Trafiku i kanabisit nga porti i Durrësit, pranga dy policëve dhe doganierit

Trafiku i kanabisit nga porti i Durrësit, pranga dy policëve dhe doganierit
Dy efektivë policie janë vënë në pranga, pas kalimit të kamionit me 2,2 tonë kanabis drejt portit të Ankonës.

Prokuroria për Krime të Rënda ka urdhëruar ndalimin e efektivëve të Drejtorisë së Policisë së Kufirit dhe Emigracionit, Durrës, Gëzim Dervishi dhe Agron Kapllani.

I njëjti urdhër është lëshuar edhe për doganierin Altin Katundi, si dhe për agjentin doganor Mikail Hila.

"Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda, është evidentuar se, për kalimin e kamionit të ngarkuar me 2.5 ton lëndë narkotike në janar 2017, janë krijuar kushtet nga zyrtarë publikë, të cilët kanë mundësuar kalimin lirisht të kamionit nga porti i Durrësit deri në portin Ankona në Itali”, thuhet në njoftimin e organit të akuzës.

Një ditë më parë, policia njoftoi arrestimin e një oficeri të lartë policie, i cili konsiderohet në rolin e organizatorit, i dyshuar si përgjegjës për trafikimin e 2.5 ton lëndë narkotike kanabis nga porti i Durrësit në drejtim të Italisë, ngjarje e ndodhur në janar 2017.

Kamioni i bllokuar në Itali drejtohej nga Dhimo Koraj.

Deri tani, të arrestuar si pjesë e grupit kriminal figurojnë Demo Progonati, Euron Hoti, Malton Lleshi dhe Aurel Lazaj, të cilët po hetohen me masë e sigurimit arrest në burg.

Ndërsa një urdhër ndalimi është nxjerrë për Festim Lelaj, nënkomisar në Komisariatin e Fierit,  Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa, të cilat janë ekzekutuar nga policia një ditë më parë. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Guardia di Finanzia

Shpërndajeni me miqtë tuaj: