Sot dita me më shumë reshje, qarqet më të rrezikuara

Sot dita me më shumë reshje, qarqet më të rrezikuara
Meteorologët parashikojnë se, zonat qendrore dhe ato jugore do të kenë edhe intensitetin më të madh të reshjeve, ndërkohë nga dita e shtunë pritet të ketë më pak reshje

Sonila Isaku

Shqipëria përfshihet nga një situatë e pazakonte moti. Për 48 orë, mbi territorin e vendit do të bjerë shi sa për gjithë sasinë e reshjeve të muajit nëntor. Sipas specialisteve të sinoptikës, deri mesnatën e së enjtes, reshjet më të mëdha kanë qenë në veri të vendit. Më pas, kjo situatë është zhvendosur drejt qendrës dhe zonave jugore.

Situata më e vështirë e reshjeve parashikohet të  jetë përgjatë ditës së sotme. Ky ka qenë edhe paralajmërimi i bërë nga meteorologët gjatë këtyre dy ditëve, të cilët kanë theksuar se sasia e reshjeve në shumë zona të vendit do të shkojë në vlera maksimale, duke rrezikuar edhe përmbytje. “Në vijim të natës së sotme dhe datës 1 dhjetor, do të ketë mbi 110 milimetra reshje, nga 35 mm që kanë qenë në 24 orët e kaluara”, - kanë pohuar sinoptikanët.

Nga ana tjetër, reshjet gjatë ditës së premte do të jenë me intensitet mesatar edhe të lartë në zonat qendrore dhe jugore.

“Reshjet gradualisht po pakësohen në veri, por mbeten me intensitet mesatar dhe të lartë në zonat qendrore dhe jugore, duke vijuar të dendura deri mesditën e nesërme (e premte), kur Veriu & qendra do të kenë reshje të pakta, ndërsa zonat jugore mbeten me reshje intensive, deri vonë pasdite, kur pritet pakësim i ndjeshëm i reshjeve edhe në jug” - kanë pohuar meteorologët e Meteoalb. Sipas tyre, dita e shtunë do të jetë me reshje më të pakta. Ndërkohë, shirat do të jenë prezentë në vendin tonë, deri ditën e hënë.

Si pasojë e këtyre reshjeve do të ketë edhe prurje të lumenjve të vendit, nga të cilët Semani dhe Vjosa pritet të kenë më të mëdhatë. Ndërkohë, rreziku më i madh pritet të vijë nga lumenjtë malorë, të cilët vërshojnë intensivisht në një kohë shumë të shkurtër. Duke nënvizuar se, e premtja dhe paraditja e së shtunës do të jenë problematike për pjesën Juglindore, dhe qytetet me të rrezikuara do të jenë Vlora, Fieri, Gjirokastra dhe Korça.

Prania e erës do ta bëjë edhe më të vështirë situatën e motit këtë fundjavë. Për shkak të shirave të shumtë që do të bien edhe në vendet fqinje, pritet të ketë fryrje të lumenjve dhe përmbytje.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: