Tendenca e fundvitit, shqiptarët preferojnë “pushimet e bardha”

Tendenca e fundvitit, shqiptarët preferojnë “pushimet e bardha”
INTERVISTA/ Flet për “Albanian Free Press”, presidenti i Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë, Rrahman Kasa

 Tendenca e fundvitit, shqiptarët preferojnë “pushimet e bardha”

 Z.Kasa, lidhur me prag-festat e informacionet e deritanishme që ju keni prej operatorëve turistikë, cilat paraqiten sipas jush tendencat kryesore se ku do të pushojnë shqiptarët këtë fundviti?

Trendi kryesor i pushimeve të fundvitit është ai i zgjedhjes prej tyre si destinacion kryesor ai i vendeve dhe resorteve me borë, ku mund të bëjnë ski. Ato që njihen në fakt edhe si “pushimeve të bardha”.  Dhe meqë ne nuk kemi ende resorte të tilla, ne i çojmë shqiptarët e interesuar për to në vendet fqinje, si Kolashini i Malit të Zi apo Bansko i Bullgarisë. Por ka edhe një pjesë shqiptarësh që shkojnë në Budva, për diçka ndryshe. Sikundër është edhe pjesa tjetër e klientëve më të privilegjuar që i kanë mundësitë ekonomike, të cilët shkojnë me avion në Paris, Vjenë, apo Romë etj.

Po distancat më të largëta ku shkojnë shqiptarët, cilat janë?

Kryesisht ata preferojnë të lëvizin vetëm nëpër Evropë, brenda territorit të saj. Por më larg saj, i parapëlqyer mbetet Dubai i Emirateve, i cili është gjithashtu një destinacion i frekuentuar i shqiptarëve.

Ç’mund të na thoni në lidhje me shifrën e fundit të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë se nga turizmi këtë vit janë shënuar deri 1.5 miliardë lekë të ardhura?

Kjo shifër e komunikuar nga Banka e Shqipërisë se 1.5 miliardë euro janë gjeneruar në ekonominë vendase vetëm prej turizmit këtë vit, duhet thënë se është shumë më e lartë se vitn e lartë, gati 40%. Kryesisht atë e kanë krijuar të huajt që kanë vizituar vendin tonë përmes fluturimeve charter, ose pushimet e organizuara.

Si ka mundësi që u arrit një shifër e tillë edhe pse ky i sivjetshmi ishte edhe një vit zgjedhor, i shoqëruar me një klimë të nxehtë politike?

Ky ka qenë në fakt një problem në vetvete për vendin tonë, por që u rikuperua, pasi kontratat ishin të mbyllura. Duhet ditur se kontratat ishin mbyllur një vit më parë. Ne edhe tani që flasim, kemi kontrata të mbyllura për vitin tjetër. Në fakt, është një pikë e kontratës që paracakton se në rast trazirash politike, mund të fshihet; mirëpo agjencia nuk kishte interes ta bënte këtë dhe ndiqte me kujdes sesi do të vinte situata. Një pikë e tillë ekziston patjetër, sepse ata parapaguajnë që në momentin e lidhjes së kontratës. Domethënë, deri tani ka kompani që kanë paguar deri në 50% të shumës së kontratës, për vitin 2018. Prandaj quhen edhe pushime të organizuara, siç shkojnë në Antalia. Merren hotele me garanci dhe lidhen kontrata garancie, ato kontraktohen që kohë më parë dhe paguhet një përqindje e shumës së shërbimit të ofruar nga pushuesit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: