Silvana Braçe: Prehje s’ka, sidomos për gruan

Silvana Braçe: Prehje s’ka, sidomos për gruan
E kush nuk e njeh ose nuk e ka në memorie prezantuesen historike të spektakleve dhe festivaleve në Shqipëri, Silvana Braçen. Ajo zonjë e ëmbël, me buzëqeshje unike, flokët e verdhë, por gjithmonë e kuruar me shije dhe fisnikëri, që ka prezantuar personazhet më në zë të artit shqiptar. Silva, siç e thërrasin miqtë dhe kolegët, është nga të paktat raste kur një figurë e televizionit i ka kapërcyer kufijtë. Ka sjellë risi në vitet ’80, por ka ditur me mjeshtëri, të jetë po aq e dashur edhe në kohën e teknologjisë. Kur e takon, është e thjeshtë dhe pozitive, si dikur kur drejtonim bashkë festivalin e këngës. Një jetë në skenë, e rrëfyer ekskluzivisht në pak rreshta për Albanian Free Press, nga ikona e skenave shqiptare.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Si ka qenë fëminia juaj, çfarë kujtoni prej saj?

Jam rritur në një familje të vogël, prindërit dhe unë. Nuk e kam jetuar shumë realitetin, se kam qenë tepër ëndërrimtare. E krijoja botën me dëshirat e mia.

Jetesa jonë ka qenë një rrugë e mundimshme me virtytin, drejtësinë, paqen dhe sakrificën për të mbijetuar me tonën, pa prekur sinore dhe pa shkelur mbi tjetrin. Durimi dhe urtësia ka qenë mënyra jonë e jetesës.

Angazhoheshit me aktivitetet e atyre viteve?

Si fëmijë, jam aktivizuar në programet e shkollës si recituese, këngëtare apo valltare. Ndjekja e kursit të baletit ka qenë një shenjë e bukur, por dhe e vështirë e fëmijërisë. Aty qe fillimi i një përpjekje të gjatë, më pas në rrugën e artit. Duke qenë mjaft e ndrojtur dhe e tërhequr, nuk kam patur protagonizëm, derisa u shkëputa diku nga mosha 13-14 vjeçare.

E kujtoni daljen e parë në skenë?

Dalja e parë ka qenë në skenën e TKOB-it, në një nga Koncertet e Majit, që ishte muaji i ansambleve amatore. Më zgjodhi Osman Mula. Daljet e para kanë qenë pa emocion, se isha tepër e re dhe skena apo TV, nuk ishin ambicie imja, por një rast për mos t’u refuzuar.

 Në cilin vit dhe si ishte dalja e parë në TV?

Dalja në TV ka qenë pas angazhimit në Radio Tirana, si spikere në programet e fëmijëve dhe rinisë, e ndonjëherë si interpretuese në dramatizime radiofonike.

Nuk kam ndonjë datë të shënuar për këtë rast, se nuk e kisha menduar që do më duhej një ditë, por vetëm kujtoj që ka qenë një program muzikor me kërkesa të teleshikuesve për këngë, jo në studio, por në mjedise pune. Pra, unë si intervistuese. Autor i programit ishte Dhimitër Rëmbeci dhe kamera nga Pali Kuke. Do ketë qenë viti 1979.

Më pas, ju punuat shumë vite në RTSH. Si i kujtoni ato kohë?

Ndërkohë që po dilja herë pas here në TV, vazhdoja shkollën e mesme dhe më pas universitetin ku u diplomova për Ekonomi-Financë. Punova katër vjet në këtë profesion, pa u shkëputur nga ekrani, derisa më 1989 filloj me kohë të plotë në RTSH. Këtë kohë nuk e shoh me sytë e nostalgjisë. Më duket si vazhdimësi. Nuk kam kujtime aq pikante, përveçse një përpjekje e vazhdueshme për ta merituar ekranin e për të përballuar sfidat.

Si reagonte publiku kur ju shikonte në rrugë?

Në fillimet e mia kam qenë si e trembur, se mos zhgënjeja njerëzit, domethënë që u dukesha më bukur në TV e më pak në të vërtetë... Mundohesha të shmangesha e kjo sindromë më ka mbetur ende... Se në të vërtetë dhe reagimet e atyre viteve më përpara, kanë qenë një çudi e madhe. Domethënë, pak fjalë e më shumë pasthirrma. Por ndoshta dhe mosha ime e re, pasiguria dhe komplekset, nuk më lejonin t’i kuptoja drejt ato. Ndërkohë, tani më rezulton që publiku më paska dashur shumë, edhe atëherë. Tani ma shprehin këtë gjithë mall dhe entuziazëm, duke më dhënë kaq shumë kënaqësi!

Ju jeni dalluar shumë, edhe për veshjet skenike dhe krehjen. Kush ju kuronte e sa merreshit me këtë aspekt?

Veshjet e mia për koncerte dhe festivale, i përgatiste një mjeshtre e paharruar, Shpresa Zeraliu, e cila ishte zgjedhja e Vera Grabockës, - që ishte shumë e sofistikuar qysh në vitet ’80.

Sa për krehjen, në ato fillime ishin grimiorët e famshëm të RTSH-së, Zhaneta Petushi dhe Edmond Lako.

 Cilat kanë qenë marrëdhëniet me kolegët, prezantuesit kolegë dhe regjisorët?

Kanë qenë marrëdhënie pune, me tensionet dhe kënaqësitë që të jep ajo dhe asgjë më tepër. Secili kishte detyrën e tij dhe s’ishin këto ndenjet e gjata nëpër kafé apo mjedise të tjera, për të ndarë më tepër. Ose ndoshta unë kam qenë e tërhequr, si një e re që shkoja në një mjedis të ngritur e të konsoliduar në vite pune së bashku.

Jeni prezantuesja historike e festivaleve. Sot, si i shikoni ato? Është e njëjta cilësi?

Patjetër që cilësia është në rritje. Është në favor teknologjia, liria e shprehjes dhe vetë mosha e festivalit, domethënë përvoja. Unë festivalin e shoh me sytë e dashurisë.

Sa sakrifica i duhen një femre, që është marrë aq shumë me profesionin?

Sakrifica që nuk i bën jo vetëm femra, po e gjithë familja. Është e vështirë në çdo pikëpamje. Puna në art, në TV, është sa e bukur së jashtmi, po aq robëruese në thelb. Të do për vete, 100%. Pra, s’të lejon të bësh jetën tënde, por atë të figurës që ti ke krijuar. Ndoshta është përjetimi im, se unë vë zemrën në këtë punë.

Me prezantimin u bëtë shumë e dashur edhe në diasporë. Keni ndonjë kujtim nga turnetë?

E vërtetë. Diaspora e hershme më njohu përmes valëve satelitore të RTSH-së dhe videokasetave, ndërsa e reja më mori me vete, bashkë me kujtimet e veta nga vendlindja.

Diaspora më bëri të kuptoj se, puna, pasioni dhe ajo sakrificë që ju theksuat më parë, kishin pasur një vlerë të madhe. Unë tashmë isha bërë pjesë e ndërgjegjes së tyre, e familjes, fëmijërisë, rinisë së tyre. A ka gjë më të çmuar se kjo?! Të jesh personi i dashur për mijëra familje, për miliona zemra! Nuk e kisha menduar, kur e nisa këtë punë, por kur jep edhe merr, patjetër. “Ç’të mbjellësh, do korrësh!” – thotë populli.

Sa për kujtimet, ato janë të panumërta, por ajo që më vjen menjëherë në mendje, është flamuri ynë që shoqëron çdo koncert apo vizitë, nëpër familje të mërgimtarëve. Ai flamur i bukur kuq e zi, larg mëmëdheut, merr dhe ngjyrat e mallit e krenarisë dhe është ende ashtu siç thoshte Noli, thuajse një shekull më parë: “Lagur me lot, djegur me flakë!”

Keni qenë person i vlerësuar shumë, edhe nga krerët e politikës. Kujtoni ndonjë takim ose detaj?

Nuk di ndonjë vlerësim të veçantë nga ana e politikës, por sa herë ka qenë rasti, e kam ndjerë simpatinë dhe respektin.

Po ndonjë takim me artistët e huaj?

Sa për artistë të huaj, ata s’kanë qenë karakteristikë e punës time, por mund të veçoj publikun e huaj në koncertet ku kam prezantuar. Ka qenë kompliment i madh për mua, kur ata më kanë përcjellë mesazhin: “Megjithëse ne nuk e njohim këtë gjuhë, na u duk e bukur dhe i kuptuam të gjitha”. Janë ndalur tek zëri dhe afërsia që kanë ndjerë nga ky komunikim.

I flisni djalit tuaj për jetën në skenë?

Jo, nuk i rrëfej, por ai po e jeton, pa komente. Besoj që po i duket e vështirë; dhe vetëm po të jetë arti i vetmi talent i tij, do të drejtohet andej.

Keni pasur përkrahjen e prindërve në karrierë?

Po, madje jo vetëm përkrahje, por edhe shtysë. Sidomos mamaja ishte ajo që më regjistroi si e vogël, 7-vjeçare, në kursin e baletit, dhe më shihte vetëm si artiste. Ndërkohë që unë mendoja për doktoreshë, mësuese... Edhe babait i pëlqente televizioni për mua, se merrte dhe shumë lavdërime nga miqtë dhe shokët, dhe gëzohej për këtë.

Ju, çfarë muzike dëgjoni ose preferoni?

Më pëlqen muzika në përgjithësi, por më tepër ajo që vallëzohet.

Sot jeni përsëri në aktivitet. Por pse jo në RTSH si dikur, i keni dhënë aq shumë...

RTSH-ja ishte shkolla ime. Tani jam në punë, si profesioniste e lirë.

Publiku nuk ju harroi kurrë, edhe pse dalin prezantuese çdo ditë. Pse?

Pa modesti, do e pranoj komplimentin tuaj, se përndryshe fyej atë ndjenjë të mrekullueshme që publiku ma fal pa u kursyer. Edhe pse dalin prezantuese të reja, secila ka vendin e saj. Asnjëra nuk zbeh tjetrën. Origjinaliteti, sinqeriteti, përkushtimi dhe modestia, janë të pakonkurrueshme, domethënë të pakrahasueshme.

Ku e gjen prehjen Silvana?

Prehje s’ka, sidomos për gruan!

Ku do e kaloni natën e fundvitit, dhe a keni një urim për fansat?

Nata e fundvitit, me familjen në shtëpi në Tiranë. Nuk do të doja më mirë se kaq.

Urimet për fansat janë ato që do të dëshiroja për veten. Ata janë pjesë shumë e rëndësishme imja, ndaj shëndet e jetë, punë e suksese, harmoni e begati! Gëzuar!

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: