SI NUK KËRKOJNË FALJE ENDE? – OPINION NGA PLATOR NESTURI

SI NUK KËRKOJNË FALJE ENDE? – OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Dy deputetë të tjerë, kapen në rrjetën e ligjit të dekriminalizimit. Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar në formë zyrtare, heqjen e mandatit për deputetët Aqif Rakipi të PDIU-së dhe për Gledjon Rehovica të LSI-së. Pavarësisht se vendimi nuk është dhënë ende, mund të thuhet se masa për shfronësimin nga salla e Parlamentit, duket e sigurt përderisa në media, por dhe partitë përkatëse, thjesht po përllogaritet se kush do të jenë deputetët zëvendësues. Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të shqyrtuar këto raste, do të bëhet në 3 janar dhe së bashku me deputetët e sipërcituar, do të vendoset edhe për fatin e ish-deputetëve Mhill Fufi dhe Omer Mamo, si dhe për kryetarin e bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri. Të gjithë do të gjykohen në bazë të ligjit të dekriminalizimit, pasi kanë fshehur në deklarimet publike se kanë qenë të dënuar nga gjykata jashtë apo brenda vendit.

Duke shtuar listën e gjatë të deputetëve apo të kryetarëve të bashkive për të cilët KQZ-ja është shprehur me heqje mandati gjatë legjislaturës së kaluar, si dhe një numër të deputetëve që kanë dhënë dorëheqjen, si gjatë ushtrimit të mandatit apo dhe duke u tërhequr nga politika, përpara se të bëheshin listat për zgjedhjet e reja, mund të thuhet se ligji i dekriminalizimit, ka bërë jo pak dëme në qetësinë olimpike ku prehej politika. Në ato lartësira nuk i shqetësonte askush, pavarësisht "karrierës" së mëparshme. Gjithsesi, për të gjithë këta që sot u dalin emrat në dënime gjyqësore si për trafik droge, apo deri në vjedhje ordinere, s’mund t’u vësh faj pse ishin aty ku ishin e në atë post që u propozuan. Në fund të fundit, ata postin apo deputetllëkun e kanë parë thjesht si një investim, pasi me pará mund të bëhesh gjithçka. Mund të bëhesh kryetar bashkie, deputet, drejtor i përgjithshëm a rajonal. Edhe qytetarit nuk mund t’i vësh faj, pse këta janë në krye apo përfaqësues të tyre. Ndërsa një nga ambasadorët, para disa kohësh, u kujtoi shqiptarëve se, sidoqoftë, këta deputetë apo zyrtarë që kanë patur lidhje me botën e krimit, janë të zgjedhur prej tyre, dhe kjo njëfarësoj i bën dhe ata bashkëfajtorë, pse është bërë kaq pis politika, kjo nuk ka shumë kuptim. Mbase kështu duhet të ishte, pasi në një vend normal, deputeti si të zgjidhej direkt nga populli, ashtu edhe të caktohej në një listë sipas sistemit proporcional nga subjektet politike, të paktën ka dhe qytetarë të përgjegjshëm që do dinë kë të zgjedhin midis alternativave, ose kanë një elitë të përgjegjshme të cilët nuk do të gëzonin të përfshinin elementë me të kaluar kriminale në lista. Në rastin tonë, elektorati nuk e zgjedh drejtpërsëdrejti përfaqësuesin e tij. Madje dhe listat nuk i nënshtrohen ndonjë konsultimi apo votimi të brendshëm brenda vetë subjektit elektoral. Në të gjitha rastet, listat janë produkt i një grupi tejet të ngushtë brenda partive, për të mos thënë që është ekskluzivitet i një njeriu të vetëm.

Me gjithë këta emra të cilët janë zhveshur me turp nga posti i deputetit, i kryetarit të bashkisë apo të zyrtarit të lartë, është plotësuar një fakt i qartë: Të kriminalizuar janë nga të gjitha forcat politike, të mëdha e të vogla. Dhe që ky fenomen nuk mbetet i kufizuar thjesht në legjislaturën e shkuar, ku të paktën u përmendën 20 deputetë me hije në biografi. Dhe të mendosh që këta kanë votuar ligje të cilat kanë patur ndikim jo të vogël për jetën e qytetarëve. Problemi qëndron se, kush mban përgjegjësi për këtë? Ende nuk kemi dëgjuar ndonjë ndjesë publike nga krerët e partive për deputetët e tyre, të cilët janë kapur nga ligji i dekriminalizimit. Ndërkohë që, për përfshirjen e tyre janë përgjegjës pikërisht ata. Është foshnjarake dhe pa moral që, sa herë kapen në sitën e drejtësisë funksionarë të lartë publikë, liderët që deri dje i kanë promovuar, tashmë lajnë duart, duke u shprehur se këto janë përgjegjësi individuale. Jo vetëm pa moral, por dhe pafytyrësi e tallje me qytetarët që kanë votuar subjektin politik dhe kanë bërë deputet hajdutin apo trafikantin. Siç duket, në ligjin e dekriminalizimit është harruar të vihet një nen i veçantë, që për çdo njeri të papërgjegjshëm i cili përfshihet në politikë, duhet të mbajë përgjegjësi edhe ai që duhet të ishte i përgjegjshëm në zgjedhjen e kandidaturave.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: