Skënderbeu, sot lamtumirë me nder Europë!

Skënderbeu, sot lamtumirë me nder Europë!
Skënderbeu pa dy lojtarë kryesorë Sowe e James, kërkon sot një rezultat pozitiv, ndaj Young Boys. Kapiteni Shehi flet për shanset dhe diferencat me rivalët në Shqipëri dhe Europë League 

Aranit Muraçi

Skënderbeu mbyll sot aventurën në Europa League, me përballjen e fundit të fazës së grupeve, ndaj Young Boys të Zvicrës, pa shanse kualifikimi për në fazën tjetër. Skuadra që kryeson bindshëm kampionatin tonë, do të ketë edhe mungesat e dy lojtarëve, të sulmuesit kryesor, Ali Sowe, dhe të mesfushorit James Adeniy. Ndryshe nga mungesa e Sowe i skualifikuar, sulmuesi nigerian nuk është pajisur me vizë, duke mbetur në Tiranë. Skënderbeu u nis drejt Bernës, mëngjesin e djeshëm, kurse James iu refuzua viza,  çka ka detyruar trajnerin, Ilir Daja, të bëjë llogaritë ndryshe. Megjithatë, Skënderbeu, pavarësisht mungesave, pritet t’i japë lamtumirë Europa League, me dëshirën për të shmangur humbjen, pse jo edhe me një fitore.

“Dëshira jonë është që ta mbyllim me një rezultat pozitiv aventurën tonë në Europa League,” – tha për “Albanian Free Press”,  kapiteni dhe portieri i Skënderbeut, Orges Shehi. “Një rezultat pozitiv lakmohet nga çdo ekip shqiptar që merr pjesë në Europë, pasi i sjell të ardhura arkës së klubit.  Por neve na ndihmon edhe për koeficientin në renditjen kur hidhet shorti për sezonin tjetër, që do të thotë se na jep më tepër shanse për një tjetër sukses evropian. Kemi luajtur në grupe me skuadra që kishin buxhet më të lartë se yni, prandaj them se po e mbyllim aventurën në Europa League me sukses të plotë,” – thotë Shehi.

Pjesëmarrja e Skënderbeut në Europa League fillimisht u konsiderua si një disavantazh për të besuarit e trajnerit Ilir Daja, për të konkurruar me rivalët për titullin kampion. Lidhur mbi një artikull të kaluar në  “Albanian Free Press”, mbi faktin se të ardhurat e siguruara nga Skënderbeu në Europa League do t’i sillnin arkës së klubit korçar garanci të plotë për sukses edhe për dy sezone të tjera, Shehi konfirmoi dje para nisjes të njëjtën gjë.

“Sigurisht kemi zhvilluar deri tani dy kampionate njëkohësisht, por ecuria e mirë në Europa League na ka rritur moralisht për të konkurruar më denjësisht, në vend që të na dëmtonte me rivalët në Shqipëri. Në fakt e njëjta gjë ndodh edhe me skuadrat e tjera evropiane që fitojnë Champions dhe kampionatin. Ata luajnë me të njëjtët lojtarë kryesorë, por ndikon forca e skuadrës dhe kualiteti i tyre. Suksesi kërkon një skuadër të mirë që besoj se ne në Shqipëri e kemi ndërtuar dhe tashmë jemi shkëputur ndjeshëm nga rivalët. Por asgjë nuk ka përfunduar dhe as nuk është e garantuar, nëse nuk do të vijojmë rrugën që kemi nisur. Kampionati është i gjatë. Sikurse e thashë janë faktorë të tjerë që na ndihmojnë të arrijmë sukses, prandaj për më tej nuk do të marrin në konsideratë faktin se mund ta kemi më të lehtë ngaqë nuk do të kemi më impenjime në Europë,” – thotë Orges Shehi. Me tetë pikë diferencë nga vendi i dytë, Skënderbeu pas Young Boys, me tre  ndeshjet e mbetura të këtij viti, pret të shpallet matematikisht kampion dimri në Shqipëri.

Europa League – Sot

(Ora 19:00)

Grup A

Slavia P. - Astana

Vilarreal -Maccabi T.

Grupi B

Dinamo Kiev - Partizan B.

Young B. - Skënderbeu

Grupi C

Hofenheim - Ludogorets

Istanbul - Braga

Grupi D

Austria V. - AEK

Rijeka - Milan

Grupi E

Apollon L. - Everton

Atalanta -Lyon

Grupi F

FC Koebenhavn - Sheriff

Zlin - Lokomotiv M.

(Ora 21:05)

Grupi G

Steaue - Lugano

Hapoel B. - Plzen

Grupi H

Arsenal - BATE B.

Crvena Zvezda – Këlni

Grupi I

Marseille - Salzburg

Guimaraes - Konyaspor

Grupi J

Hertha B. - Oestersunds

Zorya – A. Bilbao

Grupi K

Vitesse - Nice

Zulte-V. - Lazio

Grupi L

Vardar - Rosenborg

Real S. - Zenit St. P.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: