“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Shoku Vladimir Putin i shkruan Ilir Metës: Kam një amanet nga kryetari i komunistëve...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Shoku Vladimir Putin i shkruan Ilir Metës: Kam një amanet nga kryetari i komunistëve...
Satirë

Redaksia jonë ka mundur të shtjerë në dorë urimin e Presidentit të Federatës Ruse, të vetë shokut Vladimir Putin, drejtuar shokut Ilir Meta. Urimi është dërguar me rastin e Ditës së Flamurit. Ju kërkojmë ndjesë që nuk e kapëm sapo letra erdhi, por ka qenë tepër e vështirë. Dihet se Ladi Putin ka qenë një agjent i KGB-së, e si i tillë, di si të fshehë gjurmët. E vështirë ka qenë ta siguronim edhe nga shoku Ilir, pasi ai tani që i ka ikur, baba Taku, është bërë më i kujdesshëm në ruajtjen e arkivës. Në mbyllje të letrës së tij, shoku Ladi ndër të tjera shkruan:

“...Ilir, ju uroj që të keni fatin tim! Nuk e kam llafin që të ndaheni me bashkëshorten tuaj, si unë. Ajo e imja e meritoi, sepse sa vinte e plakej, ndërsa e juaja, sa vjen e rinohet. E kam llafin që të kesh fatin tim, në lidhje me karrigen. Pasi të të mbarojë mandati si President i Republikës së Shqipërisë, të uroj të shkosh Kryeministër i vendit. Siç bëj unë, që kur lë presidentllëkun, shkoj te kryeministrllëku. Paç fatin tim, Like! Me respekt, Ladi!”.

Kurse në hapje të letrës, shoku Vladimir shkruan:

“Like, kur të takosh Monin, pyete pazhalusta, sesi ia ka bërë që është rinuar.

Kur e pa kjo bashkëjetuesja ime që ka qenë modele, i ra të fikët. “O bozhe, - tha, - sa e mirë qenka kjo”. Më ka gjetur belaja tani. “O bëhem si nusja e Likes, - më thotë, - o do iki fare nga shtëpia”. “Ku do shkosh”, i thashë pardje. “Do iki ta takoj vetë atë gruan në Tirana”, më tha.

Kam frikë ta lë që të vij aty, Like. Jo se Albania nuk është vend i sigurt, por po erdhi, kushedi se kur më kthehet. Ia thotë mendja e më vjen, pas disa muajve.

Ku shtyhet vetëm dimri rus, o Like. Ti e ke më të lehtë të flesh vetëm, se aty te ju bën ngrohtë. Unë kurrë nuk do ta lejoja bashkëjetuesen time, që të ishte kryetare e një partie tjetër, e mos të vinte të rrinte më mua gjatë natës.

Vetëm kur e kujtoj, më zënë ethet. Sesi ia bën ti vëlla, që fle vetëm, Stalin je. (Stalin, në rusisht i themi çelikut).

Like, mos më harro ç'të thashë! Aman se më duhet të di sekretin e rinimit.

Edhe diçka, se "më vdiq" ai barkderri që kam mik. E kam llafin për Zhuganovin, kryetarin e komunistëve. Është fryrë, është bërë 120 kile. Aman pyet Ilirin më tha, që të më thuash sekretin e vendosjes së unazës në stomak.

Mezi merr frymë, se nuk e lë shëndeti. Këtij ia vunë, por në vend që t'ia ngulnin në stomak, ia lanë të varur te një zorrë. I ra kur shkoi në banjë. I shkoi në hale, 50 mijë dollarë unazë. Kemi lekë ne komunistët, po hë...”.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: