“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Shoku Lul Basha e bën mirë, edhe pse e bën vetë

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Shoku Lul Basha e bën mirë, edhe pse e bën vetë
Satirë

Para tri ditësh, u festua 8 Dhjetori, Dita e Rinisë, ditë kur studentët u ngritën, sepse "ju kishte mbirë preshi në bark", e nuk kishin me se të ngroheshin në dhomat e tyre.

Ditë kur shumë vetë ia u dhuruan "latat" shokëve të tyre. Ata nuk shkuan në mensë që të hanin, por dolën rrugëve, duke bërtitur me gjithë fuqinë, kundër fuqisë së shtetit.

Sikur të kishin ngrënë, sa fuqi do kishin të bërtisnin? (E shënojmë këtë me x. Keni për detyrë që, deri më 8 Dhjetor të vitit tjetër, të gjeni se sa do kishin bërtitur studentët, nëse do ishin të ngrënë...)

Disa thonë se, kjo ishte një lëvizje e drejtuar, apo siç i thonë në gazetari, e dirigjuar, nga kupola drejtuese e Partisë së Punës, në frymën e "Udhëzimeve të Katovicës" së Polonisë...

E meqë ra llafi te Polonia. Kryeministrja e këtij vendi, vetëm disa ditë pasi takoi Kryeministrin tonë, la karrigen e punës, duke dhënë dorëheqjen. Neve nuk na vjen keq për të, por hallin e kemi të ky yni, që do detyrohet të bëjë një rrugë tjetër për në Poloni, e t'i shpjegojë Kryeministrit të ri, ato që i shpjegoi asaj që takoi. Kemi hall se, opozita do thotë që Kryeministri, mbëtet gjithë kohën jashtë vendit, duke bërë vizita, pa ndonjë përfundim pozitiv. Fundja, ç'faj ka Kryeministri ynë që p.sh., qeveria polake nuk do vendosë një fluturim direkt, nga Varshava në Tiranë! Ne tonën e bëmë, duke u a dhënë si ide.

Nga ana jonë, ne nuk e vendosim dot këtë linjë, pasi nuk mund të rrezikojmë. Po sikur turistët polakë të ndërrojnë mendje rrugës, e mos të vijnë në Shqipëri, por të detyrojnë pilotin t'i çojë në Greqi? Ata ndërrojnë kryeministrin rrugës, jo më mos të ndërrojnë vendpushimin!

E meqë më lart ra llafi te opozita, po sjellim një lajm të mirë, që ka të bëjë me ekonominë e vendit. Të afërmit e udhëheqësit të PD-së, më në fund, zgjeruan biznesin e tyre, duke hapur edhe një qendër tjetër, ku shqiptarët mund të shkojnë e blejnë artikuj shtëpiakë, e ta bëjnë më mirë vetë, sesa t'jua bëjë një tjetër. Dihet se si e bën një punë tjetri. Shkel e shko...! Ndërkohë kur e bën vetë, e bën mirë, pavarësisht se nuk ke praktikë.

Të lumtë, Lulzim Basha për këtë investim, pasi e dimë se ju i keni mbushur mendjen të afërme tuaj, që të investojnë miliona euro, në të mirë të vendit!

Faleminderit, shoku Lulzim Basha!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: