Tiri Gjoci: Një këngë për babain tim të ndjerë

Tiri Gjoci: Një këngë për babain tim të ndjerë
Kur u shpall fitues i kompeticionit kanor, “The Voice 5”, ai ndoshta u bë më i njohur për një publik shumë më të ri. Por djaloshi 23-vjeçar, ka vite në netët e Tiranës, duke kënduar “live”, e vazhdon edhe sot. Bashkë me grupin e tij, pas ndarjes me band-in, Bon Bon Band, nuk është e rrallë ta shikosh të performojë me mjaft dinamizëm në ato pak mjedise ku preferohet muzika e gjallë, siç vetë ai pëlqen ta quajë. Tiri Gjoci është kantautor që, këtë vit, ka zgjedhur skenën e festivalit të RTSH-së dhe jo pa arsye. Si në shumë raste, me një këngë me tekst të shkruar prej tij. Vjen në këtë rrëfim ekskluziv për Albanian Free Press, një nga zërat mashkullorë më ekselentë në panoramën shqiptare.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Je këngëtar i konsideruar ende i ri, por e vërteta është që u bë një dekadë si solist me “Bon Bon Band”. Si kanë qenë fillimet e tua me muzikën?

Është e vërtetë, u bënë 10 vjet qysh nga krijimi i Bon Bon Band. Muzikën e kam nisur krejt çuditshëm në fakt, madje historia është shumë për të qeshur. Një mik i vëllait tim, kishte në atë kohë, viti 2005, nevojë urgjente për pará dhe midis disa sendeve të shumta, mendoi të shiste edhe një nga kitarat e tij. Përfundimi ishte që vëllai më dhuroi atë kitarë akustike. Gjithsesi, mendoj se, mos në këtë mënyrë, në një tjetër, jam i bindur që do të përfundoja sërish te muzika.

Ka pasur gjithmonë harmoni mes jush; sa rëndësi ka miqësia në një band me djem të rinj?

Bon Bon Band besoj, si çdo grup tjetër, kishte probleme apo mosmarrëveshjet tipike të një grupi, por e rëndësishme ishte që në përfundim, mblidheshim të gjithë në një pikë. Bon Bon Band i rezistoi këtyre mosmarrëveshjeve deri më 2014, kur në fakt ishte dhe viti ku u vlerësuam si “Best Group” në festivalin “Kënga Magjike”, me këngën “Me ty”. Pikërisht në atë vit, ishte dhe fundi i Bon Bon Band. Them fundi i Bon Bon Band, pasi thuajse secili nga pjesëtarët e grupit, përfunduan duke iu bashkuar një grupi tjetër apo duke krijuar një të tillë. Në vitin 2015, unë krijova “Tiri&Band”, format me të cilin performoj edhe sot live.

Në mesin e një morie këngësh e muzike komerciale, a do guxim të jesh rroker i mirëfilltë?

Patjetër. Madje është e vështirë, pasi në një botë ku mbizotëron muzika komerciale, të kesh sukses me Rock, është thuajse e pamundur. Më duhet të theksoj se, dëshira ime ishte kjo. Unë kam pasur një ëndërr dhe një vizion, besoj si shumë të tjerë, dhe vazhdoj ta kem. Personalisht nuk kam asgjë kundër muzikës komerciale, por asaj të mirë ama, ha ha ha.

Rroku është edhe një stil jetese, në shumë detaje. A je ti një djalë rrok në jetë?

Në një mënyrë apo në një tjetër, po. Shpenzoj pjesën më të madhe të kohës në studio, prova apo studim. Ndaj, në një mënyrë, dua apo s‘dua, jam. Në jetën e përditshme nuk e kategorizoj veten stil rock 100%.

Kënga “Zemërthyer” me të ndjerin Dr. Flori, të bëri të njohur menjëherë. Ke ndonjë mbresë nga ajo kohë dhe ai bashkëpunim?

Fillimisht, kur djemtë ma ofruan këtë mundësi, - Dr. Flori dhe Ermal Mamaqi, -ishte emocion i paparë dhe vlerësim tepër i madh për mua. Kënga ishte e përfunduar tekst dhe muzikë qysh përpara se të prezantohesha me djemtë. Praktikisht, u thirra vetëm për të regjistruar zërin në materialin e tyre. Ishte kënaqësi të punoja me të dy djemtë!

Fituesi i “The Voice” ka shumë dyer të hapura, të paktën kështu duket nga jashtë. Është e vërtetë kjo?

“The Voice” ishte një përvojë fantastike për mua, edhe pse në fakt, në një farë mënyre, më detyruan të merrja pjesë. Duhet thënë që, asnjëherë nuk kam qenë fans i këtyre kompeticioneve. Duke qenë kështu, sigurisht as që e mendoja në një të ardhme të merrja pjesë vetë. Por për fatin tim të mirë, rrethohem nga familjarë apo miq të mirë, që ndryshuan tek unë këtë opinion absurd dhe u bënë shkas të merrja pjesë në “The Voice of Albania 5”. U futa dhe fitova. Aty përfundoi misioni im, pastaj sa i takon dyerve të hapura, do të thosha që më shumë duket, se sa ç'është. Gjithsesi ishte përvojë e shkëlqyer dhe do ia sugjeroja çdokujt!

 

Si e mban zërin në formë?

Pyetje e shkurtër, që kërkon përgjigje mjaft të gjerë. Megjithatë, thënë me pak fjalë, mundohem që çdo ditë të bëj ushtrime fizike dhe vokalica; mundohem që të jem selektiv dhe tek ushqimi apo pijet, pasi janë disa, shumë prej këtyre të fundit, që ndikojnë negativisht tek zëri. Është ndoshta diçka shumë e bezdisshme për t’u bërë çdo ditë dhe sigurisht që nuk i bëj, por në të njëjtën kohë, jam dhe i ndërgjegjshëm që duhen bërë.

A të ndihmon të kënduarit “live”, në jetën e natës së kryeqytetit?

Më ndihmon për tri arsye. E para për të mbajtur zërin në formë, sigurisht që kjo është një këshillë për të gjithë, por fillimisht duhet të sigurohemi që këndojmë korrekt, pa abuzuar me zërin. Në qoftë se është kështu, atëherë e kënduara çdo fundjavë, në atë mënyrë, e çon zërin drejt shkatërrimit. E dyta, të ndihmon për të qenë në kontakt me fansat dhe personat që nuk më kanë dëgjuar kurrë live. E treta, të ndihmon nga ana ekonomike.

Si lind një bashkëpunim i ri, një këngë e re, për ty. Nga çfarë nisesh, kur një këngë të pëlqen?

Mund të flas më lehtë për krijimin e një kënge, se sa për pjesën e bashkëpunimit, pasi besoj se, kjo e dyta, lind në shumë mënyra. Shkruaj në momente të caktuara frymëzimi. Besoj është e njëjta gjë, për të gjithë. Personalisht, më mjafton kitara ime dhe shkëputja me botën jashtë, por në disa raste, vjen edhe në momente të papërcaktuara.

Ke qenë i pranishëm, vetëm ose me grupin, në shumë aktivitete muzikore; ku je ndjerë më mirë?

Besoj se jam ndjerë mirë, në pjesën më të madhe të rasteve, por skena e festivalit të fundvitit në RTSH, më pëlqen më shumë, për faktin se muzika është e gjallë, live. Sigurisht, edhe për historinë që ka. Është emocion i veçantë për mua të këndoj në skenën ku kanë kënduar këngëtarë si Vaçe Zela, Myfarete Laze, Sherif Merdani, Tonin Tërshana e shumë e shumë të tjerë! Është privilegj!

A kontribuon muzika rrok që të ruhet muzika e mirë në këtë vend?

Tani do të të përgjigjem si Tiri, studenti i muzikologjisë, pasi ndoshta nuk e kam përmendur më sipër, por unë studioj për Muzikologji në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Nëse flasim për muzikë rrok të mirë, sigurisht që po. Muzika rrok nuk është asgjë më shumë apo më pak, se sa derivat i muzikës klasike, jazz-it apo blues-it, dhe për sa kohë nuk është degradim i këtyre të fundit, ashtu siç rëndom dëgjohet sot, patjetër që kontribuon në ruajtjen e vlerave të mira artistike dhe muzikore.

Do i qëndrosh gjithmonë besnik kësaj muzike apo je i hapur për rryma të tjera...

Personalisht, mendoj që është gabim për një kantautor apo këngëtar që ti qëndroj besnik një rryme, edhe pse e di që është e vështirë të dalësh nga kjo. Unë e kam thënë dhe e them përsëri, jam gjithmonë në kërkim të më të mirës për veten. Gjithmonë kam eksperimentuar, sigurisht duke qëndruar në origjinë, por e kam bërë dhe do vazhdoj ta bëj. Çfarë na pëlqen, jo gjithmonë është ajo që dimë të bëjmë më mirë.

Ke gjetur përkrahje në karrierë nga kolegët më me përvojë?

Jo dhe jo, sepse nuk ma kanë ofruar ndoshta, por sepse parapëlqej t’ia dalë vetë për çdo gjë, aq me tepër kur bëhet fjalë për muzikën.

A ke hasur xhelozi mes këngëtarëve rrok të skenës shqiptare?

Është diçka absurde, në mendimin tim, të bëhesh xheloz për sukseset apo arritjet e të tjerëve. Mendoj që çdokush bën mirë ta nisi nga vetja kritikën. Unë e bëj shpesh.

Ke ndonjë idhull mes solistëve me famë botërore?

Kush nuk ka. Jam admirues i muzikës angleze dhe asaj amerikane. Glenn Hughes, James Hetfield, Myles Kennedy e shumë të tjerë, kanë qenë, dashje pa dashje, pjesë e zhvillimit tim artistik.

Sa rëndësi i jep pamjes së jashtme, stilit në veshje?

Mjaftueshëm besoj, por jo më shumë se zërit. Në fakt, habitem se si disa “artistë”, në festivale të ndryshme, shpenzojnë pjesën më të madhe të kohës duke u marrë me pamjen e jashtme, se sa me zërin.

Je bërë ndonjëherë pishman që i hyre karrierës së këngës?

Kurrë, veçse mirënjohës personave që më ndihmuam të bëhesha pjesë e saj.

Po që të largohesh nga Shqipëria, për një karrierë jashtë, e ke menduar ndonjëherë?

E mendoj shpesh në fakt, por gjithsesi jam i mendimit se, fillimisht duhet të bësh bujë në vendin tënd! Personalisht, alternativën jashtë e mendoj si hap të mëtejshëm.

Ke në duar ndonjë këngë të re dhe nga çfarë merr ti frymëzim?

Patjetër. Po punoj dy materiale, të cilat pres t’i publikoj shpejt. Bëhet fjalë për një solo dhe një bashkëpunim, kaq mund t’ju them tani. Besoj se 2018, do të jetë një vit i mirë.

Kënga me të cilën këngëtari do të marrë pjesë në Festivalin e 56-të në RTSH

Muzika: Enis Mullai

Teksti: Tiri Gjoci

Këndon: Tiri Gjoci

Orë e ndaluar

Në dhomën time dielli zbret

Sot jo, nuk e ndjej dorën që troket

Në mur varur rri ky shalli yt

E gjithçka e jotja është aty si një pikturë në syrin tim

Koha ndal , k’të çast ma fal

Orë e ndalur, e përmballur, vetëm vetëm ka mbet’

Jam zemërthyer, kam frikë ta prek,

Ajo … ajo ka jetë

Jo nuk e dëgjoj zërin tënd

Qetësinë se prish asgjë, veç hapi yt i rënd

Në mur varur rri ky shalli yt

E gjithçka e jotja është aty si një pikturë në syrin tim

Koha ndal, k’të çast ma fal

Orë e ndalur, e përmballur, vetëm vetëm ka mbet’

Jam zemërthyer, kam frikë ta prek,

Ajo … ajo ka jetë

Dhe pse s’të shoh ti je kudo

Në trup, në shpirt, lart atje

Orë e ndalur, e përmballur, vetëm vetëm ka mbet’

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: