Skënderbeu-Partizani për titullin 2015-’16, Olsi Rama: Vendos KAS

Skënderbeu-Partizani për titullin 2015-’16, Olsi Rama: Vendos KAS
FSHF-ja shpërndau ditën e djeshme, diplomat e drejtorëve sportivë. Mes tyre, ishte edhe Drejtori i ri i Partizanit, Olsi Rama. Pas marrjes së licencës, vëllai i kryeministrit që mori zyrtarisht një javë më parë postin e drejtorit të klubit Partizani, foli pas humbjes 5-0 në Gjirokastër, mbi dorëheqjen e trajnerit, Sulejman Starova, dhe vendimin e drejtuesve të klubit për ta rikthyer atë në stol.

“Ishte vendimi i të gjithë drejtuesve për të krijuar vazhdimësinë e trajnerit në punë. Starova ka qenë përherë pjesë e klubit dhe do të jetë në krye të stolit edhe për ndeshjen me Vllazninë”. Lidhur me merkaton e muajit janar,  Olsi Rama konfirmoi se do të ketë blerje të tjera.

“Nuk largohet asnjeri. Merkatoja bëhet për t’u përmirësuar. Senatorët do të vijojnë të jenë pjesë e Partizanit. Merkatoja e Janarit është merkato riparimesh”, u shpreh Drejtori Sportiv i Të kuqve.

Për çështjen e titullit kampion të dy sezoneve më parë, për të cilin Partizani që doli i dytë kërkon ta marrë zyrtarisht duke qenë se UEFA dhe FSHF ia hoqën Skënderbeut, Olsi Rama, tha se vendimin final e merr Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, KAS. “E thashë që kemi bërë një kërkesë për të qenë brenda afateve ligjore, për të njohur të drejtën e Partizanit. Ne presim vendimin e KAS-it, nuk ka asnjë problem”, u shpreh drejtori i Partizanit. Skënderbeu e ka konsideruar heqjen e titullit kampion si të padrejtë ndaj edhe ka bërë kërkesë në KAS. Kësisoj, do të jetë vendimi i saj, që pritet të merret në muajt e ardhshëm, për të përcaktuar skuadrën kampione të dy sezoneve më parë. Luciano Moggi, pavarësisht se më tej Drejtor Sportiv i Partianit do të jetë Olsi  Rama, do të mbetet këshilltar sportiv i presidenti, Gaz Demi.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: