“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Biseda në parti për mos-vigjilencën e shokut Taulant

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Biseda në parti për mos-vigjilencën e shokut Taulant
Satirë

"Antena Jashtë Familjes" vjen sot me një lajm të mirë, që e tha edhe gazetarja jonë Eglantina para dy ditësh. "Në Shqipëri, ka zyrtarisht 1.7% më shumë të punësuara gra, sesa ka burra". Ne mendojmë që kjo shifër do ishte më e madhe, nëse punësimi do matej një vit më parë, kur mijëra gra merrnin pjesë në prashitjen, korrjen,..., e shkoqjen e hashashit.

Jo se burrat nuk punonin, por, me thënë të drejtën, kishte edhe nga ata burra dembelë, që i binin gërrnetës, teksa gratë rropateshin në punë. Ndërkohë që asnjë grua nuk u shfaq në media, duke i rënë gërrnetës, në orar të punës.

I lëmë burrat dhe gratë e thjeshta dhe shkojmë tek ata me pushtet.

Sot do sjellim diçka që kemi mundur të zbulojmë para tri ditëve, bisedën e bërë midis disa figurave socialiste. Ata që kemi mundur të kapnim neve, janë shokët Edi Rama, Taulant Balla, Ulsi që kishte punuar me Prokuroren, por nuk ja dimë mbiemrin, si dhe Elisa e Doganave.

Çështja për të cilën diskutohej ishte, mosvigjilenca e shokut Taulant, teksa morri kartën e votimit të opozitarëve. Ja bashkëllafosja e bërë mes tyre:

Shoku Edi: Jemi të gjithë? Ka ndonjë mungesë? Atëherë, fillojmë!

Shoku Taulanti: Nuk ka ardhur Gramozi. Ka shkuar në banjë, para gjysmë ore.

Shoku Edi: Qepe, ti! Ke gojë dhe flet! Mirë që je hajdut, se ndaj të duam, por s'di të fshehësh! Ç'ishte ajo që na bëre në votim, mor druvar, që në ndonjë dru, duhesh var...!

Taulanti: Më fal, Shef! E kuptoj që kam bërë gabim. U tregova...

Elisa: Ti Lanti "më fal" thua përherë! Nuk mund të kalojë aq lehtë,ajo që na bëre.

Edi: Ti Elisa je veshur bukur sot. Ke filluar vishesh si Majlinda Bregu, pasi kapi veten në karrige. Edhe çantat i ke si të asaj. Komplimente! Buzëkuq, a ke vënë?

Elisa: Po Skënderbeu ynë, sigurisht! Ja shikojeni! Ku dal unë pa...

Edi: Atëherë, bën mirë mos ta hapesh dhe mbyllësh shumë gojën, se i del ngjyra mavi!

Taulanti: Eee, e ka blerë në Paris, nuk i del kollaj...!

Edi: Po ti nga e di? Apo ke vënë edhe ti buzëkuq të atillë?

Taulanti: Jo Shef, por ti e di sa di unë. Kot nuk më mban afër.

Edi: Pusho! Çohu dhe na shpjego se, përse na e bërë proçkën, përpara kamerave!

Taulanti: Shef, të lutem më fal! M'u errën sytë e nuk i pashë që po më filmonin. Më mbyti sytë tymi, pas asaj bombës që hodhi Mul Noka, që e hedhshin me kokë në ndonjë galeri të Pishkashit, inshallah! Përfiton Muli, se na mungojnë ata trimat që kishim neve, në katërvjeçarin e parë në Kuvend. Po të kishim ata në sallë, do...

Elisa: Se kush na mungon neve në Kuvend, s'është puna jote . Mos të futemi në punën e Këtij Burri! Unë as në parukeri nuk mendoj të shkoj, pa marrë leje më parë nga partia dhe nga Ky këtu, Edi Rama, Skënderbeu ynë. Mirëpo, ti Lanti, do që...

Taulanti: Ti fol për veten, atë bëj! Pse doje të dilje nga salla kur po votonim?

Elisa: Dëgjova muzikën e filmit "Skënderbeu", ndaj. Kujtova se po vinte Ky Burri këtu. Pastaj u kthjellova që Skënderbeu ynë ishte në sallë. Kaq.

Edi: Më ke prishur shumë punë, mor kaqol! Do i them Ulsiut, që t'i thotë Prokurores së Përgjithshme, që të kërkojë të të heqim imunitetin. Ulsi, Ulsiiiii, po fle ti?!

Ulsi: Mos më bërtit mua, heu bre burrë! Ta bani mirë Monika që të goditi me këpucë. Unë nuk zgjidha dot lidhëset, pa qe besa, ene këpucët e mija kisha me ja dhanë...

Elisa: Ulsi, qetësohu, se po të flet Ky këtu, Skënderbeu ynë!

Taulanti:  Shef Edi! Më erdhën informata se, Ulsiu festoi pardje deri në mëngjes, me ca njerëz, pasi vendosëm Prokuroren. E ngopën me mish e verë. I dhanë edhe tre thasë me gështenja pukiane, kur u ndanë te dera. Ti e di si jam unë për të marrë të dhëna, Shef!

Ulsiu: Në birucë e keni vendin, të gjithë. Keni me e pa, ç'ka do ju baj ajo Prokurorja juve!

Elisa: Qyqja, ç'është kështu! E kanë droguar ata të Monikës. Do kenë droguar dhe bërë për vete edhe Prokuroren e re. Boooo, e hëngra nga çështja e doganës. Ç'më gjeti...!

Edi: Qetësohu Ulsi, jam unë Edi! Ti ke qënë i butë...

Taulanti: E kanë droguar ata të Saliut, mos e diskutoni! Ç'më gjeti...!

Ulsi: Në burg keni me u kalb', të tanë! Më tha edhe Prokurorja mue.

Edi: Më gjeti belaja, më duket! Nga i besova këtij, që të na i propozonte kandidaten për Prokurore. Ulsi, se mos na bën ndonjë proçkë ajo, e hap ndonjë çështje për koncesionet! Ulsiiiii, çfarë na bëre, mor i ziiiii! Moooos! Na e hodhi Prokurorja, që jo më kot e ka pasur mamanë demokrate!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: