministër!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: