Tare vizioni i së ardhmes së futbollit shqiptar, a do të pasojë ai Dukën në krye të FSHF-së?

Tare vizioni i së ardhmes së futbollit shqiptar, a do të pasojë ai Dukën në krye të FSHF-së?
Historia me dy portierët shqiptarë që afroi te Lazio, si dhe ajo e Sergej Milinkovic-Savic, talentit serb që kërkohet nga Manchester United, për të cilin Igli Tare zbulon se ka refuzuar 70 mln euro

Nga Aranit Muraçi

Igli Tare nuk e ka rinovuar ende kontratën me Lazio, pavarësisht se i është ofruar një e tillë. Presidenti i Lazio, Claudio Lolito, jo vetëm e konsideron si njeriun më të besuar për momentin ish-lojtarin e Kombëtares shqiptare, por kërkon ta ketë me çdo kusht në krye të klubit të Seria A për tre sezonet e ardhshme. Për suksesin e Tares nuk vlen vetëm sezoni i fundit, apo aftësitë e tij për të afruar lojtarët e duhur.

Tare është momentalisht drejtuesi sportiv më i suksesshëm shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe vlerësohet si një ndër drejtorët sportivë më të suksesshëm të Seria A. Kur afroi tre lojtarët shqiptarë, që Igli Tare afroi te Lazio, Lorik Cana dhe dy portierët Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha, të gjithë bënë lidhjen patriotike mes tij dhe futbollistëve në fjalë. Por gjithçka rezultoi një histori e plotë suksesi për ish-sulmuesin kuqezi. Të dy portierët të cilët u blenë më pak se 1 mln euro, sot vlejnë 5-6 herë më tepër. Lazio e shiti kartonin e Berishës për 4.5 mln euro te Atalanta dhe ka aktualisht portier të parë Strakoshën. Suksesi i Igli Tares në fakt provohet më mirë me afrimin e serbit  Sergej Milinkovic-Savic.

Vizioni i Tares

José Mourinho dhe Manchester United janë interesuar për të firmosur me talentin e Lazio, Sergej Milinkovic-Savic. Mediat britanike kanë zbuluar se “Special One” dërgoi zbuluesit e talenteve të Djajve të Kuq në Italia për të ndjekur gjatë fundjavës serbin e mesfushës, që u afrua te Lazio nga drejtori sportiv i këtij klubi, Igli Tare. Milinkovic-Saviç është një ndër emrat më premtues të Seria A dhe ndiqet nga një sërë klubesh të tjera, si Juventus e Manchester City. Mesfushori 22 vjeçar është ndjekur në fundjavë gjatë ndeshjes së Seria A, Sampdoria-Lazio, që përfundoi 2-1 në favor të miqve. Ka qenë pikërisht ish-lojtari i Kombëtares shqiptare, që drejton klubin e Seria A, Igli Tare, i cili tha se gjatë verës për Milinkoviç-Saviç është refuzuar një ofertë prej 70 mln euro. Lazio, sipas Igli Tares, nuk dëshiron ta shesë lojtarin nën një shifër prej 80 mln eurove. Vështirë të besohet se United do të afrojë një shifër të tillë për të siguruar kartonin e lojtarit, por ajo që vlen të theksohet është aftësia e Igli Tares për të afruar në skuadër lojtarë të tillë, të cilët po i sjellin arkës së klubit miliona euro.

Edhe gjobitet

Igli Tare është gjithashtu protagonist dhe i përkushtuar mbi ecurinë e skuadrës së tij në Seria A.  Pas ndeshjes së kaluar me Fiorentinën ai është futur në fushë dhe ka kundërshtuar gjykimin e ndeshjes, duke u dënuar nga gjykata sportive e Seria A. Tare për sjellje “agresive dhe kërcënuese” mori një gjobë prej 10 mijë euro si dhe u pezullua deri më 5 dhjetor, pezullim që ka përfunduar. Lazio, pas 15 javëve të para ka 32 pikë, 7 më pak se kryesuesit e Inter, por gjithashtu edhe një ndeshje më pak. Një ecuri e jashtëzakonshme, falë drejtuesve si Igli Tare dhe meritë ka edhe trajneri Simone Inzaghi.

Rinovimi i vonuar me Lazio dhe projektet e Lorik Canës    

Tare, a do të pasojë Armand Dukës në krye të FSHF-së?

Në mars zhvillohen zgjedhjet e Asamblesë për kreun e ri të FSHF-së. Armand Duka pas katër mandateve radhazi, në rast kandidimi do të synojë një mandat të pestë, ndërkohë që prej ditësh kanë qarkulluar emra të tjerë të mundshëm që do ta rivalizojnë atë.

Mes emrave të përfolur është një personazh politik, Bashkim Fino, kandidat të cilin Duka e ironizoi pak ditë më parë, duke dhënë se e sheh atë si rival “vetëm nëse e propozon partia e tij, PS-ja.” Kuptohet që kandidati për president duhet të propozohet nga disa prej klubeve të vendit, të cilat kanë të drejtën e votës për të zgjedhur presidentin e ri të FSHF-së. Në rastin se ai propozohet nga një parit politike, kjo është e papranueshme në statuset e UEFA-s dhe FIFA-s. Duka kërkoi në fakt një rival në garë, i cili aktualisht nuk ekziston. Megjithatë, mësohet nga burime të “Albanian Free Press”, se kandidatët më potencialë për të pasuar Armand Dukën janë dy emra të njohur të Kombëtares shqiptare: Igli Tare dhe Lorik Cana. Ish-kapiteni i kombëtares u shpreh pak ditë më parë se pas karrierës si futbollist e sheh veten si drejtues klubi apo futbolli, por pa e specifikuar të ardhmen e tij. Cana nuk e përjashtoi mundësinë që të jetë një ditë në krye të FSHF-së, por cilësoi se ka të tjerë si Igli Tare me më tepër përvojë. Është pikërisht Igli Tare emri më i spikatur i momentit që mund të drejtojë në të ardhmen FSHF-në, për t’i dhënë një vizion dhe zhvillim futbollit në Shqipëri e Kombëtares Shqiptare.

Vështirësia e vetme janë perspektiva që Tare sheh në krye të FSHF-së dhe kushtet financiare, që duhet të përputhen me ato që ai përfiton aktualisht te Lazio. Megjithatë, mësohet se Igli Tare nuk kërkon të sfidojë askënd në rast kandidimi, sikurse duhet që projekti për projektin e zhvillimit e mëtejshëm të futbollit në Shqipëri të jetë një strategji kombëtare. A do të kandidojnë Tare dhe Cana për kreun e ri të FSHF-së? Lorik Cana ka nisur prej disa kohësh disa projekte me fëmijët në Shqipëri. Kuptohet që e ardhmja nis prej tyre. Përse pranoi Lorik Cana, të lërë Italianë për kryeqytetin shqiptar?! Fakt është se Igli Tare nuk ka pranuar deri tani rinovimin e kontratës me Lazio, që i skadon në fund të këtij sezoni, ose tre muaj para se të zhvillohet zgjedhjet për presidentin e ri të FSHF-së.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: